<b></b> Anti-Korrupsioni fillon hetimet ndaj Ramqajt, shenja të përçarjes në Vetëvendosje – përmbledhja e 7 qershorit

Anti-Korrupsioni fillon hetimet ndaj Ramqajt, shenja të përçarjes në Vetëvendosje – përmbledhja e 7 qershorit

08.06.2022 08:12

Një javë pas publikimit aferës "Jaranat e Liburnit" nga Gazeta Nacionale, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka filluar hetimet ndaj Florent Ramqaj, këshilltarit të Ministrit Liburn Aliu. Çështja e ryshfetit/haraçit të përgjuar është tashmë nën hetime nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Megjithatë, Nacionale ka zbuluar edhe konfliktin e interesit në rastin e këshilltarit financiar të ministrit Liburn Aliu, që mban emrin Florent Ramqaj.

Ndryshe, Vetëvendosje sot filloi një metodë të re në mbrojtje të Liburn Aliut, ministër i Minsitrisë së Infrastrukturës. Aktivistë të ndryshëm tashmë kanë filluar të kërkojnë dorëheqjen e Hysen Durmishit, dyshit të Infrastrukturës, duke tentuar ta shpëtojnë Aliun.

Përpos kësaj, në emisionet televizive kanë mbizotëruar figura të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kritikuan punën e Qeverisë Kurti dhe ministrave të tij.

Për sa i përket nismave rajonale, ajo që ra në sy gjatë ditës së sotme është pjesëmarrja e Malitë të Zi në samitin e Ballkanit të Hapur.

Pas raportimit të Nacionales, Agjencia Kundër Korrupsionit fillon hetimet ndaj Florent Ramqajt

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, në emisionin “Kallxo Përnime” ka konfirmuar se Agjencia Kundër Korrupsionit filloi hetimet ndaj Florent Ramqajt.

Sipas Buleshkajt këto raportime duhet të trajtohen dhe gjithçka që mund të gjendet nga ana e tyre në fund t’i dorëzohen institucionit përkatës për trajtimin e rastit.

Pretendimet mund të mos jenë fare për neve, mirëpo ne secilën informatë e trajtojmë dhe pastaj nëse elementet janë për t’u trajtuar nga ta zëmë prokuroria, ne të gjitha informatat që i mbledhim i dërgojmë në prokurori dhe e mbyllim si rast tonin”, ka thënë drejtuesi i AKK-së.

Ne sot kemi fillu procedurat për pretendimet e tilla, e kemi pasë një medium që na ka kontaktuar më herët, ndoshta dje dhe ne kemi filluar menjëherë ta shqyrtojmë për elementet të cilat mund t’i trajtojmë ne”, ka thënë Buleshkaj.

Por, e gjitha filloi pasi Nacionale i dërgoi pyetje AKK-së.

Ky i fundit, megjithëse kishte marrëdhënie familjare me Halil Jahajn, pronarin e kompanive Infratek (në të cilën zyrtarisht pronare është gruaje e tij) dhe Alfa-I, ishte pranuar në punë si këshilltar financiar.

Kompanitë në fjalë kishin bashkëpunuar me Ministrinë e Infrastrukturës, çka ngriste dyshime të bazuara mbi mundësinë e interferimit me motive personale nga këshilltari në fjalë.

Në një tjetër dokument të prezantuar nga gazetari i Nacionales, Berat Buzhala, tregohej se si një tender i dhënë nga Qeveria Hoti në Ministrinë e Infrastrukturës ishte anuluar gjatë Qeverisë Kurti II dhe në të cilin kompania Alfa-I kishte humbur.

Të pyetur nga Gazeta Nacionale nëse kishin ndërmarrë veprimet e duhura, nga Agjencia Kundër Korrupsionit kanë dhënë një përgjigje paksa të çuditshme:

"Agjencia kundër Korrupsionit ka pranuar informatën nga ana juaj dhe do ta trajtoj brenda kompetencave ligjore të AKK-së,” thanë nga AKK.

Deputeti i VV-së i ashpër ndaj Qeverisë, nuk e përjashton dorëheqjen

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, në një intervistë për Tëvë 1 ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati duhet të mendojë shumë më kthjellët për sa i përket çështjes së veteranëve.

Ministri i Financave duhet me mendu shumë më kthjellët. Nuk ka të drejtë me i detyru veteranët me i pastru listat sepse i ka bërë Qeveria”, tha ai.

Humolli shtoi se ka një përshtypje që ministri Murati ka ndjenja për kombin.

Por ky ministër po kam përshtypje sikur është teknicist i ftoftë që nuk ka ndjenja as për kombin as për vlerat”, u shpreh Humolli.

Ai ka deklaruar se nuk e përjashton dorëheqjen nga pozita e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, poashtu ka qenë pre e kritikave të Humollit, duke thwnw se kryeministri Kurti është dashur t’i kryejë disa punë të ministres Donika Gërvalla.

Është dashur që ministria e Punëve të Jashtme të jetë shumë më dinamike, është dashur që kryeministri të kryejë shumë punë të ministrisë së Punëve të Jashtme (të zonjës Gërvalla). Punët që është dashur t’i kryejë ministrja po duhet t’i kryejë kryeministri.”, tha Humolli.

Për herë të parë, Mali i Zi në samitin e Ballkanit të Hapur

Me bashkimin e Malit të Zi, tashmë “Ballkani i Hapur” është zgjeruar edhe më shumë. Në Ohër, ku po mbahet takimi i vendeve anëtarë, po merr pjesë si vëzhguese edhe Bosnja e Hercegovina. Jashtë kësaj nisme rajonale ka mbetur veç Kosova, që po ‘vallëzon’ e vetme kundër “Ballkanit të Hapur”.

Drejt qytetit turistik të Maqedonisë së Veriut kanë udhëtuar kryeministri Edi Rama, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Të martën në Ohër u mbajt një darkë pune, ndërsa të mërkurën pritet të nënshkruajnë katër marrëveshje bashkëpunimi për luftimin e evazionit fiskal, njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunimin kulturor dhe bashkëpunimin turistik, raporton REL.

Rama ka publikuar disa fotografi gjatë qëndrimit në Ohër, ku edhe zyrtarizoi futjen e Malit të Zi në këtë nismë.

Postimi e Ramës gjatë qëndrimit në Ohër nuk u pritën aspak mirë nga komentuesit.

Ajo çka u vu re, është që menjëherë pas postimit vërshuan komentet negative të cilët e ‘gozhduan’ kryeministrin shqiptar.

Pjesëmarrës në samitin e Ohrit janë edhe përfaqësues të Bosnjës e Hercegovinës (në rolin e vëzhguesit), të cilët kanë shprehur dëshirën për t’iu bashkuar “Ballkanit të Hapur”.

Pjesë e këtyre takimeve u pa edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, që është njëri nga njerëzit kryesor të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe njohës i shkëlqyer i problemeve ballkanike.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq tha se kjo nismë, është më e mira në dekadat e fundit, duke shtuar se të gjithë janë të mirëpritur.

Tjera nga autori:
1