Aplikimi në Këshill të Evropës: A do të ketë proces të shpejtë apo të ndërlikuar për anëtarësim? - NACIONALE

Aplikimi në Këshill të Evropës: A do të ketë proces të shpejtë apo të ndërlikuar për anëtarësim?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një zhvillim i rëndësishëm më në fund ka ndodhur në Kosovë. Shteti ynë ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Entuziazmi kësaj here është paksa më i vogël, marrë parasysh dështimin e papritur të vjeshtës së vitit 2018 për anëtarësim në Interpol. Por, a do të jetë fare i lehtë anëtarësimi siç po thuhet apo procesi do të jetë – si gjithçka tjetër e lidhur me Evropën – më i ndërlikuar?

Këshilli i Evropës ka 46 vende si anëtare të saj, pra gati krejt shtetet e kontinentit. Hartën e vendeve anëtare mund ta shihni më poshtë, edhe pse ajo duket se prezenton çuditshëm hartën e Kosovës (shpresojmë të mos merret parasysh nga gjeografët e së ardhmes për ndonjë çështje si demarkacioni me Malin e Zi).

Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, por ka aftësinë për të shtyrë përpara zbatimin e marrëveshjeve të caktuara ndërkombëtare të arritura mes shteteve anëtare për tema të ndryshme. Trupi më i njohur i këtij Këshilli është Gjykata Evropiane për Të Drejta të Njeriut.

“Përfitimet e anëtarësimit në KE janë më shumë politike, sesa që janë ekonomike, ligjore apo sociale. Anëtarësimi i Kosovës në KE rrit mundësinë që Kosova të mbrojë qytetarët e saj që kanë probleme të natyrave të ndryshme në vendet jashtë Kosovës e që janë anëtare të KE-së”, shkruhet ndër tjerash në një raport të Institutit GAP për këtë çështje.

Anëtarësim i lehtë?

Aktivisti evropian për të Drejta të Njeriut, Andrew Forde, ka komentuar mbi aplikimin e Kosovës në KE.

“Kjo do të jetë një pikë e diskutimeve (informale) në takimin e ministrave të BE-së në Torino javën tjetër. A do të jetë ky një proces i pranimit të shpejtë – marrë parasysh rrethanat – apo fillimi i procesi përçarës e të gjatë? Koha do ta tregojë”, ka shkruar ai.

Për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosovës do t’i nevojiten 2/3 e votave. Edhe pse nuk dihet nëse do të na mbështesin të gjitha shtetet që na kanë njohur ose jo, në Kosovë anëtarësimi ka sjellë një frymë uniteti.

Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së, u shpreh optimiste për pranimin e anëtarësimit në KE.

“Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Europës. Ne i plotësojmë të gjitha kriteret dhe tani, me Rusinë e përjashtuar nga organizata, rruga jonë duhet të jetë e qartë”, ka shkruar ajo në Twitter.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar lajm të mirë për Kosovën aplikimin në fjalë.

Por, megjithatë çështja nuk duket të jetë krejtësisht e lehtë.

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Avdi Smajlaj, ka kërkuar (sic) lobim të fuqishëm edhe te vendet që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.

“Përvoja e aplikimit për anëtarësim në Interpol, ndër të tjera, ka dëshmuar praktika të tilla, ku shtete që na kanë njohur kanë abstenuar e ka që kanë qenë kundër. Shto kësaj, pasivitetin e pashpjegueshëm të politikës së jashtme kohëve te fundit, dhe ndryshimin e theksuar të rrethanave në politikën ndërkombëtare, jo në favorin tonë. Më me prioritet do të duhej të ishin vizitat në këto shtete anëtare sesa në Amerikën Latine”, ka shkruar z. Smajlaj.

Por, Gërvalla megjithatë është treguar aktive. Të paktën fizikisht. Ajo ka dorëzuar aplikimin fizikisht në Strasburg për vendin tonë, gjë e cila ndoshta ndihmon edhe më shumë gjasat tona.

“Sa i përket pranimit të shteteve të reja anëtare në KE, neni 3 i Statutit të KE-së thotë se çdo shtet evropian duhet t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe parimet e shtetit ligjor. Çdo shtet evropian i cili plotëson parimet e nenit 3 të statutit të KE-së, mund të ftohet që t’i bashkohet KE-së. Në Rregulloren e punës së Këshillit të Ministrave, respektivisht në nenin 25, thuhet se për t’u marrë në konsideratë anëtarësimi i një shteti të ri në KE, iniciativa duhet të vijë nga një shtet anëtar i KE-së dhe propozimi për këtë duhet të futet me kohë në agjendë për mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave të Jashtëm”, shpjegonte procedurën GAP-i.

Probleme nga brenda?

Përtej lobimit të fuqishëm, Kosova mund të ketë edhe probleme në shtëpi në mënyrë që të fitojë simpati për anëtarësim.

Draft-Kodi Civil së fundi dështoi të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës përkundër mbështetjes deklarative nga kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij. Mollë sherri për moskalimin e Kodit Civil ishin bërë bashkësitë e regjistruara civile për personat e seksist të njëjtë. Pra, bashkëjetesat mes personave të seksit të njëjtë. Madje, në Kuvendin e Kosovës kishte pasur edhe fjalime homofobe.

Nacionalja pyeti z. Forde nëse kjo çështje mund të bëhej problem për anëtarësimin e Kosovës në KE dhe i cili nuk beson që kjo çështje mund të prish punë.

“Nuk ka shumë gjasë që kjo çështje të prishë punë, por me siguri do të përmendet në raportin e Raportueses mbi anëtarësimin potencial të Kosovës, dhe Kosova do të kritikohet për këtë gjë”, tha ai.

Më tej, ai e konsideronte të rrezikshëm edhe intensifikimin e fushatës potenciale të Serbisë për mos-anëtarësimin e Kosovës.

“Nga perspektiva ime (si observues i largët) shoh shumë rreziqe për Kosovën. Reagimi nga Beogradi do të jetë intensiv. Në tjetrën anë, mendoj që Kosova ka argumente të forta për anëtarësim dhe përnjëmend i ka numrat e kërkuar nëse çështja shkon në votim. Megjithatë, nuk do të mbështetesha vetëm te loja e numrave, sepse të gjithë e dimë se çka ndodhi me votimin në Unesco para disa vitesh”, vijon ai.

Nëse do të pranohemi me procedura të përshpejtuara ose me procedura normale e të komplikuara mbetet të shihet. Por, ajo që dihet është se Kosova herët a vonë do të jetë pjesë e Këshillit të Evropës.

Lajme të ngjashme