<b></b> Arsyet ende të paqarta: Çka dihet deri tash për aksidentin e autobusit me kosovarë në Austri?

Arsyet ende të paqarta: Çka dihet deri tash për aksidentin e autobusit me kosovarë në Austri?

19.05.2022 13:54

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, një autobus nga Kosova është aksidentuar në Salzburg të Austrisë, ku mbetën të lënduar 19 persona, tre prej të cilëve pësuan lëndime më serioze. MPJD e Ambasada e Kosovës në Austri, kanë thënë për Nacionalen se gjendja e të lënduarve është stabile dhe vetëm një prej tyre po vazhdon trajtimin në spital.

Çka dihet deri më tani?

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një autobus nga Kosova është aksidentuar në Salzburg të Austrisë, ku mbetën të lënduar 19 persona.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës [MPJD], për Nacionalen bëri të ditur se tetë pasagjerë kanë kërkuar ndihmë dhe prej tyre vetëm një nga ta po vazhdon të mbetet në trajtim mjekësor.

Në aksident ka pasur disa të lënduar, asnjë të vdekur. Sipas spitalit të Salzburgut, 8 kanë kërkuar ndihmë, dhe aktualisht vetëm një mbetet ende, të tjerët kanë udhëtuar tutje”, ka thënë Sharr Jakupi, Shefi i Kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Më tej, Jakupi ka thënë se ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana, ka dalë në vendin e ngjarjes ku është aksidentuar autobusi.

Ambasadori, z. Lulzim Pllana, ka shkuar në vendin e ngjarjes ku edhe është aksidentuar autobusi, dhe është duke ofruar mbështetjen e ambasadës sonë në Austri për të gjithë të lënduarit dhe familjet e tyre”, ka shtuar ai.

Edhe pse u raportua se të paktën tre të lënduar janë në gjendje të rëndë, nga Ambasada kanë thënë se të gjithë të lënduarit janë në gjendje stabile.

Madje, edhe ambasadori i Kosovës ka dalë për t’u ndihmuar qytetarëve.

Ju njoftojmë se gendja e të lënduarve është stabile. Ambasadori i Kosovës në Austri, z. Pllana, tashmë është afër dhe po mundohemi që të asistojmë qytetarët tanë”, kanë thënë edhe nga ambasada për gazetën Nacionale.

Në anën tjetër, nga kompania “Armendi Tours” kanë thënë se pasagjerët kanë lëndime të lehta dhe se gjatë udhëtimit kanë qenë tre shoferë.

Cilat janë dyshimet e para të aksidentit?

Një autobus nga Kosova, që ishte nisur drejt Hanoverit të Gjermanisë, është përplasur në mbrojtëset anësore të rrugës afër qytezës Eugendorf të Austrisë, e cila ndodhet afër Salzburgut, pranë kufirit me Gjermaninë.

Aksidenti ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit mes kryqëzimeve Salzburg-Nord dhe Walersee. Ajo pjesë momentalisht është zonë ndërtimi. Zëdhënësi i policisë, Hans Wolfgruber, tha se me gjasë, autobusi është përplasur në mbrojtësen anësore të betonit për arsye që janë ende të paqarta.

Sipas raportimeve të para, deri te aksidenti ka ardhë për shkak të pakujdesisë së shoferit.

Mediat austriake shkruajnë se shkaku i aksidentit tash është i qartë. Shoferi i autobusit i tha policisë se kishte tejkaluar një kamion.

Pastaj, ai u befasua nga zona e ndërtimit dhe nuk mundi ta shmangte. Nuk dihet nëse shoferi e ka respektuar kohën e vozitjes dhe pushimit.

Autostrada u mbyll për një kohë të gjatë në zonën e aksidentit.

Vozitja vazhdoi me një autobus zëvendësues. Kompania e autobusëve nga Salzburgu, “Albus”, ofroi një autobus për t’i dërguar personat e prekur nga aksidenti në destinacionin e tyre – te familjet dhe miqtë e tyre në Mynih, Shtutgart dhe Hanover.

23 udhëtarët e tjerë u larguan para mesditës për në destinacionin e tyre.

Sipas Kryqit të Kuq, pesë udhëtarë ndodhen ende nën trajtim spitalor. Në mesin e tyre janë tre të lënduar seriozisht, tha komandanti rajonal i shpëtimit në Flachgau, Hermann Gerstgraser.

Tre të lënduarit seriozisht janë trajtuar nga ekipet e mjekëve emergjentë. Dy prej tyre u dërguan në spitalin për aksidente në Salzburg, nën kujdesin e mjekëve emergjentë, ndërsa i treti në spitalin shtetëror”, tha ai.

Vendi i aksidentit u pastrua plotësisht rreth mesditës të së enjtes.

P Ë R D I T Ë S I M: 

Një përgjigje e re ka ardhur nga z. Sharr Jakupi nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në redaksinë e gazetës Nacionale.

Ajo thotë si vijon: 

"Autobusi është nisur nga Tirana dhe ka ndaluar në Kosovë, ku kanë hipur tre shtetas kosovarë.

Nga 8 persona që kanë kërkuar ndihmën mjekësore, 5 prej tyre (1 shtetas Rep. e Kosoves, 4 nga Rep. e Shqiperise) ndodhen në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

MPJD dhe ambasada jonë në Austri janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet relevante lokale dhe institucionet kosovare.

Sipas listes, gjithsej kane qene 25 pasagjere, 3 nga Kosova dhe 2 shofere dhe nje percjelles nga kompania."

Tjera nga autori:
1