<b></b> BE-ja zhgënjen Maqedoninë e Shqipërinë, kryeministrat e tyre dhe presidenti serb qahen së bashku

BE-ja zhgënjen Maqedoninë e Shqipërinë, kryeministrat e tyre dhe presidenti serb qahen së bashku

23.06.2022 15:31

Bashkimi Evropian nuk do të hapë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke shkaktuar një zhgënjim të madh në mbarë rajonin dhe duke e dhënë një ogur të keq për heqjen e mundshme të vizave për Kosovën.

Në një konferencë për shtyp ku morën pjesë liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, u denoncuan ndasitë që ekzistojnë brenda Bashkimit Evropian në lidhje me çështjen e zgjerimit.

BE-ja për vendimin që të mos hapte negociatat e anëtarësimit ka dhënë arsyen e problemit të pazgjidhur mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por kjo është kontestuar nga kryeministri maqedonas Kovaçevski dhe nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

“Nuk është Bullgaria arsyeja. Bullgaria është për turp. Arsyeja është procesi i prishur i zgjerimit,” – u shpreh fillimisht kryeministri i Republikës së Shqipërisë.

I ashpër me Bashkimin Evropian ishte edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Darko Kovaçevski.

“Do të jem i qartë: ajo që ka ndodhur tash është një humbje e kredibilitetit nga ana e Bashkimit Evropian. Po e them në emër të maqedonëve dhe shqiptarëve por edhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor. Nuk duhet të ngecim për shkak të problemeve tuaja,” – u shpreh ai.

Në anën tjetër, edhe Vuçiq u shpreh përkrahës i hapjes së negociatave për anëtarësim për dy vendet fqinje.

“Unë besoj se miqtë  tanë nga Tirana dhe Shkupi e meritonin të merrnin hapjen e negociatave dhe mendoj se do ta marrin sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk është vetëm kërkesë formale, por është  diçka e nevojshme, sepse të dy vendet kanë bërë gjithçka në përputhje me rregulloret evropiane. Pra i kanë përmbushur të gjitha kërkesat,” - ka thënë Vuçiq.

Por, edhe Edi Rama vazhdoi retorikën e tij duke mbrojtur Serbinë në lidhje me mos-vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Ai u shpreh se BE-ja nuk duhej ta rriste presionin shumë ndaj Serbisë, në mënyrë që të mos nxiste kthimin e saj të plotë kah Rusia.

Liberalizimi i vizave

Nëse është për t’i besuar, Vuçiq tha se ndër vendimet e Samitit të BE-së ishte edhe që të mos i liberalizoheshin vizat Kosovës.

Në tjetrën anë, kryeministri shqiptar Edi Rama, në konferencën për shtyp u shpreh se kishte kërkuar heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

“U shpreha dhe thashë dy gjëra: ka një tjetër pengmarrje në proces që është pengmarrja e qytetarëve të Kosovës që nuk lejohet të lëvizin lirisht në Evropë. Është popullata e vetme në Evropë që nuk lëviz lirisht. A mund ta përfytyroni ata ishin nën diktaturën Jugosllave. Qysh kur u liruan, çlirimtarët e tyre po i mbajnë peng, ata nuk mund të lëvizin. Kjo është çmenduri, e turpshme dhe kjo duhet të marrë fund e njerëzit të lëvizin lirisht.” – u shpreh z. Rama.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ishte pjesë e konferencës së përbashkët por u shpreh se kishte marrë mbështetje nga liderët e vendeve anëtare të BE-së për çështjen e liberalizimit të vizave.

Tjera nga autori:
1