<b></b> Besnik Boletini e Ngadhnjim Kastrati

Besnik Boletini e Ngadhnjim Kastrati "përplasen" për raportin e auditimit të RTK-së

08.06.2022 23:26

Pak ditë më parë Zyra Kombëtare e Auditimit publikoi raportin e auditimit të pasqyrave financiare dhe atë të performancës për Radio Televizionin e Kosovës.

Sipas këtij raporti, në këtë institucion ndër vite janë regjistruar disa parregullësi, përcjell Gazeta Nacionale.

Lidhur me këtë, sonte kanë debatuar kryetari bordit aktual të RTK-së, Besnik Boletini dhe ish-drejtori i përgjithshëm, Ngadhnjim Kastrati.

Përderisa i pari tha se janë të kënaqur me gjetjet, ky i fundit shtoi se përgjatë gjithë rrugëtimit të tij në RTK, stabilizimin financiar të institucionit e ka pasur synim parësor.

Debatin e bënë në "Kallxo Përnime", teksa shpalosën detaje pas publikimit të këtij raporti.

Fillimisht Boletini, tha se ky raport vjen në momentin kur janë bërë gjashtë muaj nga marrja e detyrës. Tutje shtoi se e mirëpritën mirë këtë auditim, ndërsa pohoi një takim me auditoren para auditimit të përgjithshëm.

"Nuk jemi befasuar, sepse raporti po vjen pas gjashtë muajve që ne tashmë e kemi marrë mandatin. Për këtë periudhë gjashtë mujore kemi evidentu këto paregullësi, po edhe parregullësi të tjera të shumta, të cilat i kemi evitu, i kemi rregullu një pjesë të madhe dhe disa prej gjetjeve që janë në këtë raport tashmë janë të zgjidhura nga bordi dhe menaxhmenti aktual në detyrë.

Ajo që mund të them është se ne e kemi mirëpritur jashtëzakonisht shumë mirë këtë auditim. Në fillim të auditimit kemi pasë një takim me auditoren e përgjithshme. Kemi dashur ta shohim qasjen e tyre profesionale. Kjo është një ndihmesë jashtëzakonisht e madhe. Sigurisht se do të angazhohemi edhe për disa çështje që janë më specifike", tha Boletini.

Në anën tjetër, Kastrati shtoi se ishte për 16 vite pjesë e RTK-së, porse ankohet për mostransparencë të auditimeve nga vitet e mëparshme.

"Unë kam dhënë përgjigje. I kam dërguar edhe menaxhmentit aktual, për secilën gjetje. Të njëjtën ia kam dërguar edhe auditores së përgjithshme, zonjës Spanca, të cilën e kam takuar qysh në ditën kur e kam marrë mandatin dhe e cila ka audituar RTK-në dhe nuk e ka publikuar raportin e auditimit të vitit 2018 i cili është në zyret e auditimit dhe atyre institucioneve përkatëse, që t'i shohin cilat kanë qenë ato rekomandime të cilat është dashur që të plotësohen nga RTK-ja.

Pra, zonja Spanca ka qenë në takim me mua në vitin 2019, por kemi diskutuar për raportin, por nuk i di rekomandimet. Madje nuk i kam pasur as përgjigjet se pse nuk është publikuar ai raport. Sa i përket vitit të fundit, e kam zbritur borxhin, kjo ësht periudha për katër muajt e parë, sepse ata të tjerë kanë qenë me udhëheqës tjetër. Por, jam i kënaqur me menaxhimin e financave. Situata aktuale financiare është e kënaqshme", tha ndër të tjerash Kastrati.

/Nacionale/

Tjera nga autori:
1