Botë e krimit: Gërvalla sulmonte ashpër edhe Rexhep Selimin, jo veç Thaçin e Veselin - NACIONALE

Botë e krimit: Gërvalla sulmonte ashpër edhe Rexhep Selimin, jo veç Thaçin e Veselin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Donika Gërvalla-Schwarz është ministre e Punëve të Jashtme që po akuzohet se përsëri ka nënçmuar kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për lirinë e vendit. Kjo akuzë e re po vjen pas urimit që ajo e bëri me rastin e Ditës së Çlirimit (12 Qershorit). Por, Gërvalla kishte pasur shumë probleme edhe me Rexhep Selimin e Vetëvendosjes.

Duke u ndier e zemëruar, ajo shkruante më 25 mars të vitit 2020 – ditën kur do të shkarkohej Qeveria Kurti I – se ishte e gërditshme që Rexhep Selimi të fliste për “shtetin e së drejtës”.

“Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e diskredituara të botës së krimit.”

Gërvalla besohet se tashmë e ka fshirë këtë postim, por megjithatë nuk e ka fshirë edhe një postim tjetër në të cilin e lidh ish-liderin e UÇK-së dhe të grupit parlamentar të Vetëvendosjes me krimin.

Ministrja e Jashtme kishte shkruar edhe katër ditë pas votimit të Qeverisë Kurti I në lidhje me Rexhep Selimin, ku shkruante si vijon:

“Nëse mund t’u besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së. Ky do të ishte sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës.”

Selimi do të zgjidhej tamam shef i Grupit Parlamentar të VV-së, siç kishin raportuar mediet, dhe do të mbetej sot e kësaj dite. Aktualisht, pozicionin e tij e ushtron (si ushtruese e detyrës) kryetarja e Alternativës për Kosovën, znj. Mimoza Kusari-Lila.

Ky postim i fundit nga Gërvalla ende nuk është fshirë nga llogaria e saj në Facebook.

Në lidhje me këto qëndrime nuk ka pasur asnjëherë reagim nga ana e deputetes, Shqipe Selimi Mehmeti, gruaja e Rexhep Selimit.

Gjatë ditës së djeshme, Selimi – anipse anëtare e VV-së – përmendi në disa raste UÇK-në në urimin e saj.

“Lufta e UÇK-së dhe ndihma e miqve bënë që e drejta të fitojë mbi padrejtësinë, që të fitojë e mira mbi të keqen, që të fitojl Kosova kundër Serbisë”, shkruante ajo.

Rexhep Selimi i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje që në vitin 2010, kur edhe arriti për herë të parë të bëhej deputet nga radhët e saj.

Qeveria Kurti II është akuzuar vazhdimisht për ushqyerjen e sentimenteve anti-UÇK, e më së fundi edhe me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, më 12 qershor, ku eksponentë të saj nuk përmendën fare luftën e bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Donika Gërvalla në lidhje me ligjërimin e fundit të saj është kritikuar edhe nga mbështetësi i Vetëvendosjes, Jusuf Thaçi, në një status të titulluar "Luftën me UÇK-në e keni të humbur!"

Tema e fundit që ka tensionuar raportet mes partive të dala nga lufta si PDK e AAK dhe Vetëvendosjes është edhe ajo e rritjes së pensioneve për veteranët e UÇK-së në kuadër të Ligjit për Pagën Minimale. VV ka propozuar një ProjektLigj në të cilin nuk përfshihej kategoria e vetaranëve, gjë që ka shkaktuar edhe protestën e javës së kaluar, në të cilën ndër tjerash pati edhe hedhje të gazit lotsjellës.

Kujtojmë se katër prej ish liderëve të UÇK-së, përfshirë Rexhep Selimin, po vazhdojnë të mbahen në paraburgim që nga tetori i muajit 10 tetor.

Lajme të ngjashme