<b></b> Brendimi i Kosovës dhe Sunny Hill Festival

Brendimi i Kosovës dhe Sunny Hill Festival

16.06.2022 15:03

Shkruan Abit Hoxha

Tashmë, në interpretimin publik në Kosovë dhe gjetiu nëpër media sociale, ka dy interpretime për tërheqjen e Sunny Hill Festival nga Prishtina për në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë. Këto interpretime mund të grupohen në përkrahësit e (mos)vendimit të qeverisë për ndarjen e lokacionit për festivalin, dhe atyre që mendojnë se është një humbje e madhe e Kosovës ikja e këtij festivali. Unë qëndroj me grupin e fundit që mendon se humbja e Kosovës është më e madhe sesa mbajtja e një prone publike.

Ky festival ka sjellë artistë me famë botërore në Prishtinë, e cila që nga koncerti i 50 Cent, nuk pa koncert të mirëfilltë, deri në ardhjen e Miley Cyrus përmes miqësisë së Dua Lipës me të. Kjo miqësi solli një yll jo pak të njohur në botë në Prishtinë duke marrë vëmendjen e Ballkanit ku koncertet e llojit të tillë ndodhin në Beograd dhe më tutje në veri. Njëjtë ndodhi edhe me DJ të famshëm si Garrix dhe Harris. Pra, Sunny Hill Festival krijoi një dritare në botën e muzikës dhe artit që Kosova nuk e kishte.

Në kontekstin social, duke studiuar fenomenet si ekstremizmin e dhunshëm dhe dukuritë tjera negative, studiuesit flasin shpesh për mungesën e prekjes së globalizmit në jetërat periferike. Kosova si periferi, është prekur shumë nga ky fenomen duke eksportuar dhunë në Shtetin Islamik. Rekrutimet e ndodhura në Kosovë tregojnë se mungesa e perspektivës, mungesa e komunikimit dhe hapjes së shoqërisë janë ndër faktorët që nuk duhen neglizhuar pas faktorëve kryesorë. Pra, një i ri apo e re, që është lindë në Kosovë pas vitit 1999, ka pasur mundësi të shohë koncerte të tilla sikurse këto të organizuara nga Sunny Hill Festival, vetëm në televizion. Me pamundësi të udhëtimit, Sunny Hill Festival bëhet edhe më relevant për Kosovën.

Por një aspekt politik që lidershipi i Kosovës nuk e ka shqyrtuar deri më tani, është ai i brendimit të Kosovës. Teknika e aplikimit të marketingut në aspektin e diplomacisë dhe politikave ndërkombëtare duke vënë në pah ngjarjet, ekonominë, eksportet, investimet, turizmin e kulturën pothuajse si produkte të vendit. Me brendim të vendit, vihen në pah vlerat që mund të rrisin turizmin, investimet dhe ekonominë, por edhe të përmirësojnë marrëdhëniet ndërkombëtare me fqinjë apo shtete tjera.

Kosova ka pasur deri më tani vetëm një tentim për brendim. Fushata “Kosovo, the Young Europeans” u financua nga Qeveria e Kosovës si fushatë në kuadër të brendimit të Kosovës dhe rritjes së njohjeve, dhe deri diku, ishte efektive. Media që nga Amerika dhe Europa, kapën këtë slogan duke e bërë pjesë të storjeve të ndryshme mediale dhe përfoljes si kampanjë brendimi.

Brendimi i Kosovës në botë nuk është i mirë. Përgjithësisht njihet si vend i post-konfliktit dhe si vend që ka probleme. Kudo në EU, studentët që dëshirojnë të shkojnë në Kosovë, paralajmërohen për potencialin e dhunës, dhunën ndëretnike, dhe probleme tjera që janë të pranishme apo perceptohen si të tilla. Natyrisht, kjo ka konsekuenca në perceptimin e Kosovës.

Brendimi tjetër i Kosovës vjen pa konsekuenca financiare për Kosovën dhe me pak meritë nga Kosova. Ky brendim vjen nga yjet që vetëidentifikohen si nga Kosova dhe shembulli më i mirë i brendimit është Dua Lipa, e cila është edhe bartësja artistike e Sunny Hill Festival që iku nga Prishtina këtë javë për të vazhduar me këtë festival në Tiranë. Brendim të tillë i kanë sjellë Kosovës edhe Rita Ora dhe Era Istrefi. Kosova gjithashtu fitoi shumë me dy ngjarje tjera kulturore që e vendosën në hartën e filmit dhe artit. Filmi Shok dhe filmi Zgjoi e bënë botën të flasë për Kosovën, dhe kjo ka shumë rëndësi në diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Për koincidencë, pas një dite pune të gjatë në qytetin e Gisenit në Ruandë, në vitin 2016, po flisja për Kosovën me disa kolegë nga Republika Demokratike e Kongos, Burundi dhe Ruanda. Si ta kisha porositur, fillojnë tingujt e këngës së Era Istrefit “Bonbon” dhe shpjegimi se ku qëndron Kosova (në vitin 2016) ishte fare i lehtë falë këtyre tingujve. Pra, brendimi i Kosovës në botë vjen falë dëshirës së madhe të të gjithë artistëve dhe sportistëve, më tepër se politikanëve. Një ilustrim i tillë është kur një zëvendës-ministër potencoi se si nuk i duhet Kosovës njohja nga Burundi, dhe ky i fundit tërhoqi njohjen automatikisht.

Sunny Hill Festival është brendim i Kosovës si vend. I tërë lidershipi vendimmarrës duhet të kuptojë se Kosova ka shumë pak çka t’i ofrojë skenës botërore, dhe humbja e Sunny Hill Festival është humbje e madhe politike në projektin e Kosovës si vend demokratik dhe bashkëkohor. Sunny Hill, ka qene ngjarja kulturore më e rëndësishme në Kosovë si ‘nation branding’ për Kosovën, së bashku me DokuFest-in, dhe lidershipi vendimmarrës duhet vetëm të prioritizojë këto dy ngjarje në Kosovë.

Brendimi i Kosovës është mëse i domosdoshëm. Veprimet artistike janë gjithashtu politike dhe diplomatike, deshtëm apo nuk deshtëm, dhe shteti vetëm mund të korrë suksese apo të injorojë këto suksese, ndërsa humbje nuk ka. Përkthimi i diplomacisë së artit dhe sportit në diplomaci digjitale dhe marrëdhënie më të mira ndërkombëtare duhet të jetë strategji për punët e jashtme, por këto punë të jashtme duhet të jenë refleksion i punëve të brendshme. “Shpëtimi” i17 hektarëve po kornizohet si fitore, por humbja është e paparë.

Për të manifestuar magnitudën e ndikimit të Dua Lipës, duhet thënë se ajo tani ka më shumë se 84 milionë ndjekës në Instagram, dhe po aq dëgjues mujorë në Spotify, që bëjnë më shumë se Papa dhe Joe Biden së bashku. Kapitalizimi social i platformave digjitale është aty, por sa do të mund që Kosova ta zotojë këtë kapital social dhe ta përkthejë në përfitim edhe financiar e politik, mbetet për të dëshiruar. Sunny Hill Festival mbetet vetëm një mundësi e humbur për Kosovën në nevojën për brendim të vendit. Sunny Hill Festival-it nuk iu dha një hapësirë për shkak të mbrojtjes së tokës nga pikëpamja agrare.

Tjera nga autori:
1