Çele guri gojën, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku ende asnjë fjalë për aferën "Jaranat e Liburnit"
PDK, LDK e AAK është opozita parlamentare e Kosovës. Posaçërisht dy më të mëdhat, PDK e LDK, kanë zgjedhur një opozitë “pa gjak” e pa shumë entuziazëm kundër Qeverisë Kurti. Për shumë tema, dy liderët e opozitës, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së, zgjedhin vetëm rrjetet sociale për të kundërshtuar pushtetin. Dhe, konferencat për media. Ata janë të heshtur edhe karshi krye-temës së muajit qershor: aferës së Liburn Aliut.
Heshtja e tyre shpeshherë është e çuditshme, teksa metoda e opozitbërjes është aspak kreative.
Njëjtë, pa reagim Krasniqi e Abdixhiku janë edhe pas ‘shpërthimit’ të skandalit në Ministrinë e Infrastrukturës.
Ndonëse kanë kaluar 5 ditë që kur Gazeta Nacionale ka publikuar aferën “Jaranat e Liburnit”, lideri i PDK-së e LDK-së ende nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë çështje.
Prej 1 qershorit, data kur u publikua afera “Jaranat e Liburnit”, Krasniqi i PDK-së ka postuar saktësisht 8 postime në Facebook. Ai ka shkruar për ditën e fëmijve, për veteranët, për kombëtaren e Kosovës, Ditën e Mjedisit e ka uruar Bajram Begun për postin e presidentin të Shqipërisë.
Ai ka prezantuar edhe udhëheqësit e departamenteve të kabinetit të “Qeverisjes së mirë”, të cilën PDK e themeloi si alternativë kundrejt qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
Por, Krasniqi nuk e ka shkruar asnjë GERMË për skandalin e Minsitrisë së Infrastrukturës, ku përfshihen dajallarët e Florent Ramqajt, këshilltarit të Liburn Aliut, që udhëheqë me këtë ministri.
Ndryshe nuk është as i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Prej 1 qershorit, Abdixhiku ka shkruar disa statuse (pesë në total). Kryetari i LDK-së në Facebook ka shkruar për shumë tema, përfshirë një takim diku në male me kryetarin e Pejës e atë të Lipjanit, me mbishkrimin “mes dy kampionëve”.
Por, Bjeshkët e Rugovës, ku e kaloi një pjesë të vikendit Abdixhiku, duket se nuk e kanë ‘trimëruar’ atë. Ajri i pastër i maleve të Kosovës nuk ia ka ‘kthjelluar’ mendjen të parit të LDK-së, që të shkruaj ndonjë gjë në lidhje me aferën e madhe të Aliut.
Kujtojmë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që për kryetar zgjodhi përsëri Ramush Haradinajn, ishte e “rrufeshme” në reagimin e saj.
Pak minuta pas publikimit të skandalit, kjo parti nëpërmjet zëdhënësit të saj kishte bërë publik qëndrimin e tyre.
“Pas skandalit 120 milionësh të ambasadorit Berishaj, gazetaria hulumtuese filloi të zbardh korrupsionin astronomik në Ministrinë e Liburnit dhe ati Durmishit. Kur kryetari Haradinaj, para rreth 1 viti, filloi të shpjegonte për tenderët një burimor të kësaj ministrie, e majta ekstreme i kundërvihej me demagogji, ashtu siç e kanë zanat”, kishte shkruar Lulëzim Blaka.
Reagime sa për sy e faqe
PDK e LDK ka reaguar shumë ftohtë në lidhje me aferën e publikuar.
Partia e dytë më e madhe në vend, LDK një ditë pas aferës i ishte përgjigjur Nacionales në lidhje me aferën “Jaranat e Liburnit”.
Partia opozitare kishte deklaruar se “po e përcjellin me shqetësim ngjarjen”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është duke e përcjellë me shqetësim ngjarjen e fundit të raportuar nga mediat lidhur me skandalin e ryshfetit, i cili ka të bëjë me 30 mijë euro ryshfet veç për dërgimin e një emaili tek autoritetet se është kryer puna nga kompania ‘Infratek’ në rrugën Gjakovë-Dollc” – thuhet në përgjigjen e kësaj partie politike për Nacionalen.
Ndërsa, në një konferencë për media, Eliza Hoxha, deputete e PDK-së, kishte kërkuar dorëheqjen e Aliut nga posti qeveritar.
“Një të tillë e kemi parë jo më larg se para dy ditësh nga hulumtimi i gazetës Nacionale, ku janë prezantuar fakte e dëshmi të marrëveshjeve të kundërligjshme mes akterëve, të cilët kanë për referencë anëtarë të ngushtë të Kabinetit të Ministrit Aliu. Pra, pushteti i Qeverisë Kurti, Ministrinë e Infrastrukturës dhe jo vetëm, e ka shndërruar në burim të keqpërdorimit të parasë publike”, shtoi ajo.
Edhe deputetja Ganimete Musliu kishte kritikuar Aliun, duke kërkuar po ashtu dorëheqjen e tij.
“Liburn Aliu duhet me shku në shpi, me gjithë këto akuza që po I bëhen. Ai duhet me shku në shpi. S’ka kredibilitet”, ka thënë Musliu në T7.
Kujtojmë që javën që shkoi, Gazeta Nacionale publikoi aferën “Jaranat e Liburnit”, ku nëpërmjet përgjimeve autentike shpërfaqej afera korruptive e dajallarëve të Florent Ramqajt, këshilltar financiar në kabinetin e Liburn Aliut, i cili drejton Ministrinë e Infrastrukturës.