<b></b> “Çfarë Trusti, s’ka Trust”: A po e trus pauzë VV-ja për Trustin?

“Çfarë Trusti, s’ka Trust”: A po e trus pauzë VV-ja për Trustin?

22.06.2022 17:17

Përfaqësuesit e partive opozitare e kanë kritikuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, për ndërprerje të paarsyeshme të seancës së sotme, në të cilën pritej të shqyrtohet tërheqja e Trustit.

Ata kanë deklaruar se pushteti qëllimshëm po e zvarritë mbajtjen e seancës për shqyrtim e Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Konjufca ka ndërpre seancën në mënyrë arbitrare.

Me javë të tëra, kemi pa arsye dhe forma të ndryshme që është penguar për me ardh deri në votimin e kësaj pike. Pra, edhe sot në mënyrë të paprecedentë dhe në mënyrë arbitrare është ndërprerë seanca e Kuvendit, pikërisht kur ishim te pika e diskutimit të Trustit. Pra, një kërkesë rreth 695 mijë kontributpaguesve dhe në mënyrë të paprecedentë ndërpritet seanca dhe thuhet se do të vazhdojë nesër”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, në sallë kishte deputet të mjaftueshëm për vazhdimin e seancës

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, është habitur nga ndërprerja e seancës.

Ai ka thënë se edhe kësaj radhe mazhorancës i mungoi shumica. “Pat një rast që ne morëm pjesë në një votim, e votuam projektligjin, presim në çdo kohë me bashkëpunu me shumicën që me e votu tërheqjen e trustit. Ata se kishin shumicën, për shkak se nuk duan me bë marrëveshje me ne. Kuptohet ata e kanë Listën Serbe dhe ndoshta do ta kenë shumicën herën tjetër dhe do të ndodh ajo që ndodhi me veteranë, mirëpo nuk është në rregull me shku në këtë logjikë të mbivotimit kundër çështjeve që janë të ndjeshme për qytetarët”, ka deklaruar Haradinaj për “Ekonomia Online”.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ndërprerjen e seancës së sotme e ka arsyetuar me mungesë të kuorumit.

Megjithatë, ai paraprakisht disa herë deklaroi se sot nuk ka trust.

Nëse s’kalon as ligji tjetër, a e ndërpresim seancën krejt se s’ka kuptim kështu. Jo qysh? Çfarë Trusti, votoni për projektligje! Jo po e ndërpres, çfarë Trust, s’ka Trust. Ose funksionon Kuvendi ose s’funksionon. Po e ndërpres, vëlla edhe ditën e mirë. Mos boni hajgare kështu. Veç edhe këtë projektligj e votojmë edhe shkojmë kah shpia ecim”, ka thënë Konjufca.

Opozita pretendon se Qeveria po iu bën presion deputetëve të LV-së për Trustin

Para fillimit të seancës, përfaqësuesit e partive opozitare kanë bërë me dije se deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje po iu bëhet presion për shkak të projektligjit për Trustin.

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka vlerësuar se Qeveria po i shantazhon deputetët për të mos e votuar iniciativën e opozitës, e cila ua mundëson qytetarëve ta tërheqin deri në 30 për qind të trustit.

Në profilin e tij në “Faceboo”, ai ka shkruar se deputetët duhet të shohin gjendjen jo të mirë të qytetarëve dhe të votojnë pro tërheqjes se Trustit.  “Qeveria që po prodhon kaos ekonomik në Kosovë (ku pjesa dërrmuese e qytetarëve tani e kanë të rrezikuar mbijetesën) sot e paaftë për të reaguar në situata kritike që vet i ka prodhu, po mundohet me ik nga përgjegjësia para qytetarëve duke i ik temës në Kuvend dhe po shantazhojnë deputetet e vet mos me votu TRUSTIN. Nëse sot në Kuvend jemi 120 njerëz do duhej të kishim 120 vota njerëzore për TRUSTIN . Kaq qytetarët presin sot nga Kuvendi. Unë sot masdite do të shkoj në Kuvend për ta dhënë votën time për TRUSTIN posa të nis procedura e votimit”, ka shkruar Kastrati.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po bënë presin mbi deputet e tij për këtë çështje.

Gjatë seancës së sotme, Tahiri ka thënë se Kurti po iu thotë deputetëve, ose me Qeverinë, ose me opozitën.

Sot e kemi trustin. Informata që ne i kemi është se komunikimi i juaj me deputetët ka qenë ja me mua, ja me këta. Unë kërkoj nga kolegët deputet që ta votojnë trustin në lexim të parë dhe të ulemi të diskutojmë këtë temë në leximin e dytë, ashtu siç do ta diskutojmë, dhe shpresoj se do të reflektoni tek paga minimale”, ka thënë Tahiri.

Pavarësisht qëndrimeve të opozitës, pushteti është shprehur kundër projektligjit për tërheqjen e Trustit.

Ditë me parë, u.d. e shefes së Grupit Parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se nuk e përkrahin këtë iniciativë.  “Për ne s’ka dilemë tërheqja e Trustit. Kjo nuk ka të bëjë më inate politike, apo me kokëfortësi. Është kërkesë shumë e dëmshme, shkatërron një sistem pensional dhe mund të shkaktojë mbylljen e Trustit pensional. Qëndrimi ynë për tërheqjen është kundër, pasi nuk do të bëjë zgjidhje. Në këtë situatë, e shkatërron një sistem pensional. Brenda Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes nuk ka pasur asnjë zë që e ka kërkuar mbështetjen e kësaj iniciative”, ka deklaruar ajo.

 

 

 

Tjera nga autori:
1