Çitaku: Agjenda e zbehtë e Kurtit në SHBA, imazh jo i mirë për Kosovën   - NACIONALE

Çitaku: Agjenda e zbehtë e Kurtit në SHBA, imazh jo i mirë për Kosovën  

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e ka vlerësuar si shumë të zbehtë vizitën e kryeministri Albin Kurti në SHBA.

Ajo ka thënë se nuk mban mend që një udhëheqës shtetëror të qëndrojë kaq gjatë në SHBA dhe të mos e takojë asnjë zyrtar të lartë amerikan.

Në këtë intervistë për gazetën Nacionale, Çitaku ka treguar se mungesa e takimeve të niveleve të larta është imazh jo i mirë për Republikën e Kosovës.

Për këtë agjendë, ajo fajin ia ka hedhur kabinetit të kryeministrit Kurti.

Sipas saj, bartësit e institucioneve amerikane takohen me liderët kosovarë kur këta të fundit kanë agjenda konkrete.

Nacionale:

Zonja Çitaku, kryeministri Kurti që disa ditë ka filluar një vizitë zyrtare në SHBA. Si e keni parë këtë vizitë, e cila ishte paralajmëruar kohë më parë?

Çitaku:

Fillimisht, ne duhet t’i gëzohemi çdo vizite të bartëseve të institucioneve të Kosovës në SHBA. Ju e dini që SHBA-të kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë rol qenësor në fuqizimin e subjektivitetit të Republikës së Kosovës. Nëse asgjë tjetër, lufta në Ukrainë na ka demonstruar edhe më qartë se aleancat janë po aq të rëndësishme sa edhe sovraniteti.

Nacionale:

Mirëpo, deri më tani nuk kemi parë ndonjë takim të rëndësishëm të kryeministrit me zyrtarët e lartë amerikanë?

Çitaku:

Është për të të ardhur keq, dhe këtë po e them pa cinizëm, se nuk më bën të ndihem mirë as si ish-ambasadore dhe as si qytetare fakti që kryeministri i Kosovës tash që gati një javë është në SHBA dhe nuk ka asnjë takim me Sekretarin e Shtetit, me Sekretarin e Mbrojtjes, apo ndonjë takim në Shtëpinë e Bardhë.
Nuk po dua t’i nënvlerësoj takimet me diasporën, takimet me komunitetin e bizneseve atje, sepse dhe ato janë shumë të rëndësishme dhe kanë rolin e vet. Mirëpo, ato zakonisht janë zhvilluar si aktivitete paralele me agjendën dhe takimet zyrtare.

Nacionale:

Kryeministri ka paralajmëruar se në SHBA do të qëndrojë rreth dy javë. E shihni si të zakonshme këtë vizitë të gjatë?

Çitaku:

Nuk më ka ndodhur asnjëherë që një kryeministër apo president i Kosovës të qëndrojë kaq gjatë në SHBA. Nuk më kujtohet që edhe ndonjë udhëheqës i ndonjë vendi tjetër të shkojë në SHBA dhe të qëndrojë kaq gjatë. Një gjë të tillë nuk kam dëgjuar që e ka bërë dikush. Mund të shkohet për pushim në SHBA dhe këtë nuk ta ndalon askush. Mirëpo, nuk ka kuptim që të quhet vizitë zyrtare, apo vizitë pune, të qëndrojë kaq gjatë dhe të mos ketë asnjë takim zyrtar.
Ju mund të bëni ndonjë hulumtim, por unë nuk mbaj mend që dikush të vizitojë SHBA-të kaq gjatë. E di që SHBA-të i ka vizituar presidenti i Francës, kancelari i Gjermanisë dhe përfaqësuesit e shteteve më të vogla. Ish-presidenti Thaçi dhe kryeministri Edi Rama janë takuar në Shtëpinë e Bardhë. Pra, ata kanë vizituar SHBA-të, kanë zhvilluar takimet zyrtare, dhe janë kthyer. Një vizitë kaq e gjatë nuk është e rëndomtë për një lider të një shteti, e aq me tepër që nuk ka takime me Sekretarin e Shtetit, Sekretarin e Mbrojtjes dhe as me Presidentin apo Zëvendës-presidenten.

Nacionale:

Për Kosovën që SHBA-të i konsideron si partner strategjik, çka do të thotë mostakimi i kryeministrit të saj me zyrtarë të lartë të SHBA-së?

Çitaku:

Bartësit e institucioneve të SHBA-së nuk takohen as për kurtuazi dhe as për mirësjellje, ata organizojnë takime të nivelit të lartë kur ka një agjendë konkrete. Ne duhet të shqetësohemi me faktin që nuk e kemi një agjendë konkrete të koordinimit dhe bashkëpunimit me SHBA-të.

Nacionale:

Pse nuk ka ndodhur një agjendë e tillë? A ka të bëjë kjo me raportet e Kurtit me SHBA-të?

Çitaku:

SHBA-të janë superfuqi dhe ato nuk kanë asgjë personale. Është thjesht mungesa e një agjende konkrete të bashkërendimit dhe bashkëveprimit. Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve.

Nacionale:

Sa keni qenë ambasadore në SHBA, në çfarë niveli është përfshirë ambasada në organizimin e vizitave të tilla?

Çitaku:

Deri në detajin e fundit. Mirëpo ambasadori i ka fuqitë e limituara. Dhe përgjegjësia për këto gjëra nuk duhet të vihet te ambasadori atje, por te bartësit e institucioneve tona. Sepse e tëra çfarë mund të bëjë ambasadori është të dërgojë ftesë, të kërkojë takime, mirëpo këtu nuk refuzohet ambasadori, por bartësit e institucioneve.

Nacionale:

Pra, mendoni se kabineti i kryeministri është dashur ta bëjë një agjendë më konkrete?

Çitaku:

Absolutisht. Kabineti i Kurtit është dashur të jetë më i kujdesshëm, sepse Kosova nuk duket mirë kur kryeministri shkon të qëndrojë 10 ditë në SHBA dhe të mos këtë takime të rëndësishme. Sepse siç thashë, nuk më ka ndodhur të dëgjoj apo të shoh që një udhëheqës i një shteti të shkojë në SHBA dhe të qëndrojë aq gjatë. Të qëndrosh kaq gjatë në SHBA me një agjendë kaq të zbehtë, është imazh jo i mirë për Kosovën.

Nacionale:

A do të thotë kjo se një kryeministër apo president i Kosovës kur udhëton për në SHBA shkon për takime me Sekretarin e Shtetit, Sekretin e Mbrojtjes apo me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë?

Çitaku:

Po. Do të duhej patjetër që se paku ta këtë një takim të nivelit të tillë.

Nacionale:

Z. Kurti ka shkuar në SHBA pas një darke që ka pasur në Berlin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Si e keni parë këtë takim?

Çitaku:

E kam thënë edhe më herët se ne duhet t’i trajtojmë me më pak dramacitet këto takime. Kryeministri e ka për detyrë që të takohet me presidentin e Serbisë, ai e ka obligim kushtetues që ta përmbyllë dialogun. Në terë këtë situatë kryeministri nuk ka problem me ne si opozitë, por ka problem me historinë e tij, me deklaratat e tij kundër këtij procesi. Është e qartë që ai ka pësuar një metamorfozë dhe mirë që ka ndryshuar.

Nacionale:

A e ka në plan opozita që ta ftojë kryeministrin për raportim në Kuvend rreth këtij takimi?

Çitaku:

Ka qenë e rëndomtë që pas çdo raundi të dialogut kryeministri të raportojë në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri nuk ka problem me ne, ai ka problemet me retorikën e tij të kaluar. Ne na intereson që të kemi rezultat në këtë proces. Na intereson që të kemi një përmbyllje të shpejtë të procesit me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, e cila në thelb ka njohjen reciproke.

Nacionale:

Së fundi, kemi parë që zyrtarët e lartë amerikanë dhe ata evropianë, janë duke kërkuar rezultate konkrete në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Sa besoni se në këtë mandat mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare?

Çitaku:

Ne kërkojmë që ky proces të përmbyllet shpejt, sepse status quo-ja jo vëtem që është e paqëndrueshme, por është e dëmshme dhe e rrezikshme. Kjo gjë tashmë është artikuluar shumë qartë, në mënyrë shumë eksplicite dhe në mënyrë publike nga zyrtarët më të lartë amerikanë. Kryeministri duhet të tregohet i përgjegjshëm në këtë proces dhe Kosova duhet të ketë ofertën e saj. Ne jemi të gatshëm që jo vetëm të mos bëjmë pengesa, por që të japim kontributin tonë në Kuvendin e Kosovës për përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi. Mirëpo, përgjegjësia i takon kryeministrit. Fatkeqësisht, ai ka pasë mungesë konsistence në raport me dialogun. E dini se dikur ka thënë që ai është prioriteti i shtatë, pastaj i katërt, e tash po del që është prioritet i parë. Në dialog gjëja më e rëndësishme është konsistenca dhe transparenca.

Nacionale:

Nëse Qeveria vendos të krijojë ndonjë ekip negociator, a është e gatshme PDK-ja të bëhet pjesë e tij?

Çitaku:

Ju e dini që kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Në atë vendim Gjykata Kushtetuese ka treguar se mekanizmat e tillë janë kundër Kushtetutës dhe se kryeministri e ka përgjegjësinë. Ne jemi të gatshëm ta japim kontributin tonë në Kuvendin e Kosovës.

Lajme të ngjashme