<b></b> Çitaku: Për të ardhur keq që Kurti s'ka asnjë takim të rëndësishëm në ShBA

Çitaku: Për të ardhur keq që Kurti s'ka asnjë takim të rëndësishëm në ShBA

11.05.2022 18:34

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, është deklaruar rreth vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po qëndron që nga e premtja e kaluar.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Washington ka thënë se nuk ndihet mirë që kryeministri Kurti nuk ka asnjë takim me Sekretarin e Shtetit apo me ndonjë personalitet të rëndësishëm të administratës së Presidentit Biden.

Është për të të ardhur keq, dhe këtë po e them pa cinizëm, se nuk më bën të ndihem mirë as si ish-ambasadore dhe as si qytetare fakti që kryeministri i Kosovës tash që gati një javë është në SHBA dhe nuk ka asnjë takim me Sekretarin e Shtetit, me Sekretarin e Mbrojtjes, apo ndonjë takim në Shtëpinë e Bardhë”, tha Çitaku në intervistën për Gazetën Nacionale.

Tutje, ajo ka thënë se takimet me komunitetin shqiptaro-amerikan gjithnjë janë konsideruar aktivitete paralele me agjendën zyrtare.

Nuk po dua t’i nënvlerësoj takimet me diasporën, takimet me komunitetin e bizneseve atje, sepse dhe ato janë shumë të rëndësishme dhe kanë rolin e vet. Mirëpo, ato zakonisht janë zhvilluar si aktivitete paralele me agjendën dhe takimet zyrtare”, theksoi Çitaku.

Madje, ajo thotë se nuk ka ndodhur asnjëherë që një kryeministër apo president i Kosovës të qëndrojë kaq gjatë të ShBA dhe të mos ketë asnjë takim zyrtar.

Nuk më ka ndodhur asnjëherë që një kryeministër apo president i Kosovës të qëndrojë kaq gjatë në SHBA. Nuk më kujtohet që edhe ndonjë udhëheqës i ndonjë vendi tjetër të shkojë në SHBA dhe të qëndrojë kaq gjatë. Një gjë të tillë nuk kam dëgjuar që e ka bërë dikush. Mund të shkohet për pushim në SHBA dhe këtë nuk ta ndalon askush. Mirëpo, nuk ka kuptim që të quhet vizitë zyrtare, apo vizitë pune, të qëndrojë kaq gjatë dhe të mos ketë asnjë takim zyrtar”, tha Çitaku në intervistën për Nacionale.

Por, një gjë dihet sigurt. Nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit të ShBA-së, Joe Biden. Këtë e ka konfirmuar këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj.

“Ne nuk jemi duke pritë një vizitë nga presidenti i SHBA-së Biden, ai nëse e sheh të rëndësishme e të nevojshme. Nuk mundesh me taku presidentin Biden pa një kërkesë për vizitë, edhe pa një qëllim të vizitës, edhe pa ndodh një nevojë e tillë për vizitë”, deklaroi dje Zulfaj në “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.

Kujtojmë se që nga e premtja e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në ShBA. Vizita e tij e dytë brenda pak javësh, erdhi menjëherë pas darkës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e cila ngjalli shumë reagime në Kosovë.

Të parin takim, Kurti e regjistroi me datën 6 maj me shefen e MCC-së, Alice Albrigt, të cilin e quajti ‘takim të frytshëm’.

Një nder i veçantë që takova MCC_CEO, znj. Alice Albright dhe nisjen e negociatave të Kompaktit të Kosovës. E falënderova për punën e palodhshme të MCC-s për të mundësuar Kompaktin, që do të bëhet investimi më i madh në sektorin e energjisë dhe rikonfirmon lidhjen e ngushtë që ndajnë vendet tona”, shkroi ai.

Nga takimet që ka publikuar vetë Kurti, shefi i ekzekutivit është takuar me kompani të mëdha amerikane në Silicon Valley të Kalifornisë, zona e rëndësishme e inovacionit teknologjik në ShBA.

Linkedin, Microsoft, Ubber janë disa nga kompanitë e mëdha që Kurti ka takuar gjatë vizitës në Amerikë.

Intervistën e plotë me Çitakun mund ta lexoni këtu:

https://www.nacionale.com/politik%C3%AB/Citaku-Agjenda-e-zbehte-e-Kurtit-ne-SHBA-imazh-jo-i-mire-per-Kosoven-4922

Tjera nga autori:
1