<b></b> Çka është Kuvendi i Kosovës?

Çka është Kuvendi i Kosovës?

07.06.2022 11:14

Kuvendi i Kosovës ka qenë vend ku janë ngritur pikëpyetje të rëndësishme për procese politike. Por, zhvillimet e ndryshme tashmë i kanë vënë një pikëpyetje mbrapa vetë Kuvendit. Çka është Kuvendi i Kosovës?

“Qysh është vendi, bëhet Kuvendi!”, është një prej frazave më të njohura të popullit që e ilustron në një masë gjendjen në të cilën ndodhet e edhe ndodhej Kuvendi i Republikës së Kosovës. Por, edhe vendi.

Megjithëse është institucioni më i lartë në Kosovë – marrë parasysh që jemi demokraci parlamentare, domethënë demokraci kuvendore – ai nuk ka ofruar atë që një pjesë e madhe e njerëzve kanë kërkuar dhe pritur.  

Mungesa e njohurive bazike për tema të ndryshme, pamundësia për të drejtshqiptuar fjalët, të shkruarit me shumë e shumë gabime, por edhe fjalori i ngushtë dhe shpesh banal e përsëritës nga deputetët, kanë frustruar në vazhdimësi qytetarët.

Për ironi - të paktën formalisht - është Kuvendi i Kosovës ai që zgjedh presidentin, kryeministrin, dhe kryetarin e saj. Pra, është institucioni që ka pushtetin më të madh në vend. Po e përsërisim: të paktën formalisht. Por, kjo ironi e ky formalitet përmban një vërtetësi që vjen në formë kartëmonedhe, në rrogat e majme që deputetët dhe këshilltarët e kryekuvendarit marrin. Pushteti real i Kuvendit mund të jetë fare i vogël, por meqë ai formal është i madh, edhe rrogat janë të mëdha. Qytetarët mund të mos i dinë emrat e shumë deputetëve – meqë janë më të parëndësishëm edhe se zëdhënësit e partive të tyre – por ata emra i di mirë administrata që derdh paratë.

FOTO 1: Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës. C: Valdrin Xhemaj, Nacionale

Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Vjosa Osmanin presidente, Albin Kurtin kryeministër e Glauk Konjufcën kryekuvendar. Po Kuvendi i Kosovës i kishte zgjedhur edhe presidentët, kryeministrat dhe kryekuvendarët e mëhershëm. Madje, në Kuvendin e Kosovës ishte shpallur edhe Pavarësia e Kosovës në 17 shkurtin e ftohtë të vitit 2008. Pra, zhvillimi apo moszhvillimi i vendit është i lidhur me të. Por, çka është në të vërtetë Kuvendi i Kosovës nën dritën e zhvillimeve teknologjike jashtë vendit dhe zhvillimeve të përditshme politike brenda vendit?

Historia e Kuvendit të Kosovës

Në fakt, fraza e lartpërmendur “Qysh është vendi, bëhet Kuvendi!” është më e moçme se parlamentet shqiptare. Kjo nënkupton se edhe fjala “kuvend” ka një histori më të gjatë e njëkohshëm edhe përdorim më të gjerë.

Fjalori i Gjuhës Shqipe numëron gjashtë kuptime për fjalën Kuvend, prej të cilëve vetëm i fundit definon Kuvendin ashtu siç po e nënkuptojmë ne, pra si vendin ku përveç debatit mes të zgjedhurve të popullit - që në realitet ndoshta janë aksidente mendore të liderëve partiakë – votohen edhe ligje.  

Në kuptimin e parë ai është “bisedim; fjalë” pra “bisedë e shtruar që bëhet për dikë a për diçka”. Në të dytin, flitet për “mbledhje të burrave”. Në të tretin për “mbledhje të gjerë të popullit,” ku siç thuhet, “rrihen e shkëmbehen lirisht mendimet për probleme të rëndësishme politike e shoqërore”. Në të katërtin, përsëri kemi një mbledhje të gjerë për një problem të rëndësishëm. Në të pestin për “vendin a ndërtesën ku banojnë murgjit e një urdhri fetar katolik”.

FOTO 2: Shpjegimi i fjalorit, fotografi ekrani 

Vetëm në të gjashtin flitet për organin e lartë (formalisht) ligjvënës.

Kuvendi i Kosovës ka një dhomë me 120 ulëse, prej të cilëve 100 votohen direkt në Kuvend dhe 20 janë të rezervuar për pakicat etnike.

Aktualisht është legjislatura e VIII e Kuvendit, dhe brenda saj janë 58 deputetë të Vetëvendosjes, 19 të PDK-së, 15 të PDK-së, 10 të Listës Serbe, dy të AAK-së, një e pavarur dhe të tjerët nga pakicat etnike.

FOTO 3: Ndarja e ulëseve sipas partive politike në Kuvend në legjislaturën e fundit

Në gjithë legjislaturat, nënkupton se Kuvendi i Kosovës i ka pasur gjithsej 960 mandate për deputetë deri tash. Por, sa prej jush mbani mend ndonjë ide të rëndësishme inovative apo kauzë vetjake prej tyre?

Një çështje e tillë është ngritur vazhdimisht nga organizatat që monitorojnë punën e Kuvendit.

Sidoqoftë, detyrë esenciale e Kuvendit është edhe të jetë hapësirë e debatit publik që ndodh në shoqëri. Por, sa po arrihet një gjë e tillë?

Hovi teknologjik dhe debati publik

Hovi i madh teknologjik ka ofruar platforma të ndryshme të rrjeteve sociale (Facebook, Twitter, etj.) të cilat po ashtu i kontribuojnë debatit publik.

Gati të gjithë ligjvënësit janë të pranishëm në këto platforma dhe janë pjesë e këtij debati të gjerë shoqëror. Kjo mundëson që secili prej tyre të ketë ndërveprim më të gjallë e më dinamik me qytetarët, por njëkohshëm të marrë pjesë edhe në debate që nuk do të futeshin brenda kornizave të asaj që e quajmë parlamentarizëm.

FOTO 4: Newsfeed-i i Nacionale.com në Facebook

Përgjatë viteve kemi pasur një numër shumë të madh temash politike që janë hapur pikërisht në rrjete sociale. Kjo ka hequr ekskluzivitetin e debatit politik nga Kuvendi, duke e ulur edhe rëndësinë e tij. Po ashtu, problemet e ndryshme shoqërore janë paraqitur shpesh më mirë e në mënyrë më ilustrative nga qytetarët e thjeshtë që ishin përdorues të rrjeteve sociale, duke e zbehur edhe më shumë rëndësinë e Kuvendit.

Përveç kësaj, një numër i madh qytetarësh jo-deputetë kanë profile me më shumë ndjekës se sa vetë deputetët, çka e bën edhe fjalën e tyre të jetë më me peshë.

Liderët kosovarë

Sulmi i verës së vitit 2016 me granatë dore në Kuvendin e Kosovës ka mbetur i pasqaruar plotësisht nga organet e vendit. Por, më i qartë është pushteti i madh që kanë liderët e partive politike ndaj vartësve të tyre, deputetë.

Shumë shpesh këto janë ilustruar madje edhe publikisht përmes presioneve të ndryshme të bëra ndaj tyre.

Një prej këtyre rasteve ishte votimi i Ligjit për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, për të cilin rast presidenti i Kosovës – që ishte ish-kryetar dhe njeri me ndikim në PDK – shprehej se ata që ishin kundër “nuk ia donin të mirën Kosovës”.

FOTO 5: Hashim Thaçi në presidencë. C: Valdrin Xhemaj, Nacionale

Edhe mazhoranca aktuale nuk duket të jetë e pavarur në punën e saj. Deputetët e mazhorancës në Kuvend – megjithëse formalisht, duhet të kritikojnë e hetojnë punën e Ekzekutivit – duket se nuk e kanë një mundësi të tillë. Revolta më e madhe e deputetëve aktualisht, duket mungesa nëpër seanca, çka përmendet vazhdimisht në raportet e KDI-së. 

Një gjë e tillë po ashtu i zbeh rolin Kuvendit të Kosovës duke qenë se deputetët vlejnë për aq sa vlejnë liderët e tyre në skenën politike. Aktualisht, kryeministër i Kosovës është Albin Kurti, e i cili nuk ka qenë në garën për t’u bërë deputet i Kuvendit të Kosovës më 14 shkurt 2021. Kjo është hera e parë që një kryeministër u zgjodh nga deputetët e Kuvendit pa iu nënshtruar garës për t’u bërë deputet.

FOTO 6: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. C: Valdrin Xhemaj, Nacionale

Kujtojmë që përkundër pjesëmarrjes në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Kosovës, asnjë anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk sfidoi liderin Ramush Haradinaj për t'u bërë kryetar partie. Kjo pritet të ndodhë edhe me Vetëvendosjen që po ashtu po mban zgjedhjet e brendshme. 

FOTO 7: Ramush Haradinaj, përsëri kryetar i AAK-së. C: Valdrin Xhemaj, Nacionale

E ardhmja, megjithatë, mund të ofrojë tjetër Kuvend nëse deputetët do të zgjedhnin të mos i nënshtroheshin liderëve partiakë duke ndërtuar e popullarizuar kauza vetjake. 

Tjera nga autori:
1