<b></b> Çka na thotë politikisht skandali me ryshfetin në Ministrinë e Infrastrukturës?

Çka na thotë politikisht skandali me ryshfetin në Ministrinë e Infrastrukturës?

01.06.2022 18:47

Ditari i tretë i Buzhalës ka shpërfaqur korrupsionin tmerrues në Ministrinë e Infrastrukturës. Ky korrupsion që duket krejt i normalizuar, nëse dëgjojmë këto përgjime, ka një numër të madh domethëniesh politike që do të duhej të nxisnin një numër të madh dorëheqjesh. Cilat janë këto domethënie politike, dhe cilat janë dorëheqjet e menjëhershme që duhet të ndodhin?  

Florent Damqaj – këshilltar i ministrit Liburn Aliu – është nipi i pronarit të kompanisë projektuese që u zu duke kërkuar ryshfet, Halil Jahajt.

Florenti madje, dajën e tij Halilin e ka pasur edhe punëdhënës në një kohë kur e ushtronte rolin e aktivistit politik brenda kësaj partie politike, dhe i denonconte padrejtësitë në shoqëri dhe korrupsionin në institucione.

Aktiv politikisht është EDHE daja i tij, Halil Jahaj, përkundër që në anën tjetër ka interesa të forta biznesore për të përfaqësuar.

NIPI

Për shkak të afërsisë familjare që ka pasur me një kompani projektuese, Ramqaj nuk është dashur të emërohej asnjëherë këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës të udhëhequr nga Liburn Aliu. Një gjë e tillë njihet si “konflikt interesi” por duket që për të nuk kishte interes ministri.

Pra, afërsia familjare e këshilltarit me kompanitë projektuese që marrin punë në Ministrinë në të cilën ai këshilltar punon, do të duhej të ishte problematike në vete në mënyrë që të shmangeshin raste të tilla korrupsioni.

Dorëheqja e Ramqajt do të duhej të përcillej njëkohshëm edhe me hetime mbi rolin që ai ka pasur në të tjera veprime brenda Ministrisë së Infrastrukturës, Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit.

LIBURNI

Puna e bërë nga Liburn Aliu është kontestuar gjatë e shumë përgjatë gjithë vitit. Në anën tjetër, ka pasur spekulime edhe për çarje në marrëdhëniet e tij me shefin e partisë që njëherit është edhe shef në Qeveri, Albin Kurtin.

Siç u potencua më lart, ajo që dihet (përkundër shumë pikëpyetjeve që dalin në shesh pas këtij skandali), është se Aliu ka dështuar të veprojë në rastin në fjalë për të shmangur konfliktin e interesit.

Se në cilët xhepa ka shkuar ryshfeti astronomik që i kërkohet kompanisë ndërtuese, është çështje për Prokurorinë. Dhe pikërisht për një gjë të tillë, dorëheqja e Aliut është e domosdoshme në mënyrë që në hetimet e këtij rasti të mos ketë ndërhyrje politike.

Pushteti i ministrit Aliu është aq i madh sa në gjyqësinë e brishtë kosovare mundësia e hetimeve të pavarura për rastin në fjalë duket e pamundur në kushtet aktuale.

VETËVENDOSJE! apo VETËVENDOSJE?

Luftimi i krimit dhe korrupsionit ishte prioriteti i parë i proklamuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ky zotim madje ishte herë pesë-gjashtë vende e herë tri-katër vende më lart se dialogu i Kosovës me Serbinë.

Se ky zotim e prioritet ishte përnjëmend zotim e prioritet, tregohet nëse ka vullnet për t’u kryer edhe ndaj aktivistëve që i takojnë partisë. Pra, ndaj njerëzve më të afërt.

Përgjimet janë të qarta e kërkesa për ryshfet është e qartë. Përpjekjet që të justifikohet korrupsioni duhet të ndalen në mënyrë që të fitojë e mira publike, e mira e përbashkët.

Se Vetëvendosje e lufton korrupsionin e PAN-it (partive tjera) nuk ka dyshim. Por, se e lufton korrupsionin në vetvete, ka pasur e ka dyshime të mëdha. Dhe në vetvete, lufta selektive ndaj korrupsionit përbën korrupsion.

Kryeministri Kurti me partinë e tij janë kësisoji përballë një sfide politike të rëndësishme: janë apo nuk janë kundër korrupsionit?

Tjera nga autori:
1