<b></b> Demantohet Gërvalla: Franca kundër Kosovës në Këshill të Evropës

Demantohet Gërvalla: Franca kundër Kosovës në Këshill të Evropës

13.05.2022 21:46

Vendimi i Kosovës për aplikim për anëtarësim në Këshillin e Evropës duket se ka polarizuar përkrahësit e Kosovës. Një gjë e tillë vërehet posaçërisht tek dy vendet më të mëdha të Bashkimit Evropian, Gjermania e Franca, të cilat kanë qëndrime të kundërta në këtë temë.

Përderisa Gjermania është përkrahëse e palëkundur, Franca është një kundërshtare siç edhe shkroi sot gjatë ditës Gazeta Nacionale.

E para, pra Gjermania, e ka konfirmuar tashmë edhe publikisht se është në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka qëndruar sot në Kosovë e me ç’rast e ka takuar ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Sarrazin, në emër të Gjermanisë, qartësisht është deklaruar se e përkrah anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar. Për Gjermaninë, Kosova është një vend i pavarur dhe ka të drejtë të anëtarësohet në të gjitha institucionet ekzistuese.

“Aplikimi është sjellë nga Donika dje në Strasburg. Gjermania e njeh Kosovën si shtet të pavarur, pra sigurisht, ne vërtet dëshirojmë që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha institucioneve që është e mundur. Dhe ne jemi pro këtij aplikimi, do ta mbështesim atë me kapacitetet tona. Dhe gjithashtu, ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të qenë të dobishëm në këtë proces dhe ne do ta koordinojmë këtë me ju”, ka thënë Sarrazin.

Por, një mendim më të ftohtë karshi mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në KE e kanë francezët, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në diplomacinë evropiane.

Franca, nëpërmjet Ambasadës së saj në Kosovë, ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Por, sipas francezëve, prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Madje, Ambasada e Francës u ka bërë thirrje të dyja palëve që të angazhohen plotësisht në rifillimin e dialogut.

“Vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran. E ardhmja e Kosovës është të  bëhet anëtare e tij. Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen plotësisht në këtë  drejtim dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensione”, thuhet në postimin e Ambasadës së Francës në Facebook.

Gjatë ditës, Kundër aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës është shprehur edhe ambasadori i Francës në Beograd, Pierre Cochard. Në një deklarim, ai thoshte se ky veprim i Kosovës është i njëanshëm dhe nuk përkrahet nga Franca.

Madje, ai theksonte se prioritet i Kosovës aktualisht është Asociacioni i komunave serbe, energjia dhe çështjet e personave të pagjetur.

“Ne mbështesim përpjekjet e Miroslav Lajçakut, mbështesim ftesën e Gjermanisë për presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kandidatura për në Këshillin e Evropës është një vendim i njëanshëm dhe ne nuk i mbështesim ato vendime dhe e konsiderojmë dialogun një prioritet. Temat prioritare janë: Asociacioni i komunave serbe, energjia dhe çështjet e personave të pagjetur. Kjo është prioritet për ne”, ka thënë ambasadori i Francës në Serbi për TV Nova S.

Tutje, i pari i misionit diplomatik të Francës në Serbi sqaronte se do të angazhohet së bashku me Gjermaninë për të vazhduar dialogun mbi baza të qëndrueshme.

“Prioriteti i Francës është të bëjë gjithçka, së bashku me partnerët tanë evropianë, veçanërisht me Gjermaninë, për të vazhduar dialogun mbi baza të qëndrueshme dhe kjo është ajo që është urgjente. Pra, ne besojmë se lëvizjet e njëanshme nuk janë të dobishme dhe mund të mbytin një proces tashmë të ndërlikuar. e cila nuk ka përparuar shumë muajt e fundit”, ka thënë Chochard.

Ndryshe besonte shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, duke sqaruar se është konsultuar me aleatët evropianë të Kosovës për këtë iniciativë.

“Unë kam biseduar me përfaqësuese të ndryshëm të BE-së, ndër ta edhe me përfaqësues të Francë dhe ne na është thënë se Franca e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ne po punojmë me secilin shtet veç e veç dhe nëse Franca në ndërkohë mund të ketë një dilemë ne jemi të gatshëm që të bisedojmë me të por ne nuk kemi asnjë informacion zyrtar që Franca ka dilema rreth anëtarësimit në KE” – tha sot Gërvalla.

Kujtojmë që dje, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Tjera nga autori:
1