<b></b> “Deputetët e VV-së po shkojnë në xhami” – arsyetimi banal i sekretares së Lëvizjes për mosvotimin e ligjeve

“Deputetët e VV-së po shkojnë në xhami” – arsyetimi banal i sekretares së Lëvizjes për mosvotimin e ligjeve

03.06.2022 17:19

E shtuna e kaluar mblodhi tok anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Pos elaboratit me fytyrë të ngrysur të kryeministrit Albin Kurtit rreth qeverisjes njëvjeçare, u diskutua edhe për programin legjislativ të pushtetit. Prapa dyerve të mbyllura e pa prezencë të mediave u prezantua një raport për këtë çështje, i cili theksonte se një nga arsyet e mosvotimit të ligjit është frekuentimi i xhamive nga deputetët konservatorë të VV-së.

Vikendin e kaluar, një raport i detajuar rreth situatës me agjendën legjislative, u dha nga sekretarja organizative e VV-së, Vlora Haxhimehmedi, që është pasardhëse e Dardan Molliqajt. Aty, njeriu i afërt i Kurtit ofroi arsyet prapa dështimit të nismave ligjore të pushtetit, duke shpërfaqur edhe një herë problemin e “përçarjes” ideologjike të VV-së.

Në prezencë të Kurtit, Haxhimehmedi renditi një mori arsyesh që, sipas saj, kanë ndikuar në mosaprovimin e iniciativave ligjore të Qeverisë Kurti. Në mesin e arsyeve, dhe arsyen padyshim më të çuditshme, Haxhimehmedi e gjeti te feja e deputetëve të VV-së.

Burimet e Gazetës Nacionale, që ishin prezent në takim, thanë se Haxhimehmedi gjatë fjalës së saj theksoi se kryerja e riteve fetare nga deputetët e VV-së, po e pengon aprovimin e ligjeve.

Pra, falja e namazit, sipas Haxhimehmedit, është arsyeja pse po dështojnë projektligjet në Kuvend. Një gjë e tillë, u kuptua si një akuzë direkte ndaj deputetëve konservatorë, të cilët kohë më parë votuan edhe kundër Projekt-kodit civil.

Në raportim, Haxhimehmedi tregoi disa arsye pse po dështon votimi i ligjeve. Tha që udhëtimet jashtë vendit, mosprezenca në votim, e kryerja e ritualeve fetare nga deputetët po bën të dështojë votimi i agjendës legjislative”, i tha burimi Nacionales.

Tutje, ky burim tha se prezent në këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm ishte edhe vetë Albin Kurti, i cili nuk ndërhyri e as nuk komentoi deklaratën e Sekretares Organizative.

Albini u kanë aty, ama s’ka folë kurrgjë pas kësaj deklarate”, tha burimi.

Heshtja e Kurtit është simbolikë që i njëjti është pajtuar me deklarimin se shkuarja në xhami e deputetëve është arsyeja për mosaprovimin e projektligjeve në Kuvend.

E pas kësaj deklarate, Haxhimehmedi, siç merr vesh Nacionale, është larguar nga salla, gjersa komenti i saj la shije të hidhur te një pjesë e pjesëmarrësve.

Por, Kurti, siç ka raportuar Nacionale, është deklaruar vazhdimisht në favor të temave që prekin besimtarët myslimanë. Madje, vite më parë, duke cituar fjalët e Ervin Hatibit, poet i njohur nga Shqipëria, Kurti e kishte bërë të qartë se ai është pro mbajtjes së shamisë.

Ervin Hatibi thotë për punën e shamisë e fustaneve, që ne nuk do të duhej të bënim punën e rrobaqepësisë. Pra, politika nuk merret me rrobaqepësi, as nuk merret me çështje të berberëve kush çfarë mjekre ka e sa e gjatë është ajo. Pra është një farë mendimi totalitar që na duhet me kontrollu edhe dukjen e njerëzve”, theksonte Kurti atëbotë.

Por, kush janë deputetët që “kryejnë ritualet fetare”, e që sipas Haxhimehmedit po rrezikojnë votimin e projektligjeve?

Në grupin prej 58 deputetë të VV-së, një numër i konsiderueshëm janë besimtarë të devotshëm të fesë islame. Shumica nga ta kryejnë obligimet fetare rregullisht, e disa frekuentojnë xhamitë vetëm të premteve, për faljen e xhumasë.

Alban Bajrami, Valon Ramadani, Mefail Bajqinovci, Fitim Haziri, Eman Rrahmani, Burim Karameta, Gazmend Gjyshinca, Nijazi Isaku, Visar Korenica, janë disa nga deputetët e VV-së që shkojnë në xhami.

Por, në fakt, “akuza” e Haxhimehmedit nuk qëndron.

Shumica nga deputetët e VV-së që i përkasin grupit të konservatorëve kanë qenë goxha korrektë në pjesëmarrjen në seanca.

Sipas faqes votaime.org, që është platformë matëse e punës së deputetëve e që menaxhohet nga Instituti Demokratik i Kosovës, deputetët konservatorë të VV-së kanë qenë pjesë e shumicës së seancave plenare të Kuvendit.

Nijazi Isaku, deputet konservator e aktivist i moçëm i VV-së, nuk e la asnjë seancë t’i ikte gjatë këtij mandati. Ai ishte prezent në 38 seancat plenare që u mbajtën në këtë legjislaturë sipas IKD-së.

100% të rasteve, prezent në seanca ishte edhe Eman Rrahmani, Valon Ramadani, Visar Korenica e Fitim Haziri.

Ndërsa, në 97% të rasteve, në seancë i pranishëm ishte edhe deputeti i Listës Guxo, Burim Karameta, i cili bën pjesë në grupin parlamentar të VV-së.

Alban Bajrami, deputet i VV-së që kryen ritualet fetare islame, sipas IDK-së, ka qenë prezent 92% të rasteve në seancat plenare. Njëjtë për nga përqindja është edhe Gazmend Gjyshinca, i cili ishte prezent në 35 seanca nga 38 gjithsej sa u mbajtën. Pak më mirë qëndron Mefail Bajqinovci, i cili mungoi 2 herë në seanca plenare.

Megjithatë, shumë nga projektligjet që parashiheshin të votohen sipas agjendës legjislative të Qeverisë Kurti, nuk kanë marrë dritën jeshile nga Kuvendi. Në fakt, sipas platformës votaime.org, vetëm 31% e agjendës legjislative është miratuar, duke u miratuar vetëm 33 ligje nga 105 sa ishte planifikuar.

Ndryshe, Gazeta Nacionale ka raportuar kohë më parë rreth përplasjeve të brendshme në VV pas votimit kundër projekt-kodit civil të një pjese të deputetëve, të cilët konsiderohen konservatorë. Duket se ky qëndrim kundër, tashmë një pjesë të këtyre deputetëve i ka shndërruar në fajtorë kujdestarë brenda partisë.

Kujtojmë që Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje u mblodh të shtunën me kryetarin e partisë Albin Kurti. Mbledhja i dedikohej njëvjetorit të Qeverisë Kurti II dhe zgjedhjeve të brendshme në Vetëvendosje.

Siç shkroi Nacionale, ajo që la përshtypje të theksuar në këtë paraqitje të kryeministrit Kurti ishte fytyra e tij më e ngrysur se herëve të tjera.

Gjatë fjalës së tij, Kurti vazhdoi duke treguar se sa e suksesshme kishte qenë Kosova në menaxhimin e pandemisë, në rritjen ekonomike, në drejtësi, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe rritjen e aleancave me shtetet mike.

“Jam shumë i kënaqur”, tha Kurti me një fytyre që transmetonte pakënaqësi.

Dhe, të gjitha këto i bëri po me atë fytyrë të ngrysur e cila shumicën dërmuese të kohës ishte e përqendruar te fjalimi që e lexonte.

Tjera nga autori:
1