<b></b> Deputetja e VV-së dënohet me 3 vjet burg, zyrtarët e kësaj partie kërkojnë çkapje të gjykatave

Deputetja e VV-së dënohet me 3 vjet burg, zyrtarët e kësaj partie kërkojnë çkapje të gjykatave

17.05.2022 14:06

Zyrtarë të Vetëvendosjes kanë dalë në mbrojtje të deputetes Jetmire Vrenezi, e cila sot u dënua me tri vjet burg nga Gjykata Themelore në Prizren për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ish-kryetari i komunës së Prizrenit - Mytaher Haskuka, sekretari i qendrës së VV-së në Prishtinë - Egzon Azemi dhe shefi i asamblistëve të VV-së në komunën e Prishtinës - Gëzim Sveçla, me gjuhë të përbashkët kanë thënë se pushteti gjyqësor vazhdon të jetë i kapur, ani pse shteti udhëhiqet nga lideri i tyre, Albin Kurti.

Që të tre zyrtarët e VV-së po kërkojnë që populli të bëjë çkapjen e gjykatave, pasi sipas tyre ato janë të kapura ende.

Mytaher Haskuka pas dëmit të Vrenezit ka kërkuar me prioritet procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.

“Nga sot rrënimi i objekteve pa leje në Kosovë trajtohet si “keqpërdorim detyre”. Kosova vend i çudirave. Vetingu në drejtësi, prioritet mbi prioritet”, ka shkruar ai në Facebook.

Në këto reagime është bashkangjitur edhe sekretari i degës së VV-së në Prishtinë, Egzon Azemi.

Azemi ka thënë se sistemi i drejtësisë është i ‘kalbur’, se institucionet nuk mjaftojnë që ato të çkapen, dhe sipas tij, duhet që populli t’ia ‘presë rrënjët krimit’.

“...prandaj po shkruaj, sistemi i drejtësisë sipas ligjeve duhet të jetë i pavarur, e institucionet nuk duhet të ndërhyjnë. Por kur dihet ashiqare që është sistem i kalbur, e nëse nuk mjaftojnë insitucionet, duhet ato të na ftojnë që bashkë me popullin, krimit me ia pre rrënjet njëherë e mirë”, është komenti i tij në një shkrim në Facebook.

Sipas Azemit, po dënohen inspektorët që po e mbrojnë pronën publike, dhe jo ata që po korruptohen.

“Nuk dënohen inspektoret që përfitojnë e korruptohen nga ndërtuesit. Por dënohen ata që mbrojtën pronën publike. Shteti vazhdon të jetë i kapur. Andaj edhe lufta për çkapje duhet të vazhdojë. Dhe jo vetëm me diplomaci...”, ka shkruar Azemi.

I të njëjtit mendim është edhe asamblisti i VV-së, Gëzim Sveçla, i cili ka dalë në përkrahje të deputetes që u dënua me 3 vjet burg duke thënë se sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë i kapur.

“Ky sistem i drejtësisë në Kosovë, që vazhdon të jetë i kapur, është produkt i aferës së njohur “Pronto”. Gati krejt, për të mos thënë në tërësi. Kështu do të vazhdojë të jetë edhe për një kohë, por jo pafundësisht. Prandaj puna s’ka mbaruar. Prandaj duhet të vazhdojmë të angazhohemi e të veprojmë për t’i përfunduar proceset. S‘ka rrugë tjetër”, ka shkruar ai.

Për çka u dënua Vrenezi?

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje [LVV], Jetmire Vrenezi, me tri vjet burg dhe dy mijë euro gjobë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dënimi i saj ka të bëjë me rastin e qendrës tregtare Abi Çarshia në Prizren, ku tejkaluan kompetencat e tyre të detyrës.

Vrenezi veprën penale dyshohet se e kishte kryer në cilësinë e Drejtoreshës së Inspeksionit në Prizren, në kohën kur kjo komunë udhëhiqej nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut dhe Isë Bislimajt, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit ndaj “Abi” SH.P.K në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshisë”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshisë”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Për të parë pasurinë e deputetes Vrenezi mund të klikoni KËTU.

Tjera nga autori:
1