Dëshpërimi si shpresë apo shpresa si dëshpërim? - NACIONALE

Dëshpërimi si shpresë apo shpresa si dëshpërim?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Haliti

Në poemën epike “Veprat dhe ditët”, poeti grek Hesiodi përshkruan dy dhurata që perënditë i kishin dhuruar Prometeut dhe njerëzimit në përgjithësi, Pandorën një grua tërheqëse dhe kureshtare, dhe një kuti të mbyllur e që përmbante të këqija, sëmundje dhe fatkeqësi të llojllojshme. Ndryshe nga të gjitha paralajmërimet, kurioziteti i Pandorës e shtyn atë të hapë kutinë duke liruar gjithçka që kishte brenda saj. Pasi që kishte parë se çka kishte bërë, ishte vonë, dhe duke u përpjekur për të mbyllur kutinë sa më shpejt, ajo kishte arritur të mbante brenda kutisë vetëm Elpisin - shpirtin e shpresës.

Ka shumë versione të këtij miti dhe shumë mosmarrëveshje në lidhje me vlerën e shpresës në jetën e njeriut. A është ajo vërtet një dhuratë nga perënditë, apo është mallkim siç sugjeroi Niçe kur tha se "Shpresa në të vërtetë është më e keqja nga të gjitha të këqijat, sepse vetëm se i zgjat mundimet e njerëzve". A e ruante kutia shpresën për dobinë tonë, apo shpresa është një e keqe nga e cila na mbronte kutia? Ky qëndrim ambivalent ndaj shpresës ka mbetur gjithmonë një temë e ndërlikuar në tërë mitologjinë perëndimore. Tek e fundit, shpresa megjithatë kishte qenë e mbyllur në një kuti me të gjitha të këqijat tjera.

E mirë apo e keqe, secili nga ne në një mënyrë apo tjetër e përjetojmë atë si imagjinatë, nganjëherë vetvetiu e nganjëherë të pavetëdijshëm por të ekspozuar ndaj thirrjeve për të shpresuar. Sidomos thirrjeve të tilla në politikë.

Një thirrje e tillë ishte bërë ikonike në fushatën presidenciale të Barack Obamës, derisa partia e majtë Syriza e Tsiprasit në Greqi për shembull mbështetej në sloganin 'Shpresa është duke ardhur'. Klithma dhe thirrje të ngjashme për të shpresuar kishim dëgjuar edhe në Kosovë nga partia Vetëvendosje, parti e cila ishte ngritur dhe rritur në paqe, një paqe e arritur nga të gjithë ata njerëz që përveç të shpresuarit edhe kishin vepruar. Dhe edhe pse në periudhë paqeje, Vetëvendosje e kishte përgjakur rrugën deri te pushteti, ushtrimin e të cilit do ta quante ‘Qeverisje e Shpresës’.

Cilës shpresë?

Dëshpërimit si shpresë apo shpresës si dëshpërim? Filmi “Shawshank Redemption” (“Shëlbimi në Burgun Shawshank”) është ndër përshtatjet më të bukura filmike i bazuar në librin me të njëjtin emër.

Është ndër filmat e rrallë që tematikën të bën ta përjetosh përtej imagjinatës, sepse trajton vetë imagjinatën. Imagjinatën në formën e shpresës.

Gjatë gjithë filmit shohim se si ideja e shpresës debatohet mes personazheve kryesore duke na u paraqitur kështu në dy forma. Që të dy personazhet, Andi dhe Red, janë të burgosur dhe që të dy natyrshëm shpresojnë të jenë të lirë. Por deri sa Andi jeton me shpresën për të shpëtuar, Redi i frikësohet këtij shpresimi se mund të përfundojë në dështim. Në të vërtetë, Redi mendon se shpresa duhet të rezistohet dhe të ndrydhet, sepse shpresa në situatë praktikisht të pashpresë do të kishte efekt tejet negativ në shëndetin e mendjes së tij. Duket e arsyeshme të thuhet se ngjarja në film na sugjeron që Andi shpreson të lirohet ndërsa Redi jo, dhe me gjithë dëshirën e tyre të ngjashme për liri dhe probabilitetin e tyre të ngjashëm për ta arritur atë liri në një masë, edhe na sfidon me shpresën si sukses dhe me shpresën si frikë.

Dhe ky është pikërisht problemi me shpresën.

A nuk e kishim të njëjtën ndarje ndaj shpresës edhe ne në Kosovë? Derisa ata që i ishin ekspozuar një retorike brutale mbi të këqijat që kinse i kishin ndodhur Kosovës në 20 vitet e fundit shpresonin për “ditët e bardha” që kinse po i vinin Kosovës, të tjerët, përfshi mua, i frikësoheshim shpresimit të tillë që do të kthehej në dështim. Dhe në mes të kësaj dileme, duke përcjellë retorikën e kryetarit të Vetëvendosjes, tash Kryeministrit Kurti, unë në fakt megjithatë e kisha një shpresë tjetër. Në disa vitet e fundit, gjatë fushatave zgjedhore, Kurti për të demonstruar një nivel më të lartë intelektual se sa popullata e gjerë të cilës i kërkonte votën, shumë shpesh përmendi emra filozofësh e piktorësh dhe vetëmjaftohej pa i cituar fare apo vetëm me citime të llojit të wikipedias. Nuk kishte nevojë t’i citonte, mjaftonte të dukej i mençur vetëm duke njohur emra filozofësh të caktuar. Unë shpresoja se kjo praktikë do të shtyente votuesit e tij, dhe jo vetëm, të hulumtonin kush ishin këta filozofë, dhe t’i lexonin e t’i kuptonin konceptet themelore të filozofisë së tyre. Po ta bënin një gjë të tillë, pashmangshëm do ta vërenin paradoksin më të madh te pretendimi i Albin Kurtit mbi aplikimin e imperativit kategorik të filozofit Imanuel Kant. E thjeshtëzuar, imperativi kategorik nga vetë Kanti përkufizohet si urdhër ose ligj moral të cilin duhet ta ndjekin të gjithë njerëzit pavarësisht rrethanave dhe dëshirave të tyre, do të thotë, ky imperativ si moral duhet të jetë i dëtyrueshëm për të gjithë.

Nëse lexohet si fjali mund të duket si artikulim elokuent dhe i zgjuar. Problemi qëndron te domethënia. Jo si përmbajtje e mendimit të Kantit, por si aplikim i saj në politikat e Albin Kurtit dhe partisë së tij Vetëvendosje.

Pikënisje e bazës morale duhet të merret pamundësia e tij për të marrë pjesë në zgjedhjet e fundit për shkak se ai ishte një ish-i dënuar për vepër penale. Partia e tij hyri në zgjedhje pa ndonjë ide konkrete se si do të qeveriste. Programin qeverisës pritej ta përpilonte post festum. Vërtet, ne nuk kishim parë fare premtime të detajuara për zhvillim ekonomik për shembull, sepse këtë pjesë e plotësonin me metoda të sofistikuara të propagandës duke synuar qeverisje përmes mesazheve guximdhënëse dhe më tepër se shpesh, edhe kërcënuese. Me këto veprime, ai synonte të minonte demokracinë e re kosovare dhe ta transformonte rrënjësisht shoqërinë kosovare në NE dhe ATA si përpjekje për të ushtruar pushtet mbi një shoqëri të ndarë. Në këtë proces, ai kishte përdorur dhe vazhdon edhe sot të përdorë një makineri të tërë propaganduese, e linçuese.

Albin Kurti padyshim që i ka shkaktuar dhe po i shkakton dëm edhe më të madh këtij vendi përmes nënçmimit të tij sistematik të normave demokratike, degradimit të jetës publike dhe poshtërimit të politikës.

Aktualisht ai është një kryeministër që çorienton publikun në mënyrë rutinore - për gjithçka, nga dialogu me Serbinë, ngritjen ekonomike, uljen e papunësisë e deri te kinse dashuria e tij e vonuar ndaj SHBA-ve, e ditëve të fundit edhe ndaj ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë.

Ai është një kryeministër që ka shkatërruar parimin e qeverisjes përmes ministrave duke e mbushur atë me ministra mediokër, burra dhe gra që u promovuan vetëm për hir të besnikërisë së tyre oportuniste ndaj tij, dhe të cilët atij as që i shkon mendja t'i shkarkojë, pavarësisht se sa të dëmshme janë deklaratat dhe (mos)veprimet e tyre. Sot për shembull kemi një diplomaci totalisht jofunksionale dhe të paralizuar, të udhëhequr nga një ministre totalisht jokompetente për punën që bën. Kemi një Ministër të Shëndetësisë që ende pa e marrë postin ministror ka ikur në pushim sabatik. Kemi një Ministre që nuk çan kokën që kishte aksidentuar një fëmijë derisa tjetra nuk e çan kokën për Kushtetutën. Lista është e gjatë.

Kryeministri pretendon se i ka kthyer dinjitetin Kuvendit të Kosovës, por e trajton atë me përbuzje. Ai nxit armiqësinë kundër tij duke nënçmuar fare opozitën e fjetur në emër të ‘vullnetit plebishitar të popullit’. Ai ndër të tjera ka përdorur shumicën e tij të madhe në Kuvend për të kaluar ligje si për shembull për pagesën e rrymës për popullatën serbe në pjesën veriore të Kosovës apo edhe për të mos miratuar marrëveshjen e arritur në Washington. Në anën tjetër, ai bën njoftime e deklarata të mëdha jashtë Kuvendit, por nuk shqetësohet fare t'i përgjigjet pyetjeve në Kuvend.

Kryeministri shpreh një përbuzje të ngjashme për institucionet e tjera të pavarura të një demokracie të shëndetshme. Ai tenton ndërhyrje në gjyqësor, në televizionin publik, në vend të depolitizimit të shërbimit civil ai e ripolitizon atë me militantë të partisë së tij, e përmes presidentes që në fillet e qeverisjes së tij kishte bërë ndërhyrje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke shkarkuar kryetaren e këtij Komisioni, etj.

Ai duket që nuk ka ide apo edhe nuk është fare i interesuar për substancë apo qeverisje serioze. Ai shmanget nga vendimet e vështira. Ai praktikon politikat e parullave të rëndomta, aso që nxjerrin tituj dhe premtime boshe.

Ai nuk ka një strategji gjithëpërfshirëse dhe asnjë plan të madh përtej ruajtjes së pushtetit dhe kapjes së shtetit.

Ai pranon veprimet ministrore që janë skajshmërisht të korruptuara - si dhënien e kontratave të mëdha njëburimore dhe pa tenderim publik.

Ai ushtron një injorancë të paparë ndaj skandaleve të përditshme, dhe mbyll dy sytë kur një ambasador politik i partisë së tij skandalizohet në tërë Ballkanin për shpëlarje të një shume të madhe parash nga Serbia.

Sikurse edhe në të kaluarën, ai është një mjeshtër në shmangien e përgjegjësisë. Ai nuk jep konferenca të plota shtypi as intervista në televizionet kombëtare në të cilat gazetarët mund të zhvillojnë pyetjet e duhura. Ai nuk ka dhënë asnjë intervistë të detajuar televizive që para fushatës zgjedhore. Ai i bishtnon dhe u shmanget pyetjeve që kanë lidhje me mirëqenien e kosovarëve.

Ai në vend të kësaj shpërndan iluzionin e hapjes dhe transparencës duke postuar videoklipe në Facebook, ose përmes fotografive të përditshme të një banalitetit mahnitës kinse duke soditur piktura e të ngjashme.

Përkrahësit e vërtetë dhe ata oportunistë të Albin Kurtit e dinë se e gjithë kjo është e vërtetë, por ata e mbrojnë atë publikisht, madje edhe më tepër se ai veten e tij, sepse ai momentalisht ua fiton zgjedhjet. Ai është duke u ndihmuar së tepërmi edhe nga një opozitë e dobët dhe e thyer, natyrisht, por ai është një popullist i paturpshëm që bën atë që e bëjnë të gjithë popullistët. Ai premton zgjidhje të lehta për të gjitha problemet e mëdha, mbase problemet e tilla edhe i deklaron si të zgjidhura, edhe pse ato nuk shihen gjëkundi. Ai merret me instiktet më të ulëta të njerëzve, duke shfrytëzuar ankesat dhe pakënaqësitë e tyre. Ai e ndez bazën e tij me një politikë të qëllimshme të ndarjes, duke vënë ATA kundër NEVE dhe njeriun e zakonshëm kundër ish-elitave.

Po të niseshim nga filozofia Kantiane, këto praktika të qeverisë do të krijonin ligjin moral të cilin do të duhej ta ndiqnim të gjithë ne.

Dhe paramendoni se si do të dukej kur gënjeshtra, injorimi i së vërtetës, sofistikimi i hajnisë, glorifikimi i hipokrizisë, do të ishin normat përgjithësisht të pranuara si bazë morale e funksionimit të shoqërisë sonë!

Sikurse këto vlera të përbënin imperativin kategorik të Kantit!

Dhe kjo perspektivë bën që shpresa të shndërrohet në dëshpërim.

Lajme të ngjashme