<b>Dështimi i Sunny Hill në Prishtinë,</b> Rama fajëson kryekëput Qeverinë Kurti - humbje 15 milionëshe

Dështimi i Sunny Hill në Prishtinë, Rama fajëson kryekëput Qeverinë Kurti - humbje 15 milionëshe

16.06.2022 12:16

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka qenë i bindur në fajtorin kryesor në dështimin e festivalit Sunny Hill nga mbajtja në Prishtinë.

Pas shumë zvarritjeve e vonesave burokratike nga MAPL, drejtuesi i festivalit gjigant, Dukagjin Lipa, eventualisht u ngop dhe vendosi t'i drejtohej Tiranës për mbajtjen e tij.

Kryebashkiaku trianas, Erion Veliaj ishte mëse i lumtur ta priste krahëhapur këtë festival, duke i ofruar të gjitha resurset e nevojshme për zhvillimin e mbarëvajtjen e atij që të rinjtë kosovarë mezi po e prisnin ta shihnin duke ndodhur në Bërnicë të Poshtme.

Sidoqoftë, 17 hektarët për të cilët u bë aq shumë bujë, tash mund të shërbejnë për mbjellje patatesh apo gruri, derisa humbet mundësia e ndërtimit të Parkut Rekreativ nga organizatorët e Sunny Hill, për të cilën raportoi të mërkurën Nacionale.

Plot 20 mijë drunj, një liqen artificial e ulëse përreth parkut nuk do të gjejnë vend në Bërnicë të Poshtme, dhe Rama është i bindur se Qeveria Kurti e bartë mbi supe gjithë fajin.

"Sunny Hill nuk do të mbahet sivjet në Prishtinë, ky është një lajm dëshpërues për kryeqytetin si dhe gjithë Kosovën. Kemi kaluar muaj duke u përpjekur maksimalisht që ta kemi festivalin në Prishtinë ku e ka vendin. Sunny Hill Festival i takon Kosovës dhe Prishtinës", ka thënë fillimisht Rama në konferencë.

"I takon të rinjëve dhe të rejave tona që me padurim e kanë pritur këtë vit. Arsyeja pse këtë vit mbahet në Tiranë është kryekëput për shkak të qeverisë. Institucionet qëndrore kanë tentuar vazhdimisht të ndërhyjnë në kompetencat e Komunës, siç e konfirmoi dje edhe Asociacioni i Komunave. Janë bërë përpjekje që për poena politik që votimi të kthehet në Kuvend. Veprimet e tilla për ne janë të papranueshme, kjo zvarritje e qeverisë është e pafalshme, ka dëmtuar kulturën dhe ekonominë. Qeveria e Kosovës ka qenë vazhdimisht në dijeni për pikat e kontratës", potencoi tutje Rama.

"Në Gërmi nuk kanë mujtë me organizu për shkak se tash është vend i mbrojtun. Ndërsa, për shkak të zvarritjes, duhet kogja punë për me përgatitë(në Bërnicë), ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja (pse është shpërngulë në Tiranë)", ka thënë fillimisht ai duke iu referuar lokacionit në Bërnicë të Poshtme.

"Në bazë të kalkulmieve të mëparshme përfitimet e Komunës kanë qenë 7-8 milionë nga Sunny Hill, ndërsa sivjet është parapa të jetë 12-15 milionë euro humbje për shkak të mosmbajtjes së Festivalit. Festivali është dashtë me u mbajtë në Prishtinë dhe ne do të bëjmë gjithçka që prej vitit të ardhshëm të jetë në Prishtinë", ka shtuar Rama.

Në anën tjetër, Drejtoresha e Pronave në Prishtinë, Doruntina Maloku ka zbuluar një kërkesë gati banale të MAPL.

Drejtoresha e Pronave në Prishtinë zbulon kërkesën 'banale' të MAPL për organizatorët e Sunny Hill

Drejtoresha e Pronave në Prishtinë, Doruntina Maloku ka zbuluar kërkesën e çuditshme të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që eventualisht përfundoi me shpërnguljen e festivalit Sunny Hill nga Prishtina në Tiranë.

"MAPL ka kërku qarkullim bankar. Sunny Hill i ka dërgu të dhënat e ATK-së, megjithatë ky qarkullim bankar është refuzuar për arsye se, sipas drejtuesve të festivalit, ata kanë pasur frikë se të dhënat personale të artistëve që i kanë pasur më herët mund të ekspozohen dhe të bëhen shkelje ligjore", ka thënë ajo.

Kujtojmë se artistë si Diplo e Skepta do të jenë pjesmarrës në edicionin e këtij viti të Sunny Hill, i cili - fakteqësisht për të rinjtë kosovarë - zë vend në Tiranë.

Tjera nga autori:
1