<b></b> Dhuratat që s’i pamë: Besnik Bislimi mori krypore nga IPKO, raki nga Sllovenia, suvenir nga Finlanda

Dhuratat që s’i pamë: Besnik Bislimi mori krypore nga IPKO, raki nga Sllovenia, suvenir nga Finlanda

15.06.2022 12:56

Krevata, orë muri, pjata dekoruese, verëra e raki, këmisha e duksa, janë veç disa prej plot dhuratave që ka pranuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. E dhurata të ngjashme ka pranuar edhe zëvendësi i tij i parë, Besnik Bislimi. Në tekstin më poshtë mund t’i shihni dhuratat e tij.

Nacionale ka siguruar me anë të kërkesës për qasje në dokumente publike regjistrin ose katalogun e të gjitha dhuratave që ka pranuar zëvendëskryeministri i Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi përgjatë një viti ka pranuar 17 dhurata.

Dhuratat e Bislimit janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga krevatat, librat, pjatat dekoruese, mansheta e të tjera.

Për dallim nga kryeministri Kurti, Bislimi ka treguar për çdo dhuratë se çfarë lloji është, protokollare apo e rastit por as të tijat nuk kanë vlera të përcaktuara.  

Drejtori Ekzekutiv i televizionit Klan Kosova me rastin e marrjes së detyrës i ka dhuruar Bislimit dy libra. Librat janë të shkruara nga Kelmendi. Sipas dokumentit kjo dhuratë është e rastit dhe jo-protokollare.

Bislimi me rastin e ditëlindjes së tij, kishte pranuar një shishe me raki nga Republika e Sllovenisë si dhuratë të rastit.

Po ashtu ai ka pranuar edhe një suvenir me rastin e vizitës zyrtare në Finlandë nga nënsekretari i shteti për siguri në MPJ të Finlandës.

Ajo që bie në sy tek regjistri i dhuratave të zëvendëskryeministri Bislimi janë dy dhuratat që ka pranuar nga IPKO.

Këto dhurata janë quajtur ‘krypore’ dhe janë dhënë me rastin e vizitës dhe takimit me Bislimin.

Dhuratë të rastit Bislimi ka pranuar edhe nga Ambasada e Austrisë në Kosovë. Kjo ambsada Bislimit i ka dhuruar një fletore, stilolaps dhe embëlsira.

Në listën e dhuratave është edhe EULEX-i dhe ambasada të tjera.

Dhënia dhe pranimi i dhuratave si çdo gjë tjetër është e paraparë me ligj në Kosovë.

Ligji Nr. 04/L-050 Për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të lartë publikë dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë personat zyrtarë parasheh qartë se secili zyrtar që pranon dhuratë duhet të lajmërojë eprorin e tij dhe Agjencinë kundër Korrupsion.

2. Dhurata protokollare konsiderohen dhuratat e sjella nga përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare gjatë vizitave dhe rasteve të tjera, dhe dhuratat e sjella në kushte të ngjashme”, thuhet në pikën 2 të Nenit 11.

6. Personi zyrtar duhet ta informojë me shkrim eprorin e tij, nëse i është ofruar ose dhënë një dhuratë pa paralajmërim dhe në rrethana specifike. Në rast se personi zyrtar është drejtues institucioni, ai duhet ta informojë Agjencinë”, thuhet në ligj.

Ndërsa me Nenin 12 pika numër 3, parashihet se personi zyrtar nëse do ta marrë për vete dhuratën, duhen shkresa në Agjencinë kundër Korrupsion.

Dhuratat për zyrtarët shtetërorë janë bërë tëmë në vend pasi së fundi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë vizitës në Katar iu bë dhuratë një orë e markës së njohur “Rolex” me vlerë mbi 30 mijë euro.

Kujtojmë se Sveçla ka thënë se orën do t’ia dhurojë shtetit dhe nuk do ta mbajë për vete.

Tjera nga autori:
1