<b></b> Dikur protestonte për bileta autobusi si aktivist: Nipi i VV-së me mëditje të larta në Ministri

Dikur protestonte për bileta autobusi si aktivist: Nipi i VV-së me mëditje të larta në Ministri

01.06.2022 19:35

Dikur, Florent Ramqaj – këshilltari i Liburn Aliut - ishte anëtar i organizatës studentore të Vetëvendosjes (Studim, Kritikë, Veprim – SKV), dhe protestonte për bileta më të lira autobusi. Por, njëkohshëm ai punonte edhe në kompaninë e dajës së tij që tashmë është përfshirë në një aferë të rëndë korrupsioni. I veshur me pushtet, Ramqaj sot i shijon në maksimum privilegjet e pushtetit.

Situata për të duket se ka ndryshuar pasi Ramqaj u emërua në një pozicion të rëndësishëm: atë të këshilltarit të Liburn Aliut, ministër i Infrastrukturës.

Në emisionin “Ditari i Buzhalës” është raportuar se daja i Florent Ramqajt dyshohet se është përfshirë në dhënie ryshfeti e dallavere nëpër disa tenderë të Ministrisë së Infrastrukturës. Kjo pasi daja i këshilltarit të Aliut, është pronar i një kompanie projektuese private.

Megjithatë, vetë Florent Ramqaj po del se është njëri nga këshilltarët me shumë ndikim në kabinetin e ministrit Liburn Aliu. Ai nuk ka kursyer as të udhëtojë jashtë vendit e të marrë mëditje. Madje, në disa raste duke tejkaluar edhe zv/ministrat, përkundër se vet ka rolin e këshilltarit.

Gazeta Nacionale javë më parë kishte raportuar për shpenzimet e ministrave në udhëtime jashtë vendit, drekave zyrtare e mëditjeve.

Në ministrinë e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Liburn Aliu, në mesin e atyre që kanë shpenzuar më së shumti.

Në vitin 2021, Ramqaj ka marrë gati 1 mijë e 200 euro mëditje. Të gjitha këto, vetëm në muajin nëntor. Për mëditje gjatë vitit të kaluar, përveç vetë ministrit Liburn Aliu, askush nuk ka marrë më shumë para se këshilltari Florent Ramqaj. Madje, Aliu si ministër për mëditje kishte marrë 1 mijë e 976 euro, pra jo shumë më shumë se këshilltari i tij, Ramqaj.

Madje, sikur t’i mbledhësh shpenzimet e mëditjeve për dy zv/ministrat e Aliut, Hysen Durmishi e Linda Çavderbasha, shuma nuk e kalon atë të mëditjeve që ka marrë Florent Ramqaj. Durmishi e Çavderbasha morën për mëditje 1 mijë e 48 euro, kurse vetëm Ramqaj 1 mijë e 199 euro.

Florent Ramqaj keq nuk e ka lënë as për shpenzime të udhëtimit. Në vitin 2021, si këshilltar i Aliut ai është kompensuar me 755 euro bashkë me kolegun e tij këshilltar, Gent Zeqirin. Për bileta udhëtimi, asnjë cent nuk e ka marrë Hysen Durmishi si zv/ministër, përderisa zv/ministrja tjetër, Linda Çavderbasha ka marrë 884 euro për bileta udhëtimi.

Kurse, për dreka zyrtare Ramqaj është më dorështrenguar. Ai gjatë vitit 2021, ka shpenzuar vetëm 61 euro.

Kurse, deri në muajt e parë të vitit 2022, Ramqaj nuk ka pasur shpenzime të raportuara për mëditje e udhëtime jashtë vendit.

 

 

 

Tjera nga autori:
1