<b></b> Disa policë më të barabartë se tjerët: Polici që arrestoi aktivistët e PSD-së, del përkrahës i VV-së

Disa policë më të barabartë se tjerët: Polici që arrestoi aktivistët e PSD-së, del përkrahës i VV-së

17.06.2022 15:19

“Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerët”. Kushdo që e ka lexuar librin “Ferma e Kafshëve”, kjo pjesë e librit, sigurisht se iu kujton shumëçka.

Edhe në Policinë e Kosovës, po del se “të gjitha policët janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët”.  Madje, po merr formë edhe thënia e Ramiz Lladrovcit se në Kosovë “Ligji është si llastiku”.

Kjo vetëm nëse nisemi nga një krahasim tejet i thjeshtë. Amir Hoxha, polic i Kosovës muaj më parë ishte suspenduar pas një postimi në facebook, ku kritikonte se po punojnë pa shujta e pa sigurime shëndetësore.

Kohë më parë bëri bujë suspendimi i policit, Amir Hoxha. Ky i fundit për shkak të një postimi në facebook, u largua nga puna, e tash e vazhdon jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në postimin e tij, polici Hoxha aso kohe fliste për gënjeshtrat e partive politike, mungesën e buxhetit e karburantet.

Policit Hoxha iu vazhdua suspendimi për disa herë me radhë, duke bërë që përfundimisht ai të largohet nga Kosova.

Fat i njëjtë nuk po e pret një tjetër polic, që shihet se ka shprehur haptasi qëndrimet e tij politike nëpër rrjete sociale. Blerim Shala, në cilësinë e policit civil e kishte arrestuar kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj, bashkë me disa aktivistë të tjerë. Arrestimi u vlerësua i dhunshëm nga anëtarët e PSD-së, të cilët sot ngritën alaramin se polici në fjalë është përkrahës i Vetëvendosjes.

Një gjë e tillë është lehtësisht e dallueshme. Ai në profilin e tij në facebook, shpërndan shkrime përkrahëse për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, e presidenten, Vjosa Osmani.

Madje, duke e shpërndarë fjalimin e Osmanit kur u votua në Kuvend si president, polici Blerim Shala shkruan: “Le të lehin hienat”.

Veprimet e Shalës po dalin se janë në kundërshtim me ligjin dhe me Kodin e Etikës së Policisë gjithashtu.

Sipas nenit 26 në Kodin e Etikës, i cili ka titullin Paanshmëria, thuhet: “Zyrtari polcior nuk duhet të jetë nën ndikim të ndonjë partie politike, performance profesionale e zyrtarit policor nuk mund të varet nga bindjet e tij politike, e as pikëpamjet e tij. Ndërrimi i partive politike në pushtet nuk duhet të ndikojë në profesionalizimin e Policisë”.

Shpërfaqja e qëndrimeve politike nëpër rrjete sociale, është e ndaluar rreptësisht edhe me Udhëzimin Administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në kuadër të Policisë. Pikërisht me këtë udhëzim ishte suspenduar polici Amir Hoxha. Por deri më tani, duket se jo të gjithë policët janë të barabartë.

Nenin 24 i këtij udhëzimi flet për shkeljen e rëndë të autorizimit dhe thotë: “Kur publikon shfaq, shpërndan, foto, video e incizime që dëmtojnë rëndë imazhin e Policisë”

Në konferencë për media të PSD-së, Frashër Krasniqi ka bërë të ditur se rastin do ta dërgojnë në Inspektorat Policor. Këta të fundit, megjithatë nuk kanë nisur ndonjë hetim.

"Deri tani Inspektorati Policor i Kosovës nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me sjelljet e zyrtarëve policor apo pretendim për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës me rastin e arrestimit", thuhet në përgjigje.

Sidoqoftë, IPK do të trajtojë secilin pretendim për tejkalim të autorizimeve ligjore apo nivelit të përdorimit të forcës nga zyrtarët policorë.

“Polici Blerim Shala, i cili përdori dhunë dje nga postimet e tij në Facebook shihet se është qartë militant i VV-së duke shpërndarë postime të ministrit Sveçla, u thotë “hiena” kundërshtarëve të presidentes Vjosa Osmani, i cili i quan deputetët e opozitës “gërdi” dhe shpërndanë gjatë gjithë kohës postime pro qeverisë”, ka thënë Krasniqi.

“Pra, jemi duke folur qartë për një militant të VV-së. I cili, jo që suspendohet nga puna kur bën postime politike, por atë e ndërsejnë që të dal e t’i rrah aktivistët e PSD-së në rrugë”, është shprehur Krasniqi.

Pak orë pas arrestimit, Dardan Molliqaj dhe anëtarët e tjerë të PSD-së janë liruar.

Tjera nga autori:
1