<b></b> Dita e 19-të larg Kosovës: Kurti në Zvicër për Forumin Ekonomik Botëror

Dita e 19-të larg Kosovës: Kurti në Zvicër për Forumin Ekonomik Botëror

24.05.2022 09:04

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet në Davos dhe kjo është dita e nëntëmbëdhjetë e tij jashtë Kosovës.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti aty do të takohet me përfaqësues të kompanive të ndryshme dhe liderë politikë, si dhe do të marrë pjesë në panelin “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor”.

Gjatë qëndrimit në Zvicër, Kurti gjithashtu do të zhvillojë takime me mërgatën.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Kurti ka takuar përfaqësues të kompanisë PayPal.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Kurti në këtë takim ka treguar potencialin teknolgjik të Kosovës.

Në njoftimin e qeverisë, thuhet se indikatorët pozitivë ekonomikë, rritja ekonomike impresive dyshifrore, si dhe potenciali që ka Kosova në fushën e teknologjisë së informacionit u theksuan nga kryeministri Kurti në takimin me Richard Nashin, zëvendëspresident i PayPal dhe drejtues i Grupit për Marrëdhënie Globale me qeveri dhe me Franz Paaschen, zëvendëspresident i lartë i PayPal dhe drejtor i Çështjeve Korporative.

Kryeministri theksoi shkallën e lartë të përdorimit të internetit në Kosovë, rritjen e nivelit të shfrytëzimit të tregtisë elektronike e-commerce dhe blerjeve online, si dhe dërgimin e remitencave nga mërgata, si faktorë të rëndësishëm e të dobishëm që PayPal-i të përfshijë edhe Kosovën në platformë.

Duke potencuar interesat e përbashkëta, projektet dhe planet drejt bërjes së Kosovës si qendër e ardhshme e teknologjisë së informacionit në Evropën Juglindore, kryeministri ftoi drejtuesit e ‘PayPal’-it që të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, Kurti për këto vizita si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si në Zvicër po kritikohet për mungesë të transparencës ndaj qytetarëve.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, ka kritikuar Kurtin se nuk po është transparent se çka po bisedohet në këto takime.

Lëvizja këtynehere u çartke kur Kryeministrat e asaj kohe nuk ishin transparentë me i tregue publikut se çka është folë në takimet me zyrtarë të naltë të shteteve tjera. Sot s'tregojnë as çka kanë folë e çka është vendosë në kuzhinë të PayPal apo në dhomat e vocrra të konferencave të LinkedIn e Uber, e tjerave që u vizituan gjatë ekskursionit gati një muajsh me pare publike nëpër Amerikë”, ka shkruar Ismali.

Vizita në SHBA

Kryeministri i Kosovës para se të shkonte në Zvicër, ka qëndruar për rreth 17 ditë në Amerikë.

Kurti në Amerikë rëndësi të veçantë u dha takimeve me përfaqësues të kompanive teknologjike dhe inovative.

Në ditët e fundit të tij, Kurti atje takoi edhe kongresmenë dhe senatorë amerikanë.

Takimi më i rëndësishëm i Kurtit për nga niveli politik, ishte ai me këshilltarin i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan.

Kurti e falënderoi z.Sullivan për kontributin dhe mbështetjen për vendin tonë, dhe për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale.

Ndërsa këshilltari Sullivan shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Kosovës për refugjatët afganë dhe për strehimin e përkohshëm të tyre në Kosovë.

Takimet dhe vizita në Amerikë e kryeministrit Kurti u diskutuan gjerë e gjatë në opinion publik në vend.

Disa e kritikuan për takimet e pakëta me nivele të larta të zyrtarëve amerikanë, teksa anëtarët e partisë së tij e përkrahën atë.

Kujtojmë se Kurti me mburrje ka thënë se vizita e tij në Amerikë është më e gjata që ka bërë ndonjëherë ndonjë kryeministër i Kosovës.

Tjera nga autori:
1