<b></b> Dita e dymbëdhjetë në SHBA, ku është sot kryeministri Kurti

Dita e dymbëdhjetë në SHBA, ku është sot kryeministri Kurti

17.05.2022 08:59

Që dymbëdhjetë ditë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo vizitë, sipas vetë Kurtit, është vizita më e gjatë që ndonjë kryeministër i Kosovës e ka bërë ndonjëherë në SHBA. Në Amerikë, kryeministri i Kosovës ka qëndruar në disa shtete të ndryshme. Por se çka do të sjellë Kurti nga atje dhe kur do të rikthehet në Kosovë mbetet të shihet.

Krejt çka kryeministri i vendit Albin Kurti ka bërë dje (16 maj) në SHBA ka qenë një vizitë në Universitetin DePaul, ku mbajti një ligjëratë të hapur.

Të paktën kështu u bë e ditur nga vetë faqja zyrtare e Kryeministrisë.

E një e arritur e Kurtit e publikuar po ashtu në faqen e Qeverisë së Kosovës, është intervista e kryeministrit Kurti në CBS News Chicago. Diçka tjetër nga Kurti dje nuk pamë.

Por, të martën në mëngjes, Albin Kurti në faqen e tij zyrtare ka publikuar disa nga pikat të cilat u miratuan nga kabineti qeveritar në mbledhjen e së hënës.

Ky kabinet për të dytën herë u mblodh pa praninë e Kurit. Por siç duket, kryeministri po tregon se është në rrjedha të zhvillimeve qeveritare në vend.

Kë takoi deri sot Kurti në SHBA?

Gjatë gjithë kësaj kohe, ai ka takuar një mori biznese të famshme amerikane, pak politikanë të rangut jo të lartë, e shumë shqiptarë që jetojnë në Amerikë. Megjtihatë, Kurti nuk ngurroi të lëvdohet në lidhje me vizitën e tij në ‘tokën e premtuar’.

Gjatë një ligjërate në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin DePaul të Çikagos, i pari i ekzekutivit kosovar tha se vizita e tij në SHBA është më e gjata se e cilitdo kryeministër tjetër të Kosovës.

“Një javë më parë fillova këtë vizitë të planifikuar prej kohësh në Shtetet e Bashkuara. U ndala në Uashington DC për një takim me Millennium Challenge Corporation (MCC), vazhdova drejt perëndimit për në Kaliforni, dhe tani po kthehemi përsëri, në një imitim të ndonjë udhëtimi të madh rrugor amerikan. Deri më tani kemi qenë në San Francisko, Dallas, Des Moines dhe do të kemi disa vizita të tjera në Detroit, Uashington, Boston dhe Nju Jork, duke e bërë këtë vizitën më të gjatë që një kryeministër i Kosovës ka bërë ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara”, tha tutje Kurti.

Është përfolur shumë se kryeministri Albin Kurti do të takohej me Zëvendës-presidenten Kamala Harris në vizitën e tij të gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Por, kjo e fundit nuk e priti takimin, e u nis ‘në anën tjetër’ të dynjasë.

Sipas Associated Press (AP), Kamala Harris po udhëheq një delegacion zyrtarësh të lartë amerikanë që po udhëtojnë sot drejt Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) për të nderuar liderin e kësaj federate që vdiq së fundi, dhe për t’u takuar me presidentin e ri.

“Ky udhëtim shenjon vizitën e parë të nivelit të lartë nga administrata Biden në Abu Dhabin e pasur me naftë, e që ka për qëllim të tregojë mbështetjen e fortë derisa Amerika provon të riparojë marrëdhëniet me partnerin e saj, veçanërisht mes peizazhit gjeopolitik që po ndryshon shpejt nga lufta e Moskës në Ukrainë”, shkruan AP, përkthen në shqip Nacionale.

Delegacioni përfshin Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, po ashtu. Por, mes tjerëve, edhe miqtë e Kosovës si William Burns dhe John Kerry.

Për shumë ditë ka pasur thashetheme në Kosovë se Kurti megjithatë do të arrinte në Shtëpinë e Bardhë për një takim me rëndësi. E emri i përmendur ishte pikërisht Kamala Harris, zëvendësja e Presidentit Joe Biden.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hyrë në ditën e tij të dymbëdhjetë të vizitës në Amerikë dhe nuk ka takuar asnjë zyrtar të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit apo të Shtëpisë së Bardhë.

Një dështim i tillë është cilësuar si “alarmues” për njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në vendin tonë, derisa është kritikuar edhe nga opozita e vendit.

Ndërkohë, nuk dihet nëse ndonjëri prej zyrtarëve të lartë amerikanë do të rikthehet në SHBA, duke shtuar gjasat e Kurtit për takim. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1