<b></b>

"Do ta kthejmë sidomos Elezin", fjalët e Vjosës dhe Albinit për ikjen e qytetarëve nga Kosova që mund t'ju lënë pa fjalë

19.05.2022 13:36

Ikja e kosovarëve po dështon të bëhet temë e rëndësishme, përkundër që bëhej vazhdimisht e vazhdimisht në të kaluarën. Më poshtë po sjellim dy deklarata të rëndësishme nga dy krerët më të lartë institucionalë për temën në fjalë.

Mbi 200 mijë aplikime për viza pune në Gjermani janë dorëzuar nga kosovarët për katër muajt e parë të këtij viti. Ky është një realitet i trishtë që nuk po e merr vëmendjen e duhur në debatin publik në Kosovë. Për fat të keq, për këtë çështje nuk ka folur asnjëherë të vetme, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, por as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Shifrat e reja të këtij muaji për aplikime nuk dihen, por ajo që dihet është se nga dy krerët më të lartë institucionalë të lartpërmendur ka deklarata të shumta që denonconin qeveritë e mëhershme për ikjen e qytetarëve nga vendi i tyre.

 A L B I N I 

Kryeministri i Kosovës aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një vizitë të gjatë me takime zyrtare e jozyrtare.

Agjenda e tij politike është parë si e zbehtë nga opozita. Ndërkohë, agjenda e tij ekonomike dhe vizitat në Luginën e Silikontë (ang. Silicon Valley) janë parë si naive dhe të papërgatitura.

Kurti ka përmendur veçanërisht mundësinë që nga kjo vizitë të thithen investime të jashtme direkte për në vendin tonë, çka në një mënyrë do të ndikonte në uljen e papunësisë dhe në rritjen e shpresës për qytetarët që po ikin nga vendi i tyre. Gjendja me investimet e jashtme direkte është alarmante, dhe fryma anti-biznes në Kosovë mund të ketë pjesërisht faj. 

Por, deklarimet për shifrat alarmante të qytetarëve që po ikin nga Kosova, nuk janë përmendur asnjëherë nga pozicioni i kryeministrit.

Kurti me dhjetëra, e ndoshta me qindra herë, kishte denoncuar qeverisjet e mëparshme kur ndodhnin valë të tilla emigrimi, por një rast lë përshtypje më të theksuar nga e kaluara.

Bëhet fjalë për një takim në Klinë, më 23 prill të vitit 2019, disa muaj para se t’i fitonte zgjedhjet e 6 tetorit të atij viti.

“Me zgjedhje të reja dhe Vetëvendosjen në qeverisje, pushojnë arsyet që të ikin qytetarët, dhe, jemi ne ata që do të krijojmë kushtet të kthehen edhe ata që kanë shkuar, e sidomos prokurori Elez Blakaj“ – Albin Kurti.

Siç tashmë e thamë, qytetarët vazhdojnë të ikin nga vendi dhe siç tashmë e dimë, ata nuk po kthehen, meqë nuk janë krijuar kushtet për një gjë të tillë. Po ashtu, e dimë se as prokurori Elez Blakaj nuk është kthyer siç thotë në videon e mësipërme kryeministri si kandidat për kryeministër.

Kryeministri i Kosovës gati në secilën paraqitje publike po përmend shifrat e rritjes ekonomike dhe sidomos ato të të punësuarëve, por qytetarët nuk po binden.

 V J O S A 

Vjosa Osmani-Sadriu u bë presidente e Kosovës më 4 prill të vitit 2021.

Ajo bëri bujë të madhe gjatë javës së kaluar pas raportimit nga mediet turke se i ishte nënshtruar një operacioni për zvogëlim të lukthit. Një raportim tjetër ishte edhe në lidhje me disa filma që i kishte shikuar me para të shtetit gjatë një vizite para dymbëdhjetë vitesh në Amerikë. Ndërkohë që i fundit ishte në lidhje me pjesëmarrjen e saj në një sfilatë mode, nën shoqërinë e njerëzve të pasur.

Por, edhe Vjosa Osmani ka folur po ashtu për ikjet e qytetarëve nga vendi në të kaluarën, edhe pse një gjë të tillë nuk po e bën tash.

“Shifra alarmante të azilkërkuesve nga Kosova. Të lodhur nga varfëria me një papunësi deri në 45 për qind, mijëra qytetarë për çdo vit po ia mësyjnë Evropës. Kjo i bie se çdo vit Kosovës i zhduket nga harta një qytezë e madhësisë mesatare. Me këtë keqqeverisje, Kosova vështirë të fitojë liberalizimin e vizave në 10 vitet e ardhshme”, thoshte më 7 korrik të vitit 2014, asokohe deputete, Vjosa Osmani.

Por, nëse ato shifra Osmani i quante “zhdukje nga harta të një qyteze të madhësisë mesatare”, si do të përkufizohej shifra prej 200 mijë aplikimeve? Zhdukje e dy Prishtinave?

Osmani do ta pauzonte rolin e saj si opozitare pas formimit të Qeverisë Mustafa në fund të vitit 2014, dhe nuk do të fliste më për temën në fjalë. Sidoqoftë, përdorimi i figurave nga dy krerët e shtetit mund t’i shërbejë opozitës si mësim se si popullarizohen temat e rëndësishme.

Tjera nga autori:
1