<b></b> Durmishi pranon se ka korrupsion, aktivistët e VV-së përplasen për aferën –  top ngjarjet e 8 qershorit

Durmishi pranon se ka korrupsion, aktivistët e VV-së përplasen për aferën –  top ngjarjet e 8 qershorit

09.06.2022 08:37

Njerëz të qeverisë kanë konfirmuar akuzat që rëndojnë mbi ta, të publikuara nga Gazeta Nacionale në aferën “Jaranat e Liburnit”. Influencerë të Lëvizjes Vetëvendosje janë përplasur me njëri-tjetrin, e përsëri ishte shkak skandali i Ministrisë së Infrastrukturës. Një portal i porsahapur, i afërt me VV-në, ka publikuar një video të vizitës së Kurtit në Shtab të UÇK-së. Doli të jetë ‘autogol’, meqë edhe me fakt dëshmoi edhe një herë që Kurti s’ka qenë kurrë ushtar i UÇK-së. Jashtë VV-së, në Kosovë, pronarët e pompave kanë thënë për Nacionalen se mund të mbeten pa naftë, duke shtuar shqetësim, paçka se ka boll, meqë çmimi për litër nafte është gati 2 euro.

Ngjarjet e lartpërmendura janë disa nga kryesoret që ndodhën dje, më 8 qershor. Shumica u lidhën me Vetëvendosjen. Qeveritarët e kanë hise të përbëjnë lajm.

Hysen Durmishi për incizimet e Nacionales: Për aq sa kemi dëgjuar bëhet fjalë për vepër korruptive

Zëvendës-ministri i Infrastrukturës ka folur sërish rreth skandalit të përgjimeve, të publikuar një javë më parë nga Gazeta Nacionale, gjegjësisht episodi i tretë i "Ditarit të Buzhalës".

Hysen Durmishi, ka thënë se në bazë të asaj që është dëgjuar në përgjimet e publikuara disa ditë më parë, bëhet fjalë për aferë korruptive dhe kërkon që prokuroria të hetojë.

Ai ka thënë se bazuar në atë që ka dëgjuar, ka të bëjë me aferë korruptive.

“Në një emision është paraqitur një incizim, nuk e di çka është saktë, ajo zhvillohet në mënyrë të mbyllur. I kam disa çështje që dua t’i them. Berat Buzhala i ka publikuar ato përgjime duke pretenduar se kanë qenë në hetime, kinse nuk kanë qenë në gjendje policia ta hetojë. Nëse ka qenë kjo punë në prokurori dhe nëse ndonjë prokuror eventual nuk ka guxuar të hetojë pse nuk është lajmëruar në KPK. Apo së paku të bëhet e ditur se kush kanë qenë ata prokurroë që nuk kanë guxuar të hetojnë”, ka thënë Durmishi në ATV.

Tutje, ai ka thënë se Florent Ramqaj, këshilltar i Liburn Aliut, nuk përmendet në përgjime.

“Nuk ka version Florent Ramqaj, pasi ai nuk përmendet në përgjim por e përmendin. Si është trajtuar kjo çështje. Jemi duke folur për një rast ku një zyrtar i një kompanie diskuton me një zyrtar tjetër që nuk e dimë as kush është. Në bazë të asaj që kemi dëgjuar kemi të bëjmë me një vepër korruptive dhe kërkojmë nga prokuroria dhe gjykata të marrin masa”, shton Durmishi.

Influencerët e VV-së përplasen pas skandalit me haraç: Zbulojnë gjëra të çuditshme për njëri-tjetrin

Akuza të rënda po rëndojnë në drejtim të dy influencuesve të partisë në pushtet (VV). Çka kemi mësuar prej tyre?

Vetëvendosje ka pasur një ndihmë të madhe për të arritur deri te suksesi i jashtëzakonshëm në zgjedhjet e 14 shkurtit edhe nga personalitete me ndikim (të quajtur shpesh influencers) në rrjetet sociale të Internetit. Por, kjo ndihmë duket se nuk ka ardhur ashtu siç kemi menduar të gjithë: në mënyrë parimore.

Kjo mund të thuhet nëse ndjekim me kujdes përplasjet që po zhvillojnë ndaj njëri-tjetrit dy influencerët e Vetëvendosjes, Blendi Zymi dhe Mentor Llugaliu.

Mbështetja e Zymit dhe Llugaliut në platformën Facebook ka qenë më me ndikim sesa e shumë deputetëve të Vetëvendosjes. Por, nëse besojmë fjalët që këta i thonë për njëri-tjetrin, mbështetja e tyre nuk ka qenë pa asnjë kusht.

Zymi i thotë në një postim Llugaliut se ka pasur ambicie për pushtet goxha të madh pas ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet, pas një sulmi që ky i fundit i bëri atij.

“Badihava sulmo o zotni, e ke hupë edhe qat trohë kredibiliteti që e ke pasë në shoqni se tash mo krejt e dinë që ke provu me u bo drejtor në Urbanizëm të Komunës së Podujevës tu u thirrë kishe në 2000 vota; ke tentu me shku në bord të RTK-së, edhe aty dështim e ki... në Ministri të Mjedisit ke pasë marak me marrë drejtorinë e ujërave, edhe aty dështim e ke pasë, qaq larg ke shku sa që ke tentu me mrri edhe te Kryetari i Kuvendit me folë për dy drejtoritë e fundit. E lidhje nuk ki me këtë punë, ti ma shumë se postime n’Fb s’din me bo...”, ka shkruar Zymi në profilin e tij në Facebook.

Debati në mes të influencerëve ishte i gjatë, shihe të plotë KËTU.

Portali i afërt me Vetëvendosjen e dëshmon me video që Albin Kurti kurrë nuk ka qenë ushtar i UÇK-së

Një video është shpërndarë në një portal i porsahapur, por që gëzon përkrahjen e pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje. Aty shihet kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, në kohë të luftës.

Në videon e publikuar nga portali “Kosova Neës”, e cila u cilësua ekskluzive, ndonëse nuk është e tillë, shihen udhëheqësit e lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ditë më parë, zëdhënsi i VV-së, Arlind Manxhuka, shpërndau një shkrim të këtij portali, ndonëse kishte më pak se 2 ditë që ishte formuar.

Jakup Krasniiq, Ramë Buja e Sokol Bashota shihen të uniformuar. E krahas mysafirëve të huaj, në Shtab të UÇK-së shihet edhe Kurti.

Dy gjëra bien në sy në videon e publikuar.

E para, ndryshe nga Krasniqi e të tjerët, Kurti shihet në rroba civile. Pra kryeministri atëbotë ishte i pauniformuar. Kurti në video është pa uniformë të UÇK-së dhe është i veshur me një pallto pa emblemë të UÇK-së.

Çmimi i naftës në Kosovë po shkon drejt 2 euro litri, por një tjetër rrezik e paralajmërojnë naftëtarët

1.82 euro është çmimi i ri i litrës së naftës sot në Kosovën ku paga minimale është 170 euro. Ky çmim pësoi ndryshim ditëve të fundit, me arsyen se në tregun ndërkombëtar ka rritje të çmimeve.

Por, përveç këtij çmimi shqetësues për qytetarët e Kosovës, pompat e derivateve kanë edhe një shqetësim shtesë. Të njëjtit thanë për gazetën Nacionale se Kosova mund të mbetet pa naftë, brenda javës, nësë ndërpritet furnizimi nga jashtë.

Menaxheri i “Italian Petrol”, Zekim Istogu, thotë se kanë kufizime në marrjen e naftës nga Shqipëria dhe Greqia, ditëve të fundit.

“Arsyeja e ngritjes së çmimeve është nga tregu ndërkombëtar. Ditëve të fundit ka pasë rritje të vazhdueshme. Kulmi i kësaj ka qenë të hënën, kur është rritë për 74 dollarë, që i bie rreth 7 centë brenda një dite. Kjo ka ndodhë në krejt historinë e pllacit, me u rritë çmimi kështu veç 3, 4 herë”, thotë Zekim Istogu, menaxher i operativës në IP.

Istogu shton se një vendim i BE-së për ndalimin e furnizimit me naftë nga Rusia, ka bërë që vendet nga të cilat furnizohet Kosova me naftë, të sjellin kufizime në litrat që mund të blejnë kompanitë.

“Furnizimin e kemi kryesisht nga porti i Durrësit dhe nga Greqia. Telashe kemi sepse ka kufizime, bile mundet me pasë rrezik për me pasë shkurtime në furnizim në 10-ditëshin që vjen, sepse ka mungesë në rajon. Me Greqinë ka pasë pengesa, s’na kanë dhanë sa kemi kërku, sepse ëshë një vendim i BE-së që ka vendosë me i ndalu furnizimet me naftë nga Rusia. Ne vazhdimisht i paralajmërojmë që kështu do të jetë, vështirësi, sepse s’kemi rezerva. Kosova mundet me mbetë pa naftë brenda javës nësë ndërpritet furnizimi nga jashtë”, tha menaxheri Istogu.

Tjera nga autori:
1