<b></b> Dy dialogët e Kosovës me BE-në: Lëvizjet që s'e lëkundën neutralitetin e saj

Dy dialogët e Kosovës me BE-në: Lëvizjet që s'e lëkundën neutralitetin e saj

09.05.2022 17:37

Kosova është e përfshirë në dy dialogë të rëndësishëm që pritet ta përcaktojnë fatin e saj, dhe të dy janë të lidhur me BE-në. Por, BE-ja vazhdon të mbetet neutrale sa i përket shtetësisë së Kosovës, për shkak se kjo shtetësi nuk njihet nga pesë shtete anëtare të bllokut. Çka ndryshoi ndërkohë?

Një dekadë më herët, Kosova njëzëri ishte optimiste rreth integrimit në BE. Madje, ish-kryeministri Hashim Thaçi gjatë takimit themelues të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, në vitin 2012, pati deklaruar, “nëse dekada e parë e këtij shekulli mund të konsiderohet si periudhë e krijimit të shtetit të Kosovës, kjo dekadë është dekada e Evropianizimit dhe Integrimit të Kosovës në strukturat Euro-Atlantike. Pra, vizioni im i Kosovës në fund të kësaj dekade është vizion i Shtetit tonë të dashur, si shtet i bazuar në dije, me mirëqenie socio-ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës, të integruar në BE dhe NATO.”

Mirëpo procesi i integrimit të Kosovës në BE, rezultoi më i komplikuar se që ishte menduar në fillim. Rrugës numri i pengesave rritej, ndërsa përparimi ynë në raport me pritshmëritë nuk shquhej shumë nga përfaqësuesit e BE-së. Tri vite zgjati periudha deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA), ndërsa periudha në mungesë të liberalizimit të vizave, akoma vazhdon të jetë në fuqi.

Përveç listës së zakonshme të kërkesave apo standardeve për t’u plotësuar, në rastin e Kosovës, në horizont u paraqiten sfida të natyrës politike. Fakti që Kosova mbetej e panjohur nga një pjesë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, asaj i hapi pengesa të këtij lloji.

Pengesat politike

Procesin integrues të Kosovës e kishte bërë krejt të veçantë mungesa e njohjes nga një numër i vendeve anëtare të BE-së. Duke qenë në një pozitë të tillë, si vend me shtetësi të kontestuar, e na shtyri në një dialog të dyfishtë. Së pari, në një proces me burokracinë e Bashkimit Europian, në çështjen e plotësimit të kushteve të mbarëvlefshme, dhe së dyti, në një dialog me Serbinë, nëpërmjet të cilit, synohej arritja e njohjes nga shteti serb. Kësisoj, Kosova do të përfundonte përgjithësisht e izoluar, e panjohur nga pesë shtete të BE-së që presin fundin e dialogut të dytë.

Nga atëherë e deri më tani, është qartësuar se rruga e Kosovës për integrim në BE qëndron në këtë dialog të dytë, atë me Serbinë, i cili do të siguronte njohjen nga vendet anëtare. Rrjedhimisht palës kosovare i është bërë e ditur se rruga do të jetë më e komplikuar, thënë butë, meqë do jetë rrugë e pahasshme më parë.

Sidoqoftë, Kosova, sot e kësaj dite, mbetet e panjohur nga këto pesë vende, dhe në një gjendje jopremtuese të dialogut të dytë, që do të sillte këto njohje. Një ndër pyetjet më të rëndësishme për t’u shtruar, është se si do të mund të vepronte Kosova përballë kësaj gjendjeje?

Pa dyshim se, paralelisht me procesin dialogues, politikëbërja kosovare do të duhej të organizonte aktivitet diplomatik te këto vende mosnjohëse. Kjo do të duhej të ndërmirrej, duke shkoqitur këto vende nga ky grupim mosnjohës. Kjo gjë do të arrihej nëpërmjet krijimit të raporteve individuale me secilin prej tyre — qoftë kjo edhe raporte krejt të zymta e të pashpresa, për synimin në fjalë.

Shembullin e kësaj mundësie alternative të veprimit diplomatik, e paraqet Greqia dhe lëvizjet e fundit diplomatike të saj, karshi Kosovës.

Rasti i Greqisë

Vizita e udhëheqësit të diplomacisë greke, Nikos Dendias, në nëntor të vitit 2020, e cila më pastaj u shoqërua me një vizitë të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, në Greqi, gjatë qeshorit 2021, dhanë sinjale pozitive. Drejt bashkëpunimit, me synim arritjen e njohjes u kanalizuan forca dhe energji të reja.

Nga burime të ndryshme flitej se Greqia tashmë po rishqyrtonte pozicionin e saj në çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Për një përparim të tillë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Greqisë, shkruhej e flitej nga figura të shquara të lidhura me Vetëvendosjen. Mirëpo, gjërat nuk rodhën mbi bazën e atij skenari.

Në të vërtetë, një afrim i vazhdueshëm në mes qeverive të dy vendeve kishte ndodhur. Tashmë Greqia ishte ndarë nga ai grupimi i pesëshes mosnjohëse të BE-së, dhe në mes Kosovës dhe Greqisë kishte një raport më të veçuar sesa ai qëndrimi zyrtar i mëparshëm, në formë të mohimit kategorik që ekzistonte.

“Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë me Greqinë – populli i Kosovës me popullin grek, qeveria e Kosovës me qeverinë greke. Nuk ka çështje të pazgjidhura. Ka një urë të cilën duhet ta kapërcejmë dhe ka ardhur koha që Greqia ta njohë Kosovën dhe para kësaj, dhe sidomos pas kësaj, do të mund të rrisnim bashkëpunimin tonë ekonomik me investime ekonomike, por edhe këmbimet tona tregtare”, ka thënë kryeministri Kurti, para disa ditësh.

Ndërsa kërkesës së tij, qeveria greke nëpërmjet Chryssoula Aliferi, udhëheqëses së “Zyrës ndërlidhëse të Athinës” në Prishtinë, i është përgjigjur ndonëse “pozicioni i Greqisë ka ndryshuar pjesërisht, duke votuar për liberalizimin e vizave, ka përkrahur të ardhmen e Kosovës brenda BE-së, mirëpo në temën e njohjes pozicioni i Greqisë mbetet i pandryshuar.”

Megjithëse, ky përmirësim i marrëdhënieve kosovaro-greke, akoma nuk ka sjellë frytin e saj, njohjen e Kosovës, nga Greqia, ai përfundimisht ka ofruar një shembull që do të mund të ndiqej nga Kosova, në marrëdhëniet që do të duhej të nxiste me vendet e tjera, të këtij grupi të pesë vendeve.

Tjera nga autori:
1