<b></b> Dy ditë pas raportimit të Nacionales, Vushtrria anulon super-kamionin

Dy ditë pas raportimit të Nacionales, Vushtrria anulon super-kamionin

21.06.2022 13:42

Është anuluar tenderi nga Komuna e Vushtrrisë vetëm dy ditë pas raportimit nga Nacionale për blerjen e një “super-kamioni” për mbeturina për kompaninë publike lokale “Përparimi SH.A.”.

Javë më parë, Komuna e Vushtrrisë ka hapur tender për blerjen e një kamioni të përdorur për kompaninë publike lokale “Përparimi SH.A”, me vlerën e parashkruar prej 41 mijë e 150 eurove.

Mirëpo, tani ky tender është anuluar dhe arsyet janë qesharake.

Në vendimin për anulimin e tenderit thuhet se kjo po bëhet për shkak të mungesës së mjeteve financiare nga Ndërmarrja NPL Përparimi Sh.A.

“Arsyetim – Ky anulim vijë si pasoj e mungesës së mjeteve financiare pasi që Ndërmarrja NPL Përparimi Sh. A nuk mundë të siguroj mjetet,” - thuhet në arsyetmin e tyre me gabime drejtshkrimore.

Për çfarë super-kamioni bëhej fjalë?

Komuna e Vushtrrisë ka hapur tender për blerjen e një kamioni të përdorur për kompaninë publike lokale “Përparimi SH.A”, me vlerën e parashkruar prej – mbajeni frymën -  41 mijë e 150 eurove.

Në shpalljen e publikuar, emërtimi i këtij tenderi mban titullin “Furnizim me kamion per mbeturina- I përdorur” e cili pritet të kushtojë jo më pak se 41 mijë euro.

Në përshkrimin e kontratës thuhet se kamioni është për “NPLP-Sh.A Vushtrri”.

Ka të bëj me furnizimin me kamionin per mbeturina per NPLP-Sh.A Vushtrri.”, thuhet shkurt në përshkrimin e lëndës së kontratës.

Në anën tjetër, personi kontaktues për këtë shpallje, Azize Krasniqi, ka thënë se çmimi i lartë është për shkak se ka specifika.

Po procedura është hapur, ka kohë. Nëse çmimi është i lartë atëherë ka specifikat e veta”, ka thënë ajo për Nacionale.

Në anën tjetër Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes Publike Lokale Përparimi SH.A., Fadil Bahtiri, për Nacionale kanë thënë se janë bërë disa gabime në shpalljen e këtij tënderi.

Bahtiri në një bisedë për Nacionalen ka thënë se rritja e çmimit është bërë për të rritur konkurrencën dhe në mënyrë që të mos pranonin kamion të dëmtuar ani pse është specifikuar që kamioni duhet të jetë i përdorur.

“Ne i dimë vlerat e tregut dhe në bazë të çmimeve që e kemi qitë që është çmimi i lartë dhe nuk ka mundësi me pagu duke e ditë se në bazë të çmimit ne e bëjmë një farë rritje të kriterit ku jepim me nënkuptu se ne pranojmë gjithçka edhe pse është i përdorur. Pra ne kemi dashtë me rritë me këtë vlerë të çmimit edhe pse aty na ka ikë një detaj i vogël por për mos me ndërhy sepse është mbyllur si duket afati. Na ka ikë një vlerë pak ma e madhë se sa e kemi parashiku e çmimi u kanë 30 e dicka mijë euro por e kemi lanë se në këtë aspekt e rritë pak edhe konkurrencën,” ka thënë ai.

Në anë tjeter më një kërkim të thjeshtë në internet del që asnjë nga kamionët për mbeturina, e të cilët janë përdorur, nuk kushtojnë madje as 10 mijë euro.

Asamblisti i VV-së në komunën e Vushtrrisë, Refik Maloku, ka ngritur dyshime edhe për mënyrën se si është formuar kjo ndërmarrje.

Ndërkohë, më 13 nëntor, ish kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka bërë të ditur se me vendim të Qeverisë së vendit është themeluar Ndërmarrja Publike Lokale “Përparimi”, në Vushtrri.

Përparimi” sot iu rikthye Vushtrrisë si NPL me Komunën e Vushtrrisë 100% aksionare. Falënderoj Qeverinë e Kosovës dhe Kryeministrin Hoti për mbështetjen e këtij projekti tonë. Punëtorët e sigurimit dhe të pastrimit të objekteve komunale që dikur u larguan nga puna, si tepricë, një padrejtësi e madhe, tani do të rikthehen përmes kësaj kompanie”, thuhet në postimin e kryetarit të komunës Xhafer Tahiri.

Sipas Tahirit, parkingjet publike, liftet dhe hyrjet e banesave kolektive, hapësirat publike dhe gjelbërimi i qytetit tani e tutje do të kryhen nga “Përparimi” në Vushtrri.

Kjo ndërmarrje ishte themeluar më vendim të Qeverisë Hoti.

Tjera nga autori:
1