<b></b> Dy javë në SHBA, një takim i Kurtit me këshilltarin e presidentit Biden

Dy javë në SHBA, një takim i Kurtit me këshilltarin e presidentit Biden

20.05.2022 13:23

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prej dy javësh ka filluar vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prej 6 majit, kur i pari i qeverisë ka udhëtuar për në SHBA, ai ka zhvilluar takime me biznese amerikane, pjesëtarë të diasporës shqiptare dhe kongresistë e senatorë amerikanë.

Në pjesën e fundit të vizitës së tij, ai ka udhëtuar në Uashington, ku është takuar me këshilltarin e presidentit Biden për sigurinë kombëtare, Jack Sulivan.

Ky po konsiderohet si takimi më i rëndësishme i Kurtit në qëndrimin e tij të gjatë në tokën amerikane.

Fotoja e këtij takimi e bërë në një korridor të një ndërtese, ka nxitur reagime të shumta në shoqëri.

Kryeministri Kurti e ka falënderuar zyrtarin e lartë amerikan për kontributin dhe mbështetjen për Kosovën dhe për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim është diskutuar edhe për invazionin dhe agresionin në Ukrainë dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj në rajon.

Disa media kanë raportuar se gjatë vizitës mund të pritet një takim me Zëvendës-presidenten Kamala Harris, por deri më tani një takim i tillë nuk ka ndodhur.

Mungesa e takimeve të kryeministrit Albin Kurti me zyrtarë tjerë të lartë amerikanë është parë si shqetësuese nga njohësit e rrethanave politike në vend.

Analisti politik Ilir Ibrahimi, ka thënë për gazetën Nacionale se kryeministri gjatë kësaj vizite duhet të këtë takime të rëndësishme dhe të tregojë gatishmëri për t’i përmbushur obligimet që i ka marrë Kosova.

“Këto kanë qenë edhe pritjet që janë përsëritur disa herë nga zyrtarë të niveleve të ndryshme të administratës amerikane. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë kjo duhet të shihet si alarmante për shtetin e Kosovës, sepse është një tregues se ka mospajtime ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe administratës së SHBA-ve. Aleanca me SHBA-të është e interesit vital shtetëror dhe çdokush që e vë në pikëpyetje këtë aleancë apo e cenon atë në ndonjë mënyrë, e cenon interesin nacional të vendit. Edhe një herë unë dua të besoj se kryeministri ka një strategji të qartë gjatë kësaj vizite, dhe do të na befasojë të gjithëve për të mirë”, ka deklaruar Ibrahimi.

Edhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka thënë se një kryeministër i Kosovës gjatë vizitave në Amerikë duhet të takojë zyrtarë të lartë.

“Një vizitë kaq e gjatë nuk është e rëndomtë për një lider të një shteti, e aq me tepër që nuk ka takime me Sekretarin e Shtetit, Sekretarin e Mbrojtjes dhe as me Presidentin apo Zëvendës-presidenten”, ka thënë ajo për Nacionalen.

Takimet e Kurtit gjatë vizitës në SHBA

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti është mirëpritur në takim nga Kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Më pas, ai ka filluar takime me biznese amerikane kryesisht të fushës së teknologjisë në Silicon Valley, kompani të cilat i kishte kritikuar më herët.

“Takimet e nisura në Silicon Valley, me synimin për të vendosur Kosovën në hartën botërore të investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit, i kemi vazhduar edhe me tri kompani të mëdha me shtrirje globale: Uber, Airbnb dhe Microsoft”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook pas takimit.

Gjithashtu, kryeministri është takuar edhe me afaristë të njohur me origjinë shqiptare.

Pas këtyre takimeve, kryeministri ka fluturuar për në Iowa për përurimin e hapjes së Shërbimeve Konsullore në Iowa të SHBA-ve.

Këtu ai është nderuar nga Senati i Iowas. Në një ceremoni të organizuar atje, ai u dekorua me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowas.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri ka pasur takime edhe me shumë senatorë dhe kongresistë amerikanë nga të dyja partitë politike.

Kurti ka pasur takime të ndara me kongresistët Mondaire Jones, Robert Aderholt, Jim Himes, Lisa McClain, Ritchie Torres, Bill Keating, Jim McGovern, dhe lissa Slotkin. Po ashtu, ka takuar edhe senatorët Jeanne Shaheen dhe Thomas Tillis, si dhe me senatorin Chris Murphy.

Tjera nga autori:
1