<b></b> Dyshime serioze se tenderi 2.2 milionësh në Ferizaj u vlerësua nga persona të paautorizuar

Dyshime serioze se tenderi 2.2 milionësh në Ferizaj u vlerësua nga persona të paautorizuar

22.06.2022 17:09

Ishte apo nuk ishte vartësi i Agim Aliut pjesë e komisionit për tenderin 2.2 milionësh? 

Komuna e Ferizajt ka paraparë ndërtimin e objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në vlerë të parashikuar 2 milionë e 250 mijë euro. Komuna kishte themeluar komisionin për vlerësimin e ofertave për këtë tender. 

Më 7 maj 2021, kryetari i komunës Agim Aliu ka marrë vendim për formimin e komisionit për vlerësim, ekzaminim dhe krahasim të tenderëve në përbërje prej tre anëtarëve: Ilir Beqiri- Kryetar i komisionit, Skender Baftiu- anëtar dhe Emin Misini – anëtar. 

Mirëpo, në vlerësim të tenderit për ndërtimin e objektit të QKMF-së është përfshirë edhe vartësi i kryetarit Aliu, Meriton Hajdini, dhe ku dyshohet se s’ka pasur asnjë autorizim për të qenë pjesë e komisionit për vlerësim të tenderit të majmë prej 2.2 milionësh. 

Meriton Hajdini, Drejtor i Drejtorisë për Infrastrukturë, është bërë pjesë e komisionit dhe kjo është shkelje e rëndë ligjore, pasi s’ka vendim për një gjë të tillë. Së paku kështu insiston Inciativa për Progres (INPO), organizatë që vazhdimisht monitoron procesin e prokurimit nëpër komuna.    

“INPO ka gjetur se pjesëmarrës në proces të vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve de facto ka qenë zyrtari Meriton Hajdini, tani Drejtor i Drejtorisë për Infrastrukturë, i cili nuk kishte asnjë autorizim ligjor për të qenë anëtar apo për të zëvendësuar anëtarin e autorizuar në komision,” thuhet nga INPO. 

Organizata monitoruese i ka kërkuar Komunës së Ferizajt të të tërheqë vendimin.  

“Pas evidentimit të kësaj shkelje të rëndë të LPP-së, INPO ka kërkuar sqarime shtesë nga komuna dhe ka kërkuar vendimin për plotësim/ndryshimin e vendimit Nr. 01/86A, ku eventualisht është ndryshuar përbërja e komisionit, por një vendim të tillë nuk e ka pranuar,”- thotë reagimi i organizatës. 

Gazeta Nacionale ka kontaktuar Komunën e Ferizajt, por zyrtarë komunalë gati njëzëri kanë thënë se s’janë edhe aq në dijeni të rastit. 

Nacionale ka biseduar përmes telefonit me Shefin e Kabinetit të Kryetarit të Komunës, Albion Sherifin, i cila tha se s’është në dijeni dhe rekomandoi të bisedohet me zëdhënësin e komunës, Selim Marevcin.

As Marevci nuk kishte informata.

Ping-pongu i komunarëve ferizajas vazhdoi kur zëdhënësi Marevci sugjeroi që gazeta Nacionale të bisedonte me Drejtorin e Infrastrukturës, Meriton Hajdinin, që direkt është i përfshirë në këtë rast. 

Meriton Hajdini, drejtori momental i Drejtorisë së Infrastrukturës, i tha gazetës Nacionale se “kam qenë në vlerësim të projektit dhe për këtë e ka vendimin për të qenë pjesë e vlerësimit.” 

Hajdini shtoi se ai ka nënshkruar nëpër të gjitha procedurat, e po ashtu ka edhe deklaratën nën betim se ka qenë pjesë e këtij komisioni vlerësues. Ai komenton edhe dyshimet e organizatës INPO rreth dyshimeve se është falsifikuar dokument e që lidhet me këtë komision vlerësues. 

“Për këtë [dyshim] pyeteni Zyrën e Prokurimit,” i tha Nacionales drejtori komunal Meriton Hajdini. 

Ai thotë se këto vendimi i merr Zyrja e Prokurimit dhe, për të, e rëndësishme është që ai e ka vendimin se ka qenë pjesë e vlerësimit të këtij tenderi, dhe se këto vendime s’i ka marr ai por zyrja.

“Tash a ka bërë ndonjë gabim teknik Zyrja e Prokurimit kur ka lëshuar vendimin unë nuk e di, por unë kam një vendim të cilin e ka edhe Zyrja e Prokurimit,” - tha më tej Hajdini. 

Drejtori i Infrasrtukturës ka komentuar edhe thirrjen e insistimin e INPO-s që këtë rast ta hetojnë edhe organet kompetente të drejtësisë. 

“Unë e di që kam qenë në vlerësim, për hapa tjerë unë s’e di qysh shkon kjo farë pune,” - tha ai.    

E organizata INPO ka insistuar që të hetohet ky rast pasi shohin shkelje të rënda ligjore dhe kanë dyshime se mund të jenë falsifikuar dokumente. 

“Madje, zyrtarë të caktuar komunalë janë munduar të kamuflojnë mungesën e vendimit për plotësim/ndryshimin e përbërjes së komisionit për vlerësimin e tenderëve, dhe kanë dërguar në adresë të organizatës dokumente me përmbajtje të pavërtetë, të cilat INPO me arsye dyshon se janë falsifikuar,” - akuzon INPO përmes reagimit të saj. 

Ky aktivitet i prokurimit është inicuar tash e një vit, por akoma nuk është finalizuar me nënshkrimin e kontratës. 

“Sipas dokumenteve të tenderit, INPO ka gjetur se komuna ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomik “VMM GROUP Sh.P.K., AL-BER Sh.P.K. & EURO – INFRASTRUKTURA”. Mirëpo, ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), ka parashtruar “EUROING SH.P.K.”,  dhe në mungesë të Bordit të këtij institucioni, nuk ka vendim të panelit, por vetëm raport të ekspertit, i cili ka rekomanduar që lënda të kthehet në ri-vlerësim,” - thotë INPO. 

Organizata insiston se këto janë shkelje të rënda ligjore e procedurale dhe ka kërkuar nga kryetari i komunës që të ushtrojë të gjitha autorizimet dhe kompetencat ligjore për të mbajtur përgjegjës zyrtarët e përfshirë në këto shkelje ligjore. 

Po ashtu, është kërkuar që të mundësohet aktiviteti i prokurimit vetëm sipas rregullave të LPP-së dhe rregullave të prokurimit. Po ashtu, dyshimet për falsfikim të dokumenteve, organizata kërkon që të hetohen nga ogranet e drejtësisë. 

 

Tjera nga autori:
1