Babai vrau djalin e tij për çështje pronësore, publikohen pamjet nga tragjedia në Podujevë

Babai vrau djalin e tij për çështje pronësore, publikohen pamjet nga tragjedia në Podujevë

13.06.2022 19:47

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në orët e pasditës në fshatin Peran të Podujevës.

Siç raportojnë mediat lokale, është regjistruar një vrasje brenda një familjeje, ku babai ka vrarë djalin, përcjell Gazeta Nacionale.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 18:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Peran të komunës së Podujevës.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat e para, bëhet e ditur se një person, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma zjarrit.

Vdekja e viktimës është konstatuar nga ana e mjekëve emergjent. Policia ka iniciuar një hetim me synim sqarimin e të gjitha rrethanave që karakterizojnë rastin”, ka shtuar Borovci.

Tutje, siç mësohet, ngjarja e kobshme dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një problemi pronësor, kurse akti është kryer me kallashnikov.

Organet relevante veçse janë në vendin e ndodhisë, teksa po bëhen edhe hetimet preliminare të rastit.

Dorasi tashmë është arrestuar. Në anën tjetër, siç raporton portali lokal, Llapi.info, inicialet e viktimës janë E.I, kurse ato të të dyshuarit, njëherit babait, N.I.

Më poshtë edhe fotoja djalit dhe babait.

Para pak çastesh ndërkaq, janë publikuar edhe pamjet nga vendi ku ndodhi vrasja që tronditi jo vetëm fshatin Peran të Podujevës, por gjithë vendin.

Gjithashtu raportohet se palët e përfshira në vrasjen respektive, një javë më parë ishin rrahur, ku më pas ishte njoftuar edhe Policia.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kreu i komunës, Shpejtim Bulliqi. Ky i fundit, duke shfrytëzuar rrjetin social "Facebook" ka thënë se kjo vrasje i ka tronditur të gjithë banorët e komunës.

"Rasti i vrasjes në Peran të Podujevës na ka tronditur të gjithëve. Duke u lutur që të jetë i fundit ky rast i vrasjes, ngushëllime familjes dhe miqve!", shkroi mes tjerash ai.

Kujtojmë se ne do t'ju raportojmë në kohë reale për çdo risi eventuale.

/Nacionale/

Tjera nga autori:
1