<b></b> E sikletshme: Deputeti Kokaj me ftesë ‘të rrejshme’ për në Paris, fshin ‘gëzimin’ që ndau në FB

E sikletshme: Deputeti Kokaj me ftesë ‘të rrejshme’ për në Paris, fshin ‘gëzimin’ që ndau në FB

15.05.2022 21:46

A mund ta përfytyroni një deputet të Kuvendit të Kosovës që shkon në Paris i mashtruar se është ftuar nga dikush në një konferencë e në të vërtetë nuk është ftuar nga askush? Kjo mund t’i kishte ndodhur Jahja Kokajt, që për shkak të një pakujdesie u turpërua.

Çka ndodhi?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, duket se ra pre e një mashtrimi, duke mos verifikuar detajet e një ftese false.

Ai ka njoftuar publikun se është i ftuar në një konferencë e cila ka të bëjë me teknologjitë më të reja.

Nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, Kokaj ka thënë se ftesa për të qenë pjesë e kësaj konference është një gëzim për të.

“Ftesa per Konference ne Paris, per teknologjite me te reja, duke ma paguar akomodimin, udhëtimin dhe te gjitha.. eshte nje gezim tjeter qe dua ta ndaj me juve miq te nderuar.”

Ekspertiza modeste qe kam arrite ne lemine e Femto Lasereve, zbatimine tyre ne depozitimin e nanogrimacave, per struktura per konvertime foto voltaike, eshte baze edhe per kete ftese,” – kishte shkruar deputeti i VV-së.

Bashkë me “lajmin e gëzueshëm”, Jahjau ndau me ndjekësit e tij edhe informacionet rreth konferencës (vendin ku do të mbahet, kohën kur do të mbahet dhe emrin e konferencës).

Nuk u desh shumë kohë që në komentet e shumta të shfaqej edhe ai i analistit Nezir Kraki, i cili jeton dhe vepron në Francë.

Kraki i kërkoi deputetit Kokaj që të bëjë kujdes, sepse mund të ketë rënë pre e një mashtrimi në internet.

"Profesor i nderuar, me keqardhje ju njoftoj se pas nje verifikimi te thjeshte, duket se Konferenca ne fjale dhe te gjitha logjistikat e lidhura me te eshte nje mashtrim i orkestruar me mjeshtri.

Prandaj ju ftoj te mos beni pagesen 650€ per « para-regjistrim » sepse do i humbni ato para.

Hoteli i permendur ne Paris per akomodim nuk ekziston fare, sikurse nuk ekzistojne as firmat sponsorizuese te ketij eventi. Numri per rezervimin e hotelit ne Paris eshte numer virtual VOIP dhe jo fiks, ne Paris adresa e hitelit eshte nja ndertese banimi. Perveç kesaj, krejt faqet e internetit jane veç « interface page ».

Mashtrime te tilla ndodhin sot shpesh permes internetit.

Ju nuk keni nevoje per mashtrues qe ta paraqisni punen tuaj.

Shendet e te fala nga Parisi i vertete", shkroi Kraki, në komentin që bëri në postimin e Jahja Kokajt.

Nuk shkoi shumë kohë e gëzimi iu pre në gjysmë shkencëtarit të Vetëvendosjes.

Kokaj e fshiu postimin e tij, duke konfirmuar heshturazi se ishte ftuar në një konferencë që nuk ekzistonte.

Nga një hulumtim i thjeshtë në internet, Nacionale ka vënë re se hoteli në të cilin do të akomodohej Kokaj s’ekzistonte, meqë në adresën e rrugës ku thuhej se ndodhej s’kishte asnjë hotel me të tillë emër.

Hotel St Michael Inn Paris Gare Du Nord”, quhej vendi ku deputeti mendoi se do ta rehatonin, por në një kërkim në platformën “Google” ky emër hoteli nuk figuron askund.

Rruga në të cilën thuhej se ndodhet hoteli, ishte një rrugë e përbërë kryesisht nga banesa dhe lokale të vogla.

Nga ofendimi i gazetarëve kur pyetet për lansim rakete e deri te gëzimi për një event që me shumë gjasë nuk ekziston, Jahja Kokaj mbetet ‘baba’ i vakive. /Nacionale/

Tjera nga autori:
1