<b></b> Edhe Mali i Zi pjesë e “Ballkanit të Hapur”, Kosova ende kundër kësaj nisme

Edhe Mali i Zi pjesë e “Ballkanit të Hapur”, Kosova ende kundër kësaj nisme

07.06.2022 23:08

Me bashkimin e Malit të Zi, tashmë “Ballkani i Hapur” është zgjeruar edhe më shumë. Në Ohër, ku po mbahet takimi i vendeve anëtarë, po merr pjesë si vëzhguese edhe Bosnja e Hercegovina. Jashtë kësaj nisme rajonale ka mbetur veç Kosova, që po ‘vallëzon’ e vetme kundër “Ballkanit të Hapur”.

Gjatë të martës, u mbajt samiti i radhës i “Ballkani i Hapur” në Ohër, i cili do të vazhdojë edhe nesër (e enjte).

Drejt qytetit turistik të Maqedonisë së Veriut kanë udhëtuar kryeministri Edi Rama, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Të martën u mbajt një darkë pune, ndërsa të mërkurën pritet të nënshkruajnë katër marrëveshje bashkëpunimi për luftimin e evazionit fiskal, njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunimin kulturor dhe bashkëpunimin turistik, raporton REL.

Rama ka publikuar disa fotografi gjatë qëndrimit në Ohër, ku edhe zyrtarizoi futjen e Malit të Zi në këtë nismë.

“Kënaqësi marrja e kafes së sapombërritjes në Ohër, me kryeministrin, Dritan Abazovič, i cili sot fut zyrtarisht Malin e Zi në Ballkanin e Hapur, si edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Serbi, Chris Hill, i cili është një mik i kahershëm i Shqipërisë e shqiptarëve, po dhe një mbështetës i vendosur i Ballkanit të Hapur”, shkruan Rama në postimin e tij në Facebok.

Postimet e Ramës gjatë qëndrimit në Ohër nuk u pritën aspak mirë nga komentuesit.

Ajo çka u vu re, është që mënjëherë pas postimit vërshuan komentet negative të cilët e ‘gozhduan’ kryeministrin shqiptar.

Pjesëmarrës në samitin e Ohrit janë edhe përfaqësues të Bosnjës e Hercegovinës (në rolin e vëzhguesit), të cilët kanë shprehur dëshirën për t’iu bashkuar “Ballkanit të Hapur”.

Pjesë e këtyre takimeve u pa edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, që është njëri nga njerëzit kryesor të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe njohës i shkëlqyer i problemeve ballkanike.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq tha se kjo nismë, është më e mira në dekadat e fundit, duke shtuar se të gjithë janë të mirëpritur.

“Sa i përket dëshirës së kujtdo tjetër për të hyrë në ‘Ballkanin e Hapur’, të gjithë janë të mirëpritur. Kjo nismë është më e mira në rajon në dekadat e fundit”, theksoi ai.

Ndër më të buzëqeshurit në takimin e Ohrit u pa kryeministri Abazoviq, i cili për herë të parë po përfaqëson Malin e Zi në këtë iniciativë rajonale.

Ai la të kuptohet gjithashtu se Mali i Zi do të përfshihet në "Ballkanin e Hapur". Abazoviq ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill.

“Ballkani Perëndimor ka vend në BE dhe Mali i Zi si lider në integrim është i gatshëm të jetë shembull pozitiv në këtë proces”, shkroi kryeministri malazez në Twitter.

Më 10 tetor 2019, planet për formimin e Open Balkan u shpallën për herë të parë në një takim në Novi Sad të Serbisë.

Më pas pati dy takime të tjera të liderëve të tre vendeve më 11 nëntor 2019 në Ohër dhe më 12 dhjetor 2019 në Tiranë. Më 29 korrik 2021 në Ohër, Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan marrëveshjen për liberalizimin e qarkullimit të mallrave, unifikimin e tregut të punës dhe bashkëpunimin kundër katastrofave.

Deri tani pjesë e kësaj iniciative janë bërë katër vende të Ballkanit, ndërsa Kosova, dhe Bosnje Hercegovina kanë kundërshtuar hapjen.

Ideja e “Ballkanit të Hapur”, parashikon lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve në rajon.

Megjithatë, liderët kosovar po refuzojnë në mënyrë kategorike, për një mori arsyesh, “Ballkanin e Hapur”.

Me gjithë thirrjet nga vendet anëtare, Kosova dhe Bosnje e Hercegovina vazhdojnë të kundërshtojnë një nismë të tillë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte deklaruar se “Ballkani i Hapur” nuk bazohet në idetë e bashkëpunimit rajonal dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.

Kurse kryeministri Kurti ka kundërshtuar vazhdimisht këtë nismë duke thënë se se “Ballkani i Hapur” mund të jetë, vetëm pasi Serbia të hapet me Kosovën duke pranuar të kaluarën kriminale.

“Ne si Republikë e Kosovës konsiderojmë që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i Serbisë me të kaluarën kriminale të Serbisë e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20”, thoshte kryeministri Kurti.

Së fundmi, një deklaratë e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, shkaktoi një valë reagimesh në Kosovë.

Lavrov e cilësoi Ballkanin e Hapur si një nismë serbe. Këtë deklaratë të tij e shpërndau edhe Fëllanza Podrimaj, këshilltare e kryeministrit Kurti, duke shkruar që t’i bëhet ‘tag’ atyre që pëkrahin këtë nismë.

 

Tjera nga autori:
1