<b></b> Edhe Shkëlqim Devolli realizon takime më të rëndësishme se Kurti në SHBA

Edhe Shkëlqim Devolli realizon takime më të rëndësishme se Kurti në SHBA

13.05.2022 16:38

Mund të jetë rastësi, por gjatë këtyre ditëve janë shpeshtuar fluturimet e kosovarëve drejt Amerikës. Përveç Albin Kurtit, në SHBA po zhvillojnë vizita edhe deputetë e biznesmenë të Kosovës si – Atifete Jahjaga, Vjosa Osmani (që ishte shkurtimisht), Ramush Haradinaj dhe... Shkëlqim Devolli.

Fatkeqësisht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deri tash nuk ka arritur të realizojë asnjë takim të rëndësishëm gjatë kësaj vizite.

Ndryshe nga kryeministri, i cili nuk ka realizuar asnjë takim me ndonjë zyrtar të lartë amerikan, afaristi i njohur kosovar Shkëlqim Devolli gjatë vizitës në SHBA ka zhvilluar disa takime në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Biznesmeni Devolli të enjten është pritur në takim nga Anne Morrison, zyrtare për çështje të Kosovës, dhe Robert Morgan, oficer për ekonominë rajonale në Zyrën e Marrëdhënieve të Evropës Jugore dhe Qendrore.

Sipas televizionit Klan, që është pronë e Devolli Corporation, Devolli u ka treguar zyrtarëve amerikanë për gjendjen e ekonomisë kosovare në përgjithësi, si dhe sukseset e Devolli Corporation në veçanti, si korporata me eksportin më të madh nga Kosova në SHBA.

Gjithashtu, në takim në Departamentin e Shtetit është folur edhe për mundësitë e rritjes së punësimit në Kosovë, në mënyrë që të mos ketë nevojë që të rinjtë ta lëshojnë vendin, si dhe për bashkëpunimin ekonomik në rajon.

Të enjten, në Washington DC, Shkëlqim Devolli ka takuar dhe ka realizuar edhe një takim me ish-kryeministrin dhe ish-ministrin e Mbrojtjes së Izraelit, Ehud Barak.

Aty është folur për lidhjet e veçanta historike të shqiptarëve me popullin hebre, si dhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik me Izraelin.

Në SHBA për vizitë po qëndrojnë edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës. Deputetja e grupit parlamentar të VV-së, Jeta Statovci, ka bërë të ditur se një grup i deputetëve të Kosovës kanë zhvilluar takime me tre kongresistë amerikanë, Ritchie Torres, Lisa McClain dhe Jim Himes.

“SHBA-të do të mbeten aleati i pa zëvendësueshëm dhe i përhershëm i mbështetjes së Republikës së Kosovës, në tri shtyllat e zhvillimit të shtetit tonë, atë të sigurisë, drejtësisë dhe ekonomisë. Ne po marrim përkrahje që Kosova të bëhet anëtare në organizatat dhe institucionet e rëndësishme ndërkombëtare, dhe nxitjen e bizneseve amerikane për investime në Kosovë”, ka shkruar Statovci në profilin e saj në Facebook.

Për dallim nga afaristi Devolli dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti prej 6 majit ka filluar një vizitë zyrtare në SHBA.

Edhe pas një jave, ai ende nuk ka arritur të takohet me ndonjë zyrtar të Departamentit amerikan të Shtetit apo të Shtëpisë së Bardhë.

Mungesa e këtyre takimeve po shihet si shqetësuese nga njohësit e rrethanave politike në vend.

Ata kanë treguar se më herët nuk ka ndodhur që udhëheqësit e Kosovës të shkojnë në SHBA me një agjendë kaq të zbehtë.  

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti është mirëpritur në takim nga Kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Më pas, ai është takuar me përfaqësues të kompanive si Microsoft Airbnb, Airbnb, e LinkedIn.

Pas këtyre takimeve, Kurti ka thënë se ka për synim ta vendosë Kosovën në hartën botërore të investimeve.

“Takimet e nisura në Silicon Valley, me synimin për të vendosur Kosovën në hartën botërore të investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit, i kemi vazhduar edhe me tri kompani të mëdha me shtrirje globale: Uber, Airbnb dhe Microsoft”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa sot, ai është takuar me përfaqësues të Komuniteti Shqiptaro-Amerikan.

“Para investitorëve potencialë, akademikëve dhe profesionistëve të ndryshëm, në një takim të organizuar mbrëmë nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan dhe Këshilli për Çështje Botërore të Dallasit/ Fort Worth (World Affairs Council of Dallas / Fort Worth) shpreha gatishmërinë e Qeverisë sonë për të ofruar dhe siguruar kushte të favorshme për investimet e huaja”, ka shkruar Kurti.

Tjera nga autori:
1