<b></b> Edward P. Joseph flet për aplikimin e Kosovës në KE dhe mënyrën se si të bindet Serbia për marrëveshje

Edward P. Joseph flet për aplikimin e Kosovës në KE dhe mënyrën se si të bindet Serbia për marrëveshje

16.05.2022 10:41

Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës, dhe pas përjashtimit të Rusisë u krijua përshtypja se anëtarësimi do të ishte krejtësisht i kollajtë. Por, një konfuzitet i ri nxori krye pas qëndrimit të dy ambasadave Franceze në Prishtinë dhe Beograd, që edhe këtë çështje po e lidhin me Dialogun që zhvillohet në Bruksel. Për të hequr sadopak konfuzionin e ri, folëm me profesorin amerikan Edward P. Joseph.

Fatmirësisht, anëtarësimi i Kosovës në KE është mbështetur fuqishëm nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Por, Franca është shtet i fuqishëm evropian dhe nëse ndan pozicionin e shtruar nga dy ambasadat e saj, atëherë kjo mund të përçajë qëndrimin prej 46 shtetesh që do të votojnë për pranimin ose mospranimin e Kosovës.

Ne biseduam me profesorin amerikan që ligjëron në shkollën "Johns Hopkins", për Studime Ndërkombëtare të Avancuara (SAIS).

Ai kundërshton fuqishëm qëndrimin e ambasadave franceze dhe kujtdo tjetër që e lidh aplikimin në KE me procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë në Bruksel. Sipas tij, këto dy procese nuk janë kundërshtuese ndaj njëra-tjetrës.

Në anën tjetër, qëndrimin sa i përket dialogut e shpreh bazuar në një raport të muajit janar nga Wilson Center në SAIS.

Serbia ka kontroll ndaj Kosovës në procesin e dialogut në mënyrë shumë specifike. Në mënyrë që të ketë përparim, e edhe stabilitet në rajon, duhet të hiqet ky kontroll prej saj. Por, edhe Kosova duhet të mbajë përgjegjësitë që i takojnë, dhe këto përgjegjësi janë të mëdha.

Nacionale:

Kosova së fundi ka aplikuar që të bëhet shtet anëtar në Këshillin e Evropës. Ambasada e Francës në Beograd e ka kritikuar këtë veprim, ndërsa z. Wolfgang Petritsch konsideron që kjo do të ketë ndikim në procesin e dialogut në Bruksel. Cili është qëndrimi juaj për çështjen?

Edward P. Joseph:

Për Këshillin e Evropës, është me rëndësi të kuptohet saktësisht gjendja.

E para, Gjermania duket se po i ofron mbështetje të qartë aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

E dyta, përderisa nuk ka pozicizion zyrtar nga Parisi, shkrimet në Twitter nga ambasadat franceze edhe në Kosovë por edhe në Serbi, nënkuptojnë që Franca është përnjëmend kundërshtuese. Ndërsa ambasada e Francës në Prishtinë ishte më diplomatike, njëkohësisht ishte edhe më e qartë. Ambasada tha që Dialogu ishte prioritet dhe i bëri jehonë të njëjtës pikë kyçe: “përmbahuni nga veprimet e e njëanshme që mund të rrisin tensionet.”

E treta, duket se Wolfgang Petritsch (në intervistë për Tanjugun), po ashtu e sheh çështjen me të njëjtat fjalë. Petritschi raportohet të ketë theksuar po ashtu “që dialogu është më i rëndësishëm se Këshilli i Evropës.”

Jam konfuz nga ky interpretim që disi thotë se aplikimi dhe bashkimi në Këshillin e Evropës është i kundërt me progresin në dialog. Çka diplomatët francezë dhe Petritschi duket se theksojnë është pse-ja e bllokimit të progresit në dialog – dhe pse mosmarrëveshja e Kosovës nuk është zgjidhur për 12 vjet prej që Kosova shpalli pavarësinë. Ne e kemi shpjeguar qartë një gjë të tillë në janar në Johns Hopkins SAIS-Wilson Center report, ‘From Crisis to Convergence: A Strategy to Tackle Instability in the Balkans at its Source.’ (Shq. “Nga kriza në Konvergjencë: Strategjia për të sulmuar jostabilitetin në Ballkan në zemër të tij.”)

Problemi është strukturor: Serbia ka kontrollin pasi katër shtete të NATO-s nuk e njohin Kosovën. Kjo është arsyeja pse nuk ka progres. Efektivisht, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia thonë, “nuk do ta njohim Kosovën derisa ta njohë Serbia.” Kjo i jep Serbisë  kontrollin – dhe nuk i jep arsye për të negociuar një zgjidhje reale për mosmarrëveshjen. Ky problem strukturor tejkalon (supersedes) Qeverinë e Albin Kurtit, që po ashtu ka përgjegjësitë e saj në dialog.

Ne argumentojmë që çelësi deri te progresi në Dialog është pikërisht heqja e këtij kontrolli për Serbinë – në mënyrë që palët më në fund të negociojnë një marrëveshje të dinjitetshme që mbron serbët e Kosovës brenda një Kosove plotësisht sovrane e funksionale në kufijtë e saj ekzistues. Ne avokojmë për Partneritetin për Paqe të NATO-s si formë për të barazuar marrëdhënien dhe për arritjen e progresit. Tash që Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, kjo rrugë është hapur po ashtu. Bashkimi në Këshillin e Evropës ka përfitime të rëndësishme për krejt qytetarët e Kosovës, përfshirë serbët e Kosovës. Dhe, ashtu siç kemi argumentuar në raportin tonë, anëtarësimi ndihmon në barazinë në dialog, dhe në përmirësimin e mundësisë për marrëveshje.

Kësisoj, unë nuk e kuptoj këtë kundërshti ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Këshilli – dhe NATO-ja – duhet të ecin përpara, pikërisht për të avancuar marrëveshjen e stërzgjatur për çështjen e Kosovës.

Nacionale:

Jam i sigurt që keni dëgjuar që Znj. Karen Donfried – Asistent-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike – ka vizituar Kosovën pak ditë para një takimi joformal mes z. Kurti, z. Vuçiq dhe z. Lajçak në Berlin. Ajo u shpreh se status quo-ja në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë e ndihmon vetëm Rusinë. Cili është qëndrimi juaj për çështjen: a është përnjëmend stagnimi i dialogut aq me rrezik për Kosovën?

Edward P. Joseph:

Natyrisht, Karen Donfried është e saktë në deklaratën e saj që status quo-ja është e paqëndrueshme dhe ndihmon Rusinë. Përsëri, siç kemi shkruar në raportin tonë, moszgjidhja e mosmarrëveshjes me Serbinë e lejon Serbinë që të përmbysë stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi po ashtu. Kjo është plotësisht e lidhur me interesat ruse dhe pjesë e agjendës së saj.

Për fat të keq, kontrolli që Beogradi ka ndaj Kosovës është kontroll edhe ndaj SHBA-ve dhe BE-së. Zyrtarët perëndimorë për kohë të gjatë, me mençuri – dhe në mënyrë të saktë – kanë kritikuar zyrtarët fqinjë për korrupsion, por pak dëgjojmë në lidhje me korrupsionin sistemik në Serbi, edhe pse qytetarët thonë se përbën problem shumë serioz. Vlen të kujtohet që Aleksandër Vuçiqi erdhi në pushtet fillimisht me premtimin se do të luftonte korrupsionin. Por, progresi demokratik i Serbisë është kthyer metodikisht prapa përgjatë dhjetë viteve sa partia e tij ka qenë në pushtet.

Në ndërkohë, në Kosovë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani – që janë akterë politikë shumë të ndryshëm nga autokrati Vuçiq – po ashtu erdhën në pushtet mbi fushatën kundër korrupsionit. Qytetarët, gazetarët dhe diplomatët duhet të pyesin për përparimin konkret të bërë në luftën kundër korrupsionit; a ka pasur përparim? Nëse jo, pse? Përgjigjet janë shumë me rëndësi.

Sa i përket qëllimeve të Rusisë, përsëri, Karen Donfried ka të drejtë. Rusia kërkon të minojë konsolidimin demokratik të Ballkanit. Mjeti kryesor për ta bërë një gjë të tillë është përmes mosmarrëveshjes në Kosovë. Dhe përsëri, siç e kemi theksuar në raport, mjeti kryesor për zgjidhjen e mosmarrëveshjes është përmes heqjes së kontrollit të Serbisë ndaj Kosovës. Kjo nuk nënkupton që Pristina nuk ka obligimet e saj.

Përkundrazi, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani duhet të demonstrojnë – me fjalë dhe vepra – se duan ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje përmes dialogut, e të mos e shohin si diçka të përjetshme. Kjo është forma për njohjen e plotë reciproke të Kosovës – me sovranitetin e plotë, integritetin territorial dhe funksionalitetin e saj – me një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe. Heqja e kontrollit serb dhe angazhimi në negociata serioze në krejt këto çështje – dhe obligime – të palëve është mënyra për ecje përpara.

Tjera nga autori:
1