<b></b> Ekspertët e arsimit kërkojnë ndëshkimin e “shit-blerjes së temave të diplomave”

Ekspertët e arsimit kërkojnë ndëshkimin e “shit-blerjes së temave të diplomave”

27.05.2022 15:11

Fenomeni i vjedhjeve akademike është shndërruar në normalitet në institucionet arsimore të Kosovës. Ekspertët e kësaj fushe u kanë bërë thirrje institucioneve kompetente që t’i ndëshkojnë ashpër veprimet e tilla.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë për gazetën Nacionale se nëse nuk ndëshkohet, kjo dukuri do të bëhet normalitet.

“Blerja e temave të diplomave nga studentët, plagjiatura dhe kontraktimi i shkrimit të publikimeve nga profesorët universitarë, të gjitha kanë për burim mungesën e mekanizmave institucionalë që shumë më aktivisht dhe fuqishëm do të merreshin me këto dukuri, të cilat, nëse nuk ndëshkohen, marrin përmasa që dikur kthehen në normale”, ka deklaruar Qehaja.

Ai ka ftuar universitetet publike që sa më shumë të merren me organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese për këtë dukuri negative.

“Është po ashtu e rëndësishme që universitet publike sa më shumë të organizojnë aktivitete që rrisin vetëdijesimin e komunitetit për parandalim dhe raportim të shkeljeve të tilla etike akademike. Një kulturë akademike pro integritetit akademik është ajo vlera që do të nxiste për ndryshime në universitet tona”, ka deklaruar Qehaja.

Ndërsa, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ende nuk kanë ndonjë strategji për ta luftuar këtë duke negative.

Në tryezën me temën “Pazari me tema të diplomës” të organizuar nga koalicioni për Transparencë dhe Integritet, prorektori për cilësi dhe zhvillim akademik në Universitetin e Prishtinës, Elton Bahtiri, ka treguar se ky institucion ka vështirësi në këtë drejtim.

 “Kemi vështirësi në faktimin dhe dëshminë që po ndodh ky fenomen nga ana e menaxhmentit sepse këtu nuk flasim për një përgjegjës, ka më shumë”, ka thënë Bahtiri.

As Ministria e Arsimit nuk ka treguar nëse ka ndonjë strategji për të luftuar këtë dukuri.

Gazeta Nacionale ka tentuar ta marrë një qëndrim për këtë çështje nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Një ditë me parë, kjo çështje është diskutuar edhe në tryezën e Koalicionit për Integritet dhe Transparencë në Universitete, ku është diskutuar hulumtimi i organizatës “Çohu” lidhur me “shit-blerjen e temave të diplomës”.

Sipas këtij hulumtimi, universitetit i mungon mentorimi i mirëfilltë, që nënkupton punë efektive një-me-një me studentët. Po ashtu, gjatë kësaj procedure “duhet të ketë një mekanizëm mbikëqyrës në aspektin përmbajtjesor të temave, i cili në formë të mostrave do të bënte një mentorim të tillë.”

“Temat e diplomës duhet të publikohen në platforma online nga institucionet e arsimit të lartë si dhe të vihet në përdorim një softuer i cili do të detektonte përmbajtjet e njëjta të temave të diplomës, përkatësisht të një softueri anti-plagjiat”, vazhdon hulumtimi në fjalë.

Me këto gjetje është pajtuar hulumtuesi dhe aktivisti i shoqërisë civile, Shkëlzen Gashi.

“Këtu studenët po vjedhin, po kopjojnë, po blejnë tema të diplomës, por a e dini kë e kanë model? Profesorët e tyre, këtu profesorët vjedhin”, pohoi Gashi.

“Me pritë që organet drejtuese të UP-së kanë me luftu këtë dukuri, është njësoj si me pritë mjaltë prej mizave”, vazhdoi Gashi, duke tërhequr vëmendjen se kjo dukuri negative është rrënjosur në praktikën e punës akademike të Universitetit të Prishtinës.

 

Përgatiti: Arbër Thaci

Tjera nga autori:
1