<b></b> Ëndërr, përjetim, gjatësi: Fjalët e VV-së bëhen subjektive për vizitën e Kurtit në Amerikë

Ëndërr, përjetim, gjatësi: Fjalët e VV-së bëhen subjektive për vizitën e Kurtit në Amerikë

17.05.2022 11:59

Fjalët e pushtetit për vizitën e kryepushtetarit Albin Kurti, duken shumë subjektive.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës [SHBA], tash e dymbëdhjetë ditë. Fatkeqësisht, përkundër vizitës së gjatë ai nuk ka arritur deri tash të takojë ndonjë zyrtar të lartë të Shtëpisë së Bardhë apo Departamentit Amerikan të Shtetit. Opozita aktualisht është në gjumë, por shoqëria civile po kritikon Kurtin për agjendën e zbehtë në SHBA, e kjo siç ndodh rëndom ka prodhuar kundër-narrativë nga Vetëvendosje.

Nga mediet pro-pushtetit u përmend një vizitë e mundshme e kryeministrit Albin Kurti me Zëvendës-presidenten amerikane Kamala Harris.

Një takim i tillë do të ishte i rëndësishëm për Kurtin, por edhe më i rëndësishëm për vendin dhe perspektivën e tij.

Gjatë ditës së djeshme, megjithatë, Kamala me një delegacion që përbëhej nga miq të mëdhenj të Kosovës si Antony Blinken, William Burns e John Kerry – mes tjerash – udhëtoi për në Emiratet e Bashkuara Arabe [EBA] për të marrë pjesë në funeralin e princit Muhamed.

Sidoqoftë, jo të gjitha gjasat janë shuar. Zv. presidentja Kamala mund të kthehet dhe takimi ende mund të ndodhë, duke qenë se Kurti do të jetë në SHBA deri më 23 qershor.

K U N D Ë R – N A RR A T I V A

Ishte një ndër deputetët më të zëshëm të Vetëvendosjes, ai me emrin Armend Muja, i cili dha më artikulueshëm pikat fillestare të kësaj kundër-narrative.

Duke përmendur takimet e Kurtit me përfaqësues të korporatave të IT-së, ai u shpreh se kjo përbënte realizim të ëndrrës për kryeministrin.

“Z. Kurti e ka pasur si ëndërr me shku edhe me i taku të gjitha kompanitë e transformimit digjital, marrë parasysh që Kosova e ka një gjeneratë të re”, u shpreh Muja.

Si ëndërr? Apo ëndërr...

Përmes kësaj deklarate, z. Muja provon të ndërtojë idenë se Plani A i kryeministrit Kurti në këtë vizitë ishte në fakt takimi me kompanitë digjitale e jo me zyrtarët e lartë amerikanë.

Pra, Kurti në Amerikë ka udhëtuar me agjendë ekonomike dhe jo me agjendë politike.

Një shpjegim interesant por fatkeqësisht të paartikuluar e bëri deputeti Gazmend Gjyshinca. Ai u shpreh i gëzuar me atë që e quan “transformim tejet përmbajtësor” që kryeministri i ka bërë (sic.) “mënyrës se si përjetohen marrëdhëniet tona me Amerikën”. Ai nuk tregon as për marrëdhëniet, as për përjetimin e marrëdhënieve, e lëre më për “transformimin tejet përmbajtësor”.

Më tej, ai shprehet se Kurti ka vendosur “model dhe standarde të reja” por përsëri pa treguar se për çfarë modeli dhe për çfarë standardesh po flet.

Dhe më e çuditshmja, ai flet edhe për “transformimin ideor që po përjeton politika dhe shoqëria amerikane”. Përsëri kemi fjalën “përjetim” në fjalorin e z. Gjyshinca, e e cila fjalë është shumë subjektive. Në anën tjetër, për cilin transformim ideor të politikës dhe shoqërisë amerikane flet deputeti? Përsëri nuk na jep shpjegim.

I sugjerojmë z. Gjyshinca të zgjerojë paksa fjalorin e tij dhe dijet e tij. Mund t’i tregojmë edhe mënyrën se si mund ta bëjë një gjë të tillë: duke lexuar.

Vizita e Kurtit në SHBA është mbrojtur edhe nga këshilltari i Glauk Konjufcës, Ilir Kërçeli. Ai u tregua paksa më serioz në fjalët e tij përmes një fjalori burokratik: “Vizitat në kompanitë më të njohura në teknologji dhe inovacion të SHBA-së, janë përfaqësimi më i mirë që mund të na bëhet në këtë kohë kur vendit tonë i duhen vende pune për rininë e cila po largohet nga pamundësia që talentet e tyre t’i kthejnë në vende pune.”

Sidoqoftë, kryeministri Kurti ka pasur një cilësor edhe më 'objektiv' për të përkufizuar vizitën e tij: "ajo ishte më e gjata se e çdo kryeministri tjetër."

Tjera nga autori:
1