<b></b> Erdhi për pushime në Kosovë, krejt çka dihet për vrasjen e 30-vjeçarit në Kaçanik

Erdhi për pushime në Kosovë, krejt çka dihet për vrasjen e 30-vjeçarit në Kaçanik

11.05.2022 08:44

Një 30-vjeçar pësoi dje nga plumbat që u gjuajtën në drejtim të tij në magjistralen Ferizaj – Kaçanik, rreth orës 14:00. Hasan Berisha, 31-vjeçar, mbeti i vrarë, ndërsa vëllai i tij, Kastrioti, mori plagë të rënda pasi u qëllua me armë zjarri. Dy palët e përfshira në rast dyshohet se mes vete kanë pasur probleme edhe në të kaluarën. Dy të dyshuarit për këtë rast gjenden në arrati, shkruan Nacionale.com.

Të martën, vendi u trondit nga një vrasje që në orët e pasditës ndodhi në magjistralen Ferizaj-Kaçanik. Aty me breshëri plumbash u vra një 30-vjeçar si dhe u plagos vëllai i tij 32-vjeçar.

Po çka dihet deri më tani për rastin?

Të premten, viktima kishte ardhur në Kosovë për pushime. Hasan Berisha, familjen e kishte në Kaçanik, aty edhe ku u vra të martën.

Sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës si të dyshuar për përfshirje në këtë rast janë dy persona. Të njëjtit, sipas policisë, gjenden në arrati.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, konkretisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se motivet e vrasjes së rëndë që ndodhi sot në Kaçanik nuk dihen ende. Mirëpo raportohet se viktima dhe të dyshuarit kanë të kaluar kriminale.

Sipas njoftimit për media, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndërsa, personi tjetër i përfshirë në incident, i cili ka mbetur i plagosur, është dërguar në Qendrën Kinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

“Motivet për këtë ngjarje ende nuk dihen dhe të dyshuarit lidhur me këtë rast gjenden në arrati, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa personi tjetër i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhet në njoftimin për media.

Prokuroria Themelore në Ferizaj thotë se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së rrethanave të ngjarjes.

 “Në lidhje me këtë, policia rajonale e Ferizajt, përkatësisht Sektori Rajonal i Hetimeve, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti. Policët hetues po grumbullojnë informacione në terren dhe janë në kërkim të të dyshuarve, të kësaj ngjarjeje. Për informacione shtesë , do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin për media.

Çka u sekuestrua në vendin e ngjarjes?

Posa njësitë policore kanë arritur në vendin e krimit, kanë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja dhe dy predha të kallashnikovit, si dhe mbi 10 fishekë të AK-47.

Edhe në trupin e viktimës, i cili shkoi në vendin ku gjeti vdekjen, janë konfiskuar një armë dhe një karikator me disa fishekë. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1