Pasi Tirana ia mori Prishtinës Sunny Hillin, Erion Veliaj flet për Nacionale - NACIONALE

Pasi Tirana ia mori Prishtinës Sunny Hillin, Erion Veliaj flet për Nacionale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Festivali “Sunny Hill” është zhvendosur nga Prishtina në Tiranë. Dukagjin Lipa, babai i këngëtarës së famshme Dua Lipa, në një letër dërguar presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, duke shkruar se kërkesa e festivalit u “politizua”. Por, të lumtur janë udhëheqësit e Shqipërisë. “Prestigj i jashtëzakonshëm”, e ka quajtur Erion Veliaj organizimin e Sunny Hill në Tiranë.

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Nacionale, Erion Veliaj, kryetar i Tiranës, ka thënë se kryeqyteti i Shqipërisë është i përgatitur për të pritur ngjarje të mëdha.

Vetëm në 1 muaj Tirana mikpriti UEFA Conference Leage, Kampioniatin Europain të Peshëngritjes, 2 Triathlona, 4 jave të kulturës italiane, izraelite, amerikane dhe greke, si dhe rreth 40 samite, kongrese e aktivitete në kuadër të Tirana European Youth Capital 2022. Qyteti është sot me i përgatitur se kurrë për të pritur aktivitete te mëdha”, tha Veliaj për Nacionale.

Duke folur për Sunny Hill Festival, i pari i Tiranës tha se është një prestigj i jashtëzakonshëm për kryeqytetin shqiptar që një festival i tillë organizohet aty.

Ai shtoi se Tirana i përket të gjithë “prishtinalive e krejt Kosovës”.

Por Tirana i përket dhe gjithë prishtinalive e krejt Kosovës, ndaj siç kemi festuar gjithmonë bashkë, do të festojmë dhe kësaj here. Për ne është padyshim një prestigj i jashtëzakonshëm qe në këtë vit të rëndësishëm për Kryeqytetin të mirëpresim Sunny Hill Festvial në Tiranë e bashkë me të, te presim dhe mijëra miq, vëllezër e motra nga Kosova”, shtoi Veliaj.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjithashtu i është gëzuar lajmit që Sunny Hill do të organizohet në Tiranë.

Rama e ka vlerësuar këtë si një lajm të mirë, duke shtuar se Sunny Hill po vjen në Tiranë dhe se në muajin gusht Dua Lipa dhe të ftuarit e tjerë do të ndriçojnë netët e Tiranës.

Çfarë ndodhi me Sunny Hill Festival?

Është zyrtare që Sunny Hill Festival nuk do të mbahet në Prishtinë, por në Tiranë.

Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së famshme Dua Lipa, ka shkruar një letër të gjatë, të cilën ia ka dërguar krerëve më të lartë të shtetit. Që në hyrje të letrës, Lipa thekson se kërkesa rreth Sunny Hill Festival është ‘politizuar’. Lipa nuk ka kursyer me kritika posaçërisht opozitën komunale në Prishtinë, e që përbëhet nga VV e cila ishte shumë e zëshme kundër ndarjes së tokës për 99 vite për festivalin.

Krahas opozitës komunale në Prishtinë, Lipa ka përmendur edhe Ministrinë e Administratës Publike e ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin e tejkalimin e kompetencave ligjore nga ana e Qeverisë së Kosovës.

E kah mesi i letrës, ai përmend edhe efektet pozitive, ekonomike e kulturore, që ka ky festival për imazhin e Kosovës.

Në krye të letrës, Lipa, që përfaqëson Sunny Hill Festival, i ka njoftuar me ‘keqardhje’ se për shkak të vonesave të shumta, të cilat sipas tij erdhën si pasojë e mospërgjigjes nga MAPL, edicioni i këtij viti i festivalit nuk do të mbahet në Prishtinë.

Ai ka thënë se përveç mungesës së përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar.

Ndryshe, Gazeta Nacionale ka raportuar për një mbledhje që u mbajt javën e kaluar, e të cilën e kishte udhëhequr Albin Kurti - e ku po merrte pjesë Përparim Rama dhe disa ministra e ku temë diskutimi ishte Sunny Hill Festival.

Në këtë takim, Kurti e varrosi ëndrrën e qindra mijëra të rinjve për organizimin e Sunny Hillit në Prishtinë.

Lajme të ngjashme