<b></b> Fantazma e Rugovës në Presidencë, si hajmali për pushtet

Fantazma e Rugovës në Presidencë, si hajmali për pushtet

25.05.2022 18:02

Presidenti, që siç duan disa në Kosovë ta quajnë edhe historik, Ibrahim Rugova ka 16 vjet që ka vdekur. Por ai ende jeton në Zyrën e Presidencës së Kosovës. Secili president që ka ardhur pas tij në zyrën presidenciale, është marrë me këtë Ibrahim Rugovën. Disa duke dëshiruar ta largojnë fantazamën e tij nga zyra e disa duke e thirrur fantazmën e tij për t’u rikthyer në zyrë. Por, të gjithë presidentët janë marrë me Rugoven, në një mënyrë a tjetër. Ama pse po përdoret fantazma e tij?

Mes shumë festave të muajit Maj, kosovarët të martën e 24 majit u befasuan kur rastësisht Presidentja Vjosa Osmani ua kujtoi se ekziston një festë të cilën e kishin harruar: Dita e Presidentit. Përmes dy postimeve në profilin e saj zyrtar, presidentja Vjosa Osmani e riktheu këtë festë që nuk është as festë zyrtare, me një përshkrim që duket sikur është ndonjë festë historike.

“Në Ditën e Presidentit nderuam arkitektin e shtetit të pavarur të Kosovës, nismëtarin e jetës demokratike e të angazhimit plural politik, presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Në ditën e tij, të vendosur prej vetë atij, si shenjë përkujtimi e përjetësimi të zgjedhjeve të para demokratike në Republikën e shpallur të Kosovës, më 24 maj 1992, e nderuam presidentin Rugova për vizionin e tij, e rikujtuam madhështinë e veprës së tij dhe e ritheksuam peshën e tij në jetën tonë politike.Kjo ditë i kushtohet atij! Gëzuar, President!”, shkroi Osmani në Facebook.

Osmani, e cila zyrtarisht mori postin e Presidentes më 4 prill 2021, me të hyrë në zyrën presidenciale bëri një veprim simbolik. Ktheu në murin e zyrës së saj, fotografinë me stemën jozyrtare të Presidencës që ishte me flamurin dardan, edhe si propozim që Ibrahim Rugova e kishte për flamurin e shtetit të Kosovës. Veprime të tilla simbolike dhe normalisht tepër patetike, presidentja Osmani ka bërë gjithmonë në raport me figurën e Ibrahim Rugovës. Ajo përmend Rugovën ose e përdor atë sa herë që i nevojitet për të forcuar pozitën e saj politike. Në debatin e brendshëm politik, presidentja e përmend “rugovizmin” ose “frymën rugoviane”, teksa tenton të shpjegojë idenë e saj politike, në konferencat ndërkombëtare ajo e përmend Rugovën dhe afërsinë e saj me të, për të ngritur më lart pozicionin dhe rëndësinë e saj. Kur kthehet sërish në Kosovë, dhe kur Rugova nuk mund të përdoret më për të përshkruar veten ose arsyetuar politikën e saj, presidentja zgjedh ta përdorë Rugovën edhe simbolikisht.

Fantazma e Rugovës e ka ndjekur edhe paraardhësin e Osmanit në Presidencë, Hashim Thaçi. Dikur armik kryesor politik, pas vdekjes së Rugovës në vitin 2006, Hashim Thaçi nisi ta ndryshojë tërësisht narrativën e tij për të, përderisa në vitin 1999 ai e konsideronte Rugovën tradhëtar. Së pari në vitin 2009, kur Kosova i kishte bërë 1 vit si shtet i pavarur, e pastaj kur u bë president në vitin 2016 dhe hyri në zyrën e Presidencës së Kosovës, ai nisi ta ndryshojë edhe më shumë narrativën e tij. Tashmë Thaçi e përdorte Rugovën si një simbol të shtetit të Kosovës. Nuk e huqte asnjë datë që lidhej me Rugovën. E vizitonte te varri, ia uronte ditëlindjen, e dekoroi dhe e ftoj familjen e tij në ceremoni.

Faktin që ishte vetë Lidhja Demokratike e Kosovës, partia që e krijoi Ibrahim Rugova, ajo që ia mundësoi me votat e tyre që të bëhej president, dhe mbi të gjitha kur e kuptoi se Rugova nuk po harrohej aq lehtë, Thaçi e shikoi këtë si një mundësi që ta përvetësojë Rugovën dhe “gjuhën e tij politike”. Si president, Thaçi përmendte togfjalëshin e njohur të Rugovës “në miqësi të përhershme me SHBA-të, Zoti e bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj”, në çdo fjalim ceremonial. Nejse, se harruam ta përmendim një detaj shumë të rëndësishëm: Thaçi në fillim të Presidencës, nuk e mori seriozisht, madje e largoi nga zyra dhe muret e saj llogon dhe flamurin e Rugovës, por më vonë ai nisi ta rikthejë nëpër postimet e tij, herë pas here, stemën e Dardanisë.

Pos Osmanit dhe Thaçit, fantazama e presidentit Rugova u end edhe shumë në zyret kur aty ishin presidentja Atifete Jahjaga dhe Fatmir Sejdiu, që ishte pasardhësi i parë i Rugovës. Jahjaga si një presidente pa përvojë politike përdorte Rugovën më së shumti në prezantimet e saj ndërkombëtare, ndërsa Fatmir Sejdiu, në fakt mund të llogaritet vetëm si vazhdimësi e Rugovës. Ai nuk mbahet mend për diçka të tijën.

Megjithatë, pyetja kryesore që duhet shtruar është: a na duhet fantazma e Rugovës në Presidencë? Apo kjo fantazmë do të endet aty, përderisa dikush të bëhet përnjëmend President ose Presidente e Republikës së Kosovës.

Tjera nga autori:
1