<b></b> Fotografia e Albanit

Fotografia e Albanit

20.05.2022 10:00

Shkruan: Ben Blushi

Shkova në studion e Alban Domit. Në rrugën e Durrësit.

Si shkon aparati Nikkon që të kam dhënë, më pyeti

Leica jot është më i mirë, i thashë

Ke fotografuar shumë këto kohë?

Shumë, i thashë, nga priftërinj në Laç, turistë në Vlorë, qen në Elbasan, vajza të mbuluara në Shkodër, afganë në Shëngjin,

Më erdhi dje një afgane në dyqan, tha Albani

Si ishte, e pyeta

Ishte modele me 200 mijë ndjekës në Instagram

E fotografove?

Më kërkoi lekë, tha Albani

Mua s’më kanë kërkuar asnjëherë lekë afganët që kam fotografuar në Shëngjin,

Epo vijnë në Tiranë dhe çmenden, tha Albani

Do më bësh një foto, e dua për Facebook, thashë unë

Nuk ke foto në Facebook?

Kam ca të vjetra, pa mjekërr, me kollare, shumë keq ngjaj shumë demode.

Si të duket kjo, tha Albani

Dukem pak agresiv këtu, i thashë

Ashtu je, tha Albani

Po përpiqem të zbutem, thashë unë

Shiko këtë tjetrën, tha Albani

Dua këtë pozën me vështrim poshtë, kjo më pëlqen, thashë unë

Po këtu nuk të duken sytë, tha Albani

Nuk dua t'i shof në sy njerëzit që shajnë në Facebook se do t'i vë në siklet, thashë unë

Ti e di, tha Albani, po mos u zi me njërëzit në Facebook

Nuk dua të zihem më as në Facebook, as në parlament, as në rrugë, thashë unë

Do të çoj unë në një vend ku zihesh kollaj, tha Albani

Ku është ky vend, e pyeta

Në një takim fotografësh, tha Albani

Epo aty do vi dhe ndoshta zihem, thashë unë.

Tjera nga autori:
1