<b></b> Fundi i pritjeve të stërzgjatura në ambasada? - Opozitaret flasin për Nacionalen

Fundi i pritjeve të stërzgjatura në ambasada? - Opozitaret flasin për Nacionalen

19.06.2022 21:30

Liberalizimi i vizave tashmë është një temë shumë e debatuar në Kosovë. Shumë afate kohore janë caktuar për këtë proces nga zyrtarë vendorë dhe të BE-së, ndonëse asnjë prej këtyre afateve nuk është respektuar deri më tani.

Procesi i liberalizimit të vizave është bërë një proces i mundimshëm, i stërzgjatur për Kosovën dhe qytetarët e saj, deri në atë pikë sa liberalizimi i vizave u shndërrua në një tallje të politikanëve që herë pas here deklaronin se liberalizimi ishte afër. Madje ish-kryeministra të mëparshëm ishin në gjendje edhe të flisnin me një siguri të lartë, siç është rasti i deklaratës së vitit 2018 nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i pyetur nëse kjo do të ndodhë, ai u përgjigj duke thënë se “liberalizimi ka ndodh pardje".

Megjithatë, me gjasë Haradinaj nuk do të deklaronte me kaq siguri diçka të tillë po të mos merrte garanci nga disa vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

“Na kanë thënë ‘po’ për liberalizimin e vizave, kjo nuk është një ‘po’ e analizave ose e mendimeve është po e njërit në detyrë që flet për Gjermaninë”, deklaronte ai.

Më 4 maj 2016, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i kishte përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe si rezultat i propozoi Këshillit të BE-së vendosjen e një regjimi të udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës.

Pas një dekade që nga fillimi i negociatave për liberalizim, ndonëse Kosova ka vite që i ka plotësuar të gjitha kriteret, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Kjo më së shumti irriton qytetarët e Kosovës të cilët në mungesë të kësaj janë të detyruar të presin në radhë të gjata për një 'vizë'.

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dha një deklaratë goxha shpresëdhënëse ditë më parë për Euronews Albania, ku tha se liberalizmi i vizave për Kosovën është afër, ndonëse nuk përmendi një datë të caktuar.

Sërish, ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme evropiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë.”, ka thënë Lajçak.

Deputetja e PDK-së, njëherësh edhe anëtare e Komisionit për Integrim Evropian, Blerta Deliu-Kodra në një prononcim për Nacionalen ka thënë se në këtë proces Bashkimi Evropian ka treguar një qasje zhagitëse, e sa i përket deklaratës së Lajçak tha se kjo do të përbente befasi nëse ndodhë në këtë kohë.

“Qasja e BE në rastin e Kosovës ka qenë zhagitëse. Kishte me qenë befasi e këndshme ne rast ndodh një gjë e tillë”, tha Deliu për Nacionalen.

Tutje Deliu-Kodra u ndal tek fakti që padrejtësia më e madhe që po i bëhet Kosovës në këtë çështje buron nga fakti që shumë shtete të cilat tashme kanë fituar liberalizimin qëndrojnë shumë më lartë së sa shteti i Kosovës në ranglistën e korrupsionit.

“E dimë që shume shtete kanë marrë liberalizmin e vizave e të cilat janë me lartë në ranglistën e korrupsionit. Kjo është nevojë për vendin, do ta plotësonte të drejtën fundamentale të lëvizjes së lirë. Shihni listën e pritjeve nëpër ambasada, këtë gjë nuk meritojnë qytetarët e Kosovës kur dihet se që një kohë të gjatë kemi plotësuar kriteret për anëtarësim”, tha deputetja e PDK-së për Nacionalen.

Ndërsa deputetja e AAK-së, Time Kadriaj i tha Nacionales se nisur nga fakti që kriteret janë plotësuar kaherë, kjo zvarritje është një padrejtësi për qytetarët e vendit

“Kosova ka vite qe ka plotësuar kriteret dhe kushtet për liberalizimin e vizave dhe kjo zvaritje që qytetarët e Kosovës të mos lëvizin lirshëm është padrejtësi. Kosova dhe populli i Kosovës ka orientim ‘pro evropian’ dhe krahasuar me vendet tjera fqinje ne e kemi merituar shumë më herët  që të kemi liberalizimin e vizave” tha Kadriaj për Nacionalen.

Tutje anëtarja e Komisionit për Integrim Evropian, deklaratën nga i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi e quajti shpresëdhënëse marrë parasysh situatën aktuale gjeopolitike shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Ajo po ashtu tha se çdo iniciativë e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare po has në pengesa të pakuptimta.

“Deklarata e Lajçak-ut na jep shpresë që diçka do të lëvizë në këtë drejtim e tash ngelet të presim. Për çdo iniciativë të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare kemi hapësirë në pengesa të pa kuptimta dhe ne kemi ngele vendi i vetëm i izoluar. Pas ngjarjeve dhe situatës gjeopolitike ndoshta BE do te arrijë konsensus sa i përket Kosovës”, tha ajo për Nacionalen.

Kujtojmë që Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Kosovë në konferencën për media së bashku me kryeministrin Kurti përsëriti angazhimin e qeverisë së tij për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai la tha se po flasin me të gjithë partnerët evropianë që edhe ata të binden se një gjë e tillë duhet të ndodhë.

“Unë e kam thënë edhe më herët ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt pasi që kushtet janë plotësuar dhe për këtë flasim me të gjithë partnerët në Evropë dhe ata të binden siç jemi bindur ne që moti. Krahas marrëdhënieve tona bilaterale ne kemi biseduar edhe për liberalizimin e vizave që ende po mungon.  Edhe liberalizimi i vizave duhet të ndodhë dhe unë personalisht po angazhohem te partnerët e BE-së”, tha Scholz gjatë konferencës për medie gjatë vizitës në Kosovë.

Liberalizimi i vizave është një marrëveshje e nënshkruar midis një vendi dhe Bashkimit Evropian duke mundësuar kështu udhëtim pa pasur nevojë për një vizë. Kjo nuk përfshin leje pune apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet të cilat janë pjesë e zonës Shengen.

“Schengen” është një fshat i vendosur në brigjet e lumit Moselle, në trekëndëshin kufitar të Luksemburgut, Gjermanisë dhe Francës. I ndodhur 30 km larg Luksemburgut, Schengen i ofron vizitorëve mundësi për të shëtitur përgjatë brigjeve të lumit Moselle, si dhe për ta vizituar muzeun, i cili u inaugurua ne qershor 2010.

Aty u nënshkrua Marrëveshja e Shengenit dhe Konventa e zbatimit të Shengenit. Ky emër sot është një simbol i lëvizjes së lirë në Evropë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes në këtë vend.

 

Tjera nga autori:
1