<b></b> G7 kërkon marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë: Nuk duhet të ketë vonesa

G7 kërkon marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë: Nuk duhet të ketë vonesa

14.05.2022 17:43

Në Gjermani sot pati një takim të rëndësishëm. Ministrat e jashtëm të G7 përkatësisht Kanadaja, Franca, Gjermania, Amerika, Italia, Britania e Japonia, patën një takim ku mori pjesë edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell.

Lufta në Ukrainë, kushtet klimatike e tema të tjera me interes ndërkombëtar nuk ishin temat e vetme të diskutimit.

Në një komunikatë të lëshuar nga G7, iu dha një rëndësi e madhe edhe Ballkanit Perëndimor, e sidomos dialogut Kosovë-Serbi dhe marrëveshjeve të arritura ndërmjet dy vendeve.

Ministrat e jashtëm të G7 kanë kërkuar që Prishtina dhe Beogradi të normalizojnë raportet e tyre, përmes një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme, pork u këtu nuk përmendet njohja, transmeton gazeta Nacionale.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara pa vonesa dhe të normalizojnë marrëdhëniet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila do të mundësojë realizimin e perspektivave të tyre përkatëse evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin rajonal në mënyrë që të përfitojnë të gjithë njerëzit në rajon. Ne mbështesim përparimin në bashkëpunimin rajonal gjithëpërfshirës dhe tranzicionin energjetik, veçanërisht përmes Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit”, thuhet në komunikatë.

“Ne jemi të shqetësuar për thellimin e krizës politike në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe dënojmë çdo përpjekje për të minuar unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Ne nuk do të tolerojmë politikat secesioniste të Republika Srpska, të cilat rrezikojnë të ardhmen e Bosnje dhe Hercegovinës dhe stabilitetin në rajon. Ne kërkojmë kthimin në funksionalitetin e plotë të qeverive në të gjitha nivelet për të rifilluar plotësisht punën e tyre, duke lënë mënjanë retorikën përçarëse dhe nxitëse dhe duke shmangur çdo akt që mund të destabilizojë Bosnjën dhe Hercegovinën. U bëjmë thirrje të gjitha partive në vend që të sigurojnë që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen siç është parashikuar në tetor. Ne mbështesim plotësisht mandatet e Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt. Ne mbështesim plotësisht mandatin ekzekutiv të operacionit EUFOR ALTHEA për të ruajtur një mjedis të sigurt në vend”, theksohet aty më tutje.

Kjo komunikatë e G7 përmban 46 pika të ndryshme, ku diskutohet për situatën politike në pothuajse të gjitha rajonet botërore përfshirë Afganistanin, Maynmarin e Irakun.

Komunikata e plotë është KËTU.

Çka është G7?

Grupi G7 është organizatë që përbëhet nga shtatë shtete me ekonomi të avancuar. Këto shtete janë: Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Grupi e quan veten komunitet i vlerave. Parimet e tij themelore janë liria dhe të drejtat e njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit, mirëqenia dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Në këtë organizatë fillimisht bënin pjesë gjashtë shtete në vitin 1975. Ato ishin bërë bashkë për të shkëmbyer ide për zgjidhje të mundshme ndaj krizës ekonomike botërore të asaj kohe. Kanadaja ishte bërë anëtare e grupit një vit më vonë.

Ministrat dhe zyrtarë të tjerë të shteteve anëtare takohen disa herë gjatë një viti për të diskutuar lidhur me çështje të interesit të përbashkët.

Secili shtet anëtar e drejton presidencën e grupit për një vit dhe organizon samit vjetor.

Politikat energjetike, ndryshimet klimatike, virusi HIV/Aids dhe siguria botërore janë disa nga temat e diskutuara në takimet e kaluara.

Në fund të secilit samit, shtetet e lëshojnë një komunikatë të përbashkët, me të cilën tregojnë për rezultatin e bisedimeve dhe marrëveshjet e mundshme.

Tema kryesore e samitit të sivjetmë të grupit G7 do të jetë lufta kundër pabarazisë

Tjera nga autori:
1