<b></b> Gazsjellësi amerikan dhe njohja nga Greqia ishin të ndërlidhura

Gazsjellësi amerikan dhe njohja nga Greqia ishin të ndërlidhura

04.06.2022 21:05

Me refuzimin e projektit të gazsjellësit amerikan, Kosova humbi edhe disa përfitime të rëndësishme, të cilat do të forconin subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Ky gabim, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, Kosovës i kushtoi me humbjen e njohjes nga Greqia, sigurinë energjetike dhe favoreve tjera gjeostrategjike  

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare e kanë vlerësuar si gabim të rëndë veprimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar projektin e gazsjellësit amerikane.

Ata kanë treguar se duke refuzuar këtë projekt, Kosova ka humbur njohjen nga Greqia dhe favore tjera ndërkombëtare.   

Profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë për gazetën Nacionale me përfshirjen në këtë projekt, Greqia, sikurse Izraeli do ta ndryshonte qasjen ndaj pavarësisë së Kosovës.

“Gabim i madh ka qenë kjo puna me gazin sepse përfitimet kanë qenë të mëdha në planin gjeostrategjik. Në rend të parë, Greqia do të ndryshonte qëndrim, njëjtë si Izraeli, kurse vendi ynë do të futej në sigurinë energjetike të rajonit si tërësi”, ka thënë ai.

Sipas Hasanit, Kosova do të bëhet pjesë e këtij projekti pa përfituar asgjë.

“Ne do të futemi aty në fund, por pa asnjë përfitim konkret afatmesëm dhe afatgjatë, pos si faktor pasiv i sigurisë energjetike rajonale. E njëjta vlen edhe për Ballkanin e Hapur: kjo ide, nga qielli shihet, favorizon Serbinë, por jo me paramendim, por me vetë faktin që Serbia ka një preponderancë politike dhe ekonomike më të madhe se të gjitha vendet e rajonit marrë së bashku. Por, kur krejt bëhen bashkë, me Kosovën brenda, Serbia ka më pak ndikim. E njëjta logjikë do të vlejë edhe nëse aktivizohet Procesi Berlinit. Asnjë dallim nuk ka në esencë në mes tyre”, është shprehur ai.

Edhe politologu Avdi Smajljaj ka bërë me dije për gazetën Nacionale se përfitimet do të ishin të mëdha për përfshirjen në këtë projekt.

“Kjo linjë e gazsjellësit mund të shtynte shtetet që nuk na kanë njohur siç është Greqia si pjesë e kësaj lidhjeve gazi, që të shqyrtojë mundësinë e njohjes së Kosovës si shtet. Andaj qeveria duhet me prioritet ta trajtoj këtë dhe të behët pjesë e këtij gazsjellësit”, ka thënë Smajljaj, duke treguar për përftimet tjera që do t’i kishte Kosova.

“Ky projekt është fitimprurës jo vetëm në aspektin ekonomik e qëndrueshmërisë së burimeve të energjisë, por edhe në aspektin politik, gjeopolitik, e gjeostrategjik. Domosdoshmëria e pavarësisë nga gazi rus, u bë edhe me u dukshme pas invazionit rus në Ukrainë. Këtë përpjekje janë duke e bërë shtete perëndimore që kanë varësinë nga gazi rus. Andaj, kjo do të ishte një mundësi e mirë për Kosovën, që të këtë qasje në gazsjellësin amerikan”, është shprehur ai.

Ndërsa, analisti politik Ilir Ibrahimi ka deklaruar për gazetën Nacionale se qeveria duhet ta rishqyrtojë qëndrimin ndaj këtij projekti.

“Kundërshtimi I projektit të gazsjellësit është një vendim politik dhe jo ekonomik. Prandaj edhe rikthimi I tij në agjendë varet nga vullneti politik I qeverisë. Projekti I gazsjellësit do ta lidhte Kosovën me rrjetin rajonal, e edhe ky paraqet një lloj bashkëpunimi rajonal ku Kosova duhet patjetër të jetë pjesë”, ka deklaruar ai.

Ai ka bërë me dije se Kosova nuk ka asnjë arsye të mos bëhet pjesë e këtij projekte.

“Kur kësaj I shtohet edhe rëndësia gjeopolitike që ka një bashkëpunim i tillë, atëherë nuk ka asnjë arsye pse Kosova të mbetet jashtë, përkundrazi, duhet të bëj çmos që të jetë pjesë e tij. Përveç kësaj, kur sot furnizimi i sigurt me energji elektrike po bëhet gjithnjë e më sfidues, Kosova nuk e ka luksin për eksperimente të tilla. Dallimet ideologjike duhet të lihen anash kur janë në pyetje interesa vitale të shtetit”, ka thënë Ibrahimi.

Në shtator të vitit të kaluar, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte treguar se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtimin e infrastrukturës për gazsjellësin në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Këtë vendim, ajo e kishte arsyetuar se Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik.

Tjera nga autori:
1