<b></b> Gërvalla: Vendimin për ta mbrojtur ambasadorin Berishaj e morëm pas konsultave me shtete të ndryshme

Gërvalla: Vendimin për ta mbrojtur ambasadorin Berishaj e morëm pas konsultave me shtete të ndryshme

10.05.2022 09:15

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në Klan Kosova ka treguar arsyet se pse po mbrohet ambasadori Martin Berishaj pas skandalit financiar ku dyshohet se ka shpëlarë mbi 600 mijë euro para të cilat i ka marrë nga kompania serbe energjetike GEN.

E Gërvalla po thotë se nuk kanë pasur asnjë arsye të dyshojnë në ambasadorin Berishaj pasi që e njohin personalitetin e tij.

Ne kemi pasur deklaratën e tij që në fillim dhe nuk kemi pasur asnjë arsye që të dyshojmë në deklaratën e ambasadorit Berishaj, duke e njohur jo vetëm personalitetin e tij – por duke njohur edhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm.

Nuk jam unë ajo që më takon t’u tregoj mediave se si duhet të sillen në raport me personalitete dhe përfaqësues të Kosovës. Kjo është një çështje që u përket mediave ta shqyrtojnë mes vete”, tha Gërvalla.

Kryediplomatja Gërvalla thotë se është konsultuar dhe ka marrrë informacione nga disa shtete të tjera dhe në fund e ka përkrahur Berishajn duke lënë të kuptohet që ndaj tij nuk do të merret asnjë masë ndëshkuese.

Unë e kam lexuar dhe e kam ditur edhe më herët qëndrimin e Malit të Zi rreth ambasadorit Berishaj, sepse vendimin për të qëndruar në krah të ambasadorit Berishaj nuk e kemi marrë “apriori”. Por, e kemi marrë duke u bazuar edhe në informacione të shteteve të ndryshme. Prandaj, gëzohem që hap pas hapi edhe opinioni që ka parë një fushatë të jashtëzakonshme denigruese ndaj ambasadorit do të ndërgjegjësohet që vetëm ka qenë e tillë”, ka thënë ajo.

Pra, ka qenë një fushatë e bazuar në një medium slloven i cili në një fushatë zgjedhore pak ditë para zgjedhjeve ka lansuar një fushatë të tillë”, u shpreh Gërvalla.

Ndërkohë, si pasojë e skandalit në të cilin u përfshi Martin Berishaj, llogaritë bankare të ambasadorit në Mal të Zi janë bllokuar.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është bërë pjesë e një skandali ku dyshohet se ka shpëlarë mbi 600 mijë euro para.

Këtë ambasadori dyshohet se e ka bërë përmes një kompanie që e ka hapur në Mal të Zi, e quajtur "MB Consulting".

Media press.co.me në Mal të Zi, njofton se llogaritë e Berishajt në Mal të Zi janë bllokuar si pasojë e një borxhi prej 31 mijë e 14 eurove, që ka ngritur edhe më shumë dyshime në përfshirjen e tij në skandal.

Sipas raportimeve të mediave në Slloveni, Berishaj ka transferuar 600 mijë euro kesh nga llogaria e tij në Mal të Zi dhe i ka transferuar tek politikani slloven Robert Golob.

Këto para në llogarinë e kompanisë së Berishajt kanë ardhur nga kompania GEN, e regjistruar në Mal të Zi.

Përkundër përfshirjes së tij në këtë skandal, ambasadori Berishaj ka premtuar se do t’i padisë mediat dhe ka vazhduar me punën e tij diplomatike.

Ndërkaq themelimi i Komisonit hetimor për menaxhimin e krizës energjetike në Kosovë ka ngritur dilema që edhe ambasadori Berishaj mund të jetë i përfshirë në këtë punë.

Me themelimin e këtij komisioni, opozita do ta përpilojë listën me emrat që do të ftohen për t’u intervistuar.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e ka konfirmuar për Nacionale se në listë do të jetë edhe emri Martin Berishaj, pasi sipas saj, është i implikuar në çështjet e energjisë të cilat opozita do që t’i hetojë.

Komisioni ende nuk është themeluar... kur të themelohet propozohen njerëzit dhe institucionet lidhur me çështjen që duhet të intervistohen. Unë besoj se edhe z. Berishaj do të jetë pjesë e listës, sepse është i implikuar në çështje”, ka thënë Hoxha për Nacionale.

Përveç Gërvallës, edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë pozicionuar në mbrojtje të Berishajt, andaj deri më tani ai vazhdon punën e tij si ambasador.

Tjera nga autori:
1