<b></b> Gjatësia s'ka rëndësi: Takimet e Kurtit në SHBA shqetësojnë, Kamala mund të na shpëtojë

Gjatësia s'ka rëndësi: Takimet e Kurtit në SHBA shqetësojnë, Kamala mund të na shpëtojë

16.05.2022 14:41

Mungesa e takimeve të kryeministrit Albin Kurti me zyrtarë të lartë amerikanë po shihet si shqetësuese nga njohësit e rrethanave politike në vend. Ata kanë vlerësuar se nëse shefi i Qeverisë nuk arrin të takohet me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit apo të Shtëpisë së Bardhë, kjo duhet të konsiderohet si alarmante për shtetin e Kosovës.

Që më shumë se dhjetë ditë kryeministri Albin Kurti po qëndron në SHBA për një vizitë zyrtare, por ende nuk ka takuar ndonjë zyrtar të lartë shtetëror amerikan, ndërkohë që përflitet një takim i mundshëm me Zëvendës-presidenten Kamala Harris.

Kurti e vlerësoi gjatësinë e vizitës së tij në Amerikë, duke u shprehur se ajo ishte më e gjatë se e çdo kryeministri tjetër. Por, cilësia apo sasia, ka rëndësi më të madhe në këto raste vizitash?

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë treguar për gazetën Nacionale se më herët nuk ka ndodhur që udhëheqësit e Kosovës të shkojnë në SHBA me një agjendë kaq të zbehtë.  

Analisti politik Ilir Ibrahimi ka vlerësuar se kryeministri gjatë kësaj vizite duhet të këtë takime të rëndësishme dhe të tregojë gatishmëri për t’i përmbushur obligimet që i ka marrë Kosova.

“Unë uroj dhe shpresoj që kryeministri Kurti gjatë kësaj vizite të zhvillojë takime në qarqe relevante dhe adekuate të administratës amerikane, ku do të tregonte gatishmërinë dhe vullnetin për një qasje proaktive dhe serioze në dialog, të tregojë gatishmërinë e Kosovës për të ndërmarrë hapa konkretë në diversifikimin e burimeve të energjisë, dhe të tregojë gatishmërinë për të përmbushur obligimet që ka marrë Kosova, qoftë përmes marrëveshjeve ndërkombëtare, qoftë nga vendimet e gjykatave vendore”, ka thënë Ibrahimi për gazetën Nacionale.

Sipas tij, është alarmuese nëse kryeministri Kurti nuk arrin të zhvillojë takime të rëndësishme.

“Këto kanë qenë edhe pritjet që janë përsëritur disa herë nga zyrtarë të niveleve të ndryshme të administratës amerikane. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë kjo duhet të shihet si alarmante për shtetin e Kosovës, sepse është një tregues se ka mospajtime ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe administratës së SHBA-ve. Aleanca me SHBA-të është e interesit vital shtetëror dhe çdokush që e vë në pikëpyetje këtë aleancë apo e cenon atë në ndonjë mënyrë, e cenon interesin nacional të vendit. Edhe një herë unë dua të besoj që kryeministri ka një strategji të qartë gjatë kësaj vizite, dhe do të na befasojë të gjithëve për të mirë”, ka deklaruar Ibrahimi.

Edhe analisti politik Petrit Zogaj është shprehur i shqetësuar me mungesën e takime relevante të kryeministrit në SHBA.

Sipas tij, gjatë kësaj vizite, ai nuk po e bën as politikanin e as sipërmarrësin.

“Aktualisht, niveli i vizitës së kryeministrit në SHBA është me ato që Petrit Selimi do t’i bënte në MCC, e që i ka bërë me dhjetëra herë, ose Uranik Begu nga ICK-ja që mund t’i bënte në Silicon Valley. Ndërkohë që dy të fundit janë drejtora ekzekutivë në fondacionet ose komunitetet që udhëheqin, Kurti është përfaqësuesi më i lartë politik i Kosovës, e ku takimet politike do të duheshin me qenë në qendër të çfarëdo vizite të tij në USA. Me një fjalë, s’po e bën as politikanin, e as sipërmarrësin privat”, ka shkruar Zogaj në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa, juristi i njohur Durim Berisha, ka thënë se për takime të rëndësishme nuk është gabim që të lobohet.

“Vazhdon me qenë shqetësues fakti që Shtëpia e Bardhë nuk i ka hapur dyert për udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, e në anën tjetër depërton Ramushi. Për takime e politika të rëndësishme t'paguhen edhe miliona nuk është gabim. Sidomos kur dihet sa agresiv është Lobi Serb në Evropë dhe ShBA. E besa edhe lobi i ahmakëve tanë”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në Facebook.

Mungesën e këtyre takimeve të rëndësishme politike në SHBA, zyrtarët e pushtetit janë munduar ta arsyetojnë në mënyra të ndryshme.

Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ka thënë se kryeministri në SHBA ka agjendë ekonomike. 

“Kryeministri Kurti po e përfaqëson dinjitetshëm potencialin e vendit tonë në vizitën të cilën po e realizon në SHBA. Diplomacia ekonomike të cilën për herë të parë kaq direkt dhe kaq të qelluar po e zhvillon kryeministri me kabinetin e tij, është ajo që na ka munguar këto vitet e fundit”, ka shkruar ai.

Sipas tij, qeveria aktuale po e përfaqëson më se miri Kosovën në arenën ndërkombëtare. 

“Vizitat në kompanitë më të njohura në teknologji dhe inovacion të SHBA-ve, janë përfaqësimi më i mirë që mund të na bëhet në këtë kohë kur vendit tonë i duhen vende pune për rininë e cila po largohet nga pamundësia që talentet e tyre t'i kthejnë në vende pune. Sigurisht kjo qeveri i ka përfaqesimet më të mira edhe në diplomaci ushtarake dhe në diplomaci klasike. Shumë shpejt keni për t’i parë rezultatet”, ka thënë ai.

Takimet e Kurtit në SHBA 

Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar për në SHBA më 6 maj. Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mirëpritur në takim nga Kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Më pas, ai ka vizituar Silicon Valley, duke u takuar me përfaqësues të kompanive multinacionale.

Pas këtyre takimeve, Kurti ka thënë se ka për synim ta vendosë Kosovën në hartën botërore të investimeve.

“Takimet e nisura në Silicon Valley, me synimin për të vendosur Kosovën në hartën botërore të investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit, i kemi vazhduar edhe me tri kompani të mëdha me shtrirje globale: Uber, Airbnb dhe Microsoft”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa një ditë më parë, ai është takuar me përfaqësues të Komuniteti Shqiptaro-Amerikan.

“Para investitorëve potencialë, akademikëve dhe profesionistëve të ndryshëm, në një takim të organizuar mbrëmë nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan dhe Këshilli për Çështje Botërore të Dallasit / Fort Worth (World Affairs Council of Dallas / Fort Worth) shpreha gatishmërinë e Qeverisë sonë për të ofruar dhe siguruar kushte të favorshme për investimet e huaja”, ka shkruar Kurti.

Pas këtyre takimeve kryeministri ka fluturuar për në Iowa për përurimin e hapjes së Shërbimeve Konsullore në Iowa të SHBA-ve.

Përmes një video-mesazhi të postuar në profilin e tij në Facebook, Kurti ka paralajmëruar se do të udhëtojë edhe për në New York dhe Washington DC.

Tjera nga autori:
1