<b></b> Gjendja e mohimit: Psikoza e çuditshme që i kap njerëzit në Kosovë kur bëhen me pushtet

Gjendja e mohimit: Psikoza e çuditshme që i kap njerëzit në Kosovë kur bëhen me pushtet

08.06.2022 14:59

Gjendja e mohimit (state of denial) është ajo frazë që përshkruan gjendjen e njerëzve që refuzojnë ta pranojnë realitetin. Unë besoj që pikërisht kjo gjendje përshkruan më së miri partitë politike të Kosovës në pesëmbëdhjetë vitet e fundit pasi ishin ‘përlyer’ me pushtet.  

Të gjithë e kemi ndërmend imazhin e Hashim Thaçit – ish-kryeministër e ish-president i Kosovës – derisa bënte kompromise me Serbinë në Bruksel. Ky është imazh i vonshëm që niset prej vitit 2013 e këndej. Thaçi i katër viteve të para pas Pavarësisë, ishte po ashtu mohues i një dialogu të mundshëm politik me Serbinë. Edhe ai ishte në mohim se ky dialog na vyente, se njohja prej këtij shteti armiqësor na vyente, e kështu me radhë.

Mos të flasim pastaj për Albin Kurtin që në atë vakt bënte akuza për tradhti thjesht për faktin që po negociohej. Nesër (domethënë, pas dhjetë vitesh) mund ta kemi ndërmend imazhin e Albin Kurtit si një politikan kompromisesh duke harruar krejtësisht aktivitetin dhe qëndrimet e tij politike për njëzet vjet rresht. Por, kjo s’do të jetë e vërteta e plotë.

E vërteta e plotë është kjo gjendje e vazhdueshme e mohimit që i humbi Kosovës shumë e shumë kohë.

Dhe në këtë pikë zë vend edhe skandali i haraçit ku dëgjohej një punëtor i dajës së këshilltarit financiar të Liburn Aliut duke i kërkuar 30 mijë euro që t’i kryente një punë në ministrinë e Liburn Aliut.

Ministri në fjalë ishte po ashtu krejtësisht në gjendje mohimi. Ai nuk arrinte ta kapërdinte faktin që kishte shkelur ligjin duke e emëruar këshilltar financiar dikë që kishte raporte familjare me një kompani e cila bashkëpunonte me ministrinë e tij. S’arrinte ta kuptonte që ky emërim e implikonte qartë. S’arrinte ta kuptonte që po i përmendej emri.

Krejt skandali sipas tij ishte interpretim. Përgjimi u pranua, haraçi u pranua, emaili që rrodhi prej atij haraçi u pranua, lidhja familjare e këshilltarit u pranua, njohja e tij me dajën e këshilltarit u pranua, takimi i tij me dajën e këshilltarit u pranua. Por, skandali sipas tij ishte interpretim!

T’i kthehemi gjendjes së mohimit të realitetit. Kjo gjendje karakterizon tash e sa kohë edhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Pa e pranuar asnjë skandal të vetëm korrupsioni në qeverisjen e tyre njëdekadëshe, iu rrekën luftës kundër korrupsionit prej 2017-s. As sot e kësaj dite, kjo parti politike nuk arrin ta pranojë që korrupsioni kishte lulëzuar në këto qeverisje. Madje, që kishte pasur korrupsion. Thjesht i mohon, sikur të mos kishin ndodhur fare. Kjo vlen edhe për AAK-në. Asnjë hap i vetëm nuk është ndërmarrë prej tyre që të distancoheshin nga praktikat korruptive, ose të riorganizoheshin në atë formë që problemi në fjalë të adresohej.

Ne edhe sot e kemi të vështirë ta kuptojmë arsyen pse disa ish-luftëtarë të UÇK-së që ishin të gatshëm të vdisnin për lirinë e vendit u korruptuan ose toleruan korrupsionin. Ashtu siç e kemi të vështirë ta kuptojmë arsyen pse disa ish-luftëtarë kundër korrupsionit po ashtu po korruptohen.

Edhe sot kemi një numër të madh problemesh që thjesht i kemi bartur nga viti në vit, duke qenë në këtë gjendje mohimi, e të cilat nuk po zgjidhen a zhduken përmes kësaj bartjeje. Problemi i 24 hektarëve në Manastirin e Deçanit. Problemi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Problemi i dialogut social. Problemi i ekonomisë informale. Problemi i mungesës së opsioneve për dialogun me Serbinë. Problemi i korrupsionit. Problemi i qenve endacakë. Problemi i bërllokut. Problemi i etnicizimit të sferës publike. Dhe më i rëndësishmi, problemi i banimit të përballueshëm për shumicën e qytetarëve të vendit (të rinjtë). Të gjitha këto probleme madhore po mohohen sikur të mos kishin ekzistuar. T’i mohosh – siç tashmë e kemi parë – nuk nënkupton edhe t’i zhdukësh.

Rasti konkret i haraçit na e ilustron edhe një herë këtë psikozë që kap pushtetet në Kosovë. Ekzistenca ose mosekzistenca e realitetit, problemeve, korrupsionit, zotit, mendojnë se varet prej tyre. Në fakt, haraçi në përgjime ekziston, lidhjet ekzistojnë, konflikti i interesit ekziston. Tash, Albinit i mbetet të vendosë nëse ai vetë ekziston ose jo!

Tjera nga autori:
1