<b></b> Gjenerali në krye të shtetit shqiptar, Bajram Begaj zgjedhet President i Shqipërisë

Gjenerali në krye të shtetit shqiptar, Bajram Begaj zgjedhet President i Shqipërisë

04.06.2022 19:51

Sali Berisha kërkoi fjalën. S'e mori dot. Kryetarja Lindita Nikolli nuk e lejoi të flasë fare ish-presidentin shqiptar.

Sipas saj, procedura nuk ia lejoi këtë. Kësisoj, 30 deputetë, ndër ta edhe Berisha u larguan nga Kuvendi, duke refuzuar pjesëmarrjen në seancën për zgjedhjen e presidentit të ri shqiptar, përcjell Gazeta Nacionale.

Në votim morën pjesë 83 deputetë, teksa nga 71 votat e mjaftueshme pro, ish-gjenerali Bajram Begaj i siguroi 78 sosh, 4 kundër, teksa një abstenoi.

Megjithatë, zgjedhja e tij dhe procedura e deritanishme u kritikua dukshëm nga qarqet opozitare dhe ato opinioniste poshtë kufirit shqiptaro-shqiptar.

Ishte vet ish-kryeministri Berisha që paraprakisht, duke shfrytëzuar platformën sociale "Facebook" kritikoi këtë kandidaturë, duke shtuar se nominimi i gjeneralit është precedent tepër i rrezikshëm për vendin dhe demokracinë.

“Një akt antikushtetues dhe precedent tepër i rrezikshëm për vendin dhe demokracinë. Të dashur miq, propozimi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare për postin e Presidentit të Republikës është një shkelje flagrante e Kushtetutës së vendit me pasoja shumë të rënda për të sotmen dhe të ardhmen e vendit”, ka shkruar Berisha.

Në anën tjetër, kreu aktual i ekzekutivit, Edi Rama u akuzua se po bën gjithçka për të kapur secilin post në Shqipëri dhe se Begaj është kryekëput zgjedhja e tij.

Kurse, kryeministri shtoi se propozimet e deputetëve përmes zarfëve ua mundësoi atyre që të dalin me një emër konkret, që sipas Ramës është një njeri normal.

Marrja e propozimeve nga gjithë anëtarësia e grupit me zarfe që u vunë në dispozicion të kryesisë për një diskutim konkret. Na mundësuan që të arrijmë në një konkluzion që përmbush nevojën për një njeri normal. Për një figurë me profil sa të lartë, aq edhe të paangazhuar në gjithë përplasjet apo rrugët që kryqëzohen në arenën politike. Kjo na bën  të ndihemi sot të lehtësuar nga barra e përzgjedhjes si forca dominuese që ka përgjegjësinë. Dhe po ashtu na bën të ndihemi mirë me shqiptarë përtej hapësirave të kufizuara”, tha Rama.

Si zgjidhet presidenti shqiptar?

Zgjedhja e tij kalon në 5 raunde në Kuvend. Në 3 raundet e para kandidati duhet të marrë 3/5 e votave në Parlament, ose 84 vota.

Ndërkaq, në dy raundet e fundit, për të zgjedhur presidentin e ri mjaftojnë 71 vota të deputetëve.

Presidenti i Shqipërisë duhet të jetë mbi 40 vjeç. Duhet të jetë me shtetësi shqiptare që në lindje dhe duhet që në 10 vitet e fundit të mos ketë banuar jashtë vendit.

Mandati i presidentit është 5 vjeçar dhe pa të drejtë rizgjedhjeje.

Seanca e sotme e mbajtur në parlamentin shqiptar përbënte raundin e katërt. 

Kush është Bajram Begaj?

Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 Mars 1967, në Rrogozhinë. Begaj, veç karrierës ushtarake ka dhe një karrierë të pasur në fushën e mjekësisë, ku dhe ka mbaruar studime universitare, për mjekësi të përgjithshme.

Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë 3-vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Kujtojmë se pasditen e sotme, presidenti aktual, Ilir Meta firmosi dekretin për lirimin nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe nxjerrjen në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura të Gjeneralmajor Bajram Rushit Begaj.

/Nacionale/

Tjera nga autori:
1