<b></b> Gjetjet më të çuditshme që mësuam nga pasuria e zyrtarëve publikë

Gjetjet më të çuditshme që mësuam nga pasuria e zyrtarëve publikë

15.06.2022 11:34

Deklarimet e pasurisë të publikuara nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) për vitin 2022 ishin mjaft të çuditshme, edhe pse u lanë paksa nën hije për shkak të largimit të Sunny Hill Festival nga Prishtina për në Tiranë. Por, cilat ishin gjërat më të përçudshme që na zbuluan këto deklarime?

Si për çdo vit tjetër, përsëri komentuesit e shumtë në rrjete sociale rikthyen fjalët ‘profetike’ të Xhavit Halitit kur thoshte “Të gjithë i kemi kah 2-3 milionë”. Në fakt, sipas AKK-së Haliti nuk i ka as vetë milionat e lartpërmendura, por fjalën e kishte për pasuri të madhe krahasuar me standardin e qytetarëve të thjeshtë.

Këto janë gjërat që mësuam prej deklarimeve të pasurisë nga zyrtarët publikë më 2022.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve punon në Zyrën e Kryeministrit

Në muajt e fundit të gjithë kishin pasur përshtypjen se një luftë e madhe po ndodhte mes Qeverisë dhe tregtarëve të naftës. Një luftë më e madhe se ajo mes Qeverisë dhe Rrahman Jasharajt. Çmimet e naftës po rriteshin, e me këtë u duk se po rritej edhe presioni i tregtarëve kosovarë të naftës për ulje apo edhe heqje të akcizës.

Në fakt, e gjithë ajo potere kishte prapa një mesele të pabesueshme për përmasat e Kosovës. I biri i kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, pra i biri i Fadil Berjanit (Dilloni) që bëhej sikur po luftonte me Qeverinë, punonte në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.

Kjo i dha shpjegim edhe tërheqjes së fjalëve nga Fadil Berjani në lidhje me kërkesën e Naftëtarëve për heqjen e akcizës, por edhe mos-mbështetjes së LDK-së që e quajti “krim” mosveprimin e Qeverisë në lidhje me rritjen alarmante të çmimeve të naftës që po varfëron edhe më shumë qytetarët.

Përveç që Dilloni punonte në Qeverinë e Kosovës, ai punonte edhe në kompaninë e babait të tij, Fadilit.

Paga në Qeveri, megjithatë, ishte paksa më e lartë se ajo që merrte në Dilloni Benz – sipas AKK-së.

Ish-Kryeredaktori i Kohës Ditore me 12 livadhe, 5 ara, 4 kullosa, 1 rajon lumor etj.

Edhe pasuria e ish Kryeredaktorit të Kohës Ditore që punon aktualisht si Ambasador i Kosovës në Belgjikë bëri bujë të madhe.

Ai paraqiti në AKK plot 26 lloje të pasurisë, por shtëpia prej 400 mijë eurove nuk la përshtypje. As toka prej 80 mijë eurove. Por, livadhet, kullosat, arat, trojet, tokat e rajonet lumore të tij.

Përparim Rama me 17 milionë euro, 4 milionë euro piktura

Edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e deklaroi pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Dhe, ashtu siç pritej, Ramës i doli një pasuri marramendëse prej 17 milionë eurove. 4 milionë e gjysmë prej pasurisë së tij doli të ishte vetëm në piktura, megjithëse nuk i kishte specifikuar autorët e tyre.

Stafi i presidentes Osmani

Dhjetë anëtarët e stafit të Presidentes Vjosa Osmani, përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani, doli se kanë para të gatshme mbi gjysmë milioni euro në institucionet financiare.

Pra, pa numëruar shtëpitë, tokat, trojet, banesat dhe pasuritë e tjera të luajtshme apo të paluajtshme.

Vlen të theksohet edhe që shumica e anëtarëve të stafit e kishin deklaruar pasurinë në fund të muajit, çka natyrisht se e zvogëlon paksa shifrën e përgjithshme.

Hysen Durmishi blen veturë, ani pse s’i del rroga

Zv. Ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, doli se kishte blerë një veturë Nissan në vitin 2021 me vlerë prej 23 mijë e 700 eurove përkundër që kishte deklaruar se “mezi i dilte rroga”.

Durmishi ka qenë në shënjestër të kritikave, së bashku me ministrin Liburn Aliu, pas skandalit “Aferat e Liburnit” që u publikua në gazetën Nacionale në fillim të muajit qershor.

Zëdhënësi i Qeverisë me pagë minimale

Gjatë ditës së djeshme kaloi Ligji i Pagës Minimale (me mbështetjen e Listës Serbe). Nga ky ligj duket se do të përfitojë edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili paguhej nga Vetëvendosja në pragun e pagës minimale. 

Paga e tij pritet të rritet pas kalimit të këtij ligji. 

Tjera nga autori:
1