<b></b> Haxhiu: Tërheqjen e mjeteve të Trustit e përkrahin edhe deputetët e VV-së

Haxhiu: Tërheqjen e mjeteve të Trustit e përkrahin edhe deputetët e VV-së

13.05.2022 18:31

Sirtari elektronik i mesazheve të Armend Mujës së VV-së është mbushur nga kërkesat e qytetarëve për ta proceduar çështjen e tërheqjes së trustit. Ndërkohë që Bekim Haxhiu i PDK-së, i bindur thotë se tërheqja e 30% do të ndodhë pasi iniciativa e tij përkrahet edhe nga deputetët e pushtetit.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, nuk ka hequr dorë nga iniciativa e tij për ndryshimin e Projektligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale. Pavarësisht qëndrimit të Qeverisë së nuk do ta lejojë një gjë të tillë, ai është shprehur optimist se iniciativa e tij që do të mundësojë tërheqjen e 30 për qind të kursimeve për qytetarët.

Haxhiu ka deklaruar për gazetën Nacionale se idenë e tij e përkrahin edhe disa deputetë e partisë në pushtet.

“Nga bisedat që i kemi pasur me deputetët e të gjitha partive, të gjithë deputetët e partive opozitare janë pro. Por janë edhe deputetë të mazhorancës që janë pro dhe jam i bindur që ky Projekligj do të kalojë në Kuvend”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Tërheqja e 30 për qindëshit të kursimeve nga Trusti Pensional ka qenë temë diskutimi përgjatë gjithë pandemisë, derisa Haxhiu beson se kjo temë u riaktualizua për shkak të krizës ekonomike.

“Patjetër që jemi të vendosur që të realizojmë këtë kërkesë të qytetarëve, sepse iniciativa për plotësim ndryshimin e Projektligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, apo siç njihet ndryshe, Trusti, ka qenë kërkesë e qytetarëve, që të mundësohet tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga Trusti për shkak të krizës ekonomike dhe mos mbështetjes së Qeverisë në këtë kohë krize.” , ka thënë Haxhiu.

Deputeti i PDK-së ka treguar se 25 maji është afati i fundit kur Qeveria duhet ta procedojë për votim këtë Projektligj, meqë në atë datë bëhen 28 ditë prej se Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale u është dorëzuar deputetëve në Kuvend.

“Kjo iniciativë tanimë është në procedurë parlamentare për votim në Kuvend. Ka një kohë që Qeveria e ka zhagit këtë proces. Tani e më shumë se dy javë, kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Transfere, Armend Muja, nuk e trajton në Komision. Mirëpo, procedura parlamentare parasheh që maksimumin e vonimit që mund ta bëjë pushteti aktual për këtë Projektligj është data 25 maj, sepse çdo Projektligj prej momentit që u shpërndahet deputetëve në Kuvend, maksimumin e trajtimit e ka jo më larg se 28 ditë dhe dihet se ky Projektligj deputetëve u është shpërndarë në Kuvend më datën 27 prill. Pra, 25 maji është afati i fundit kur Qeveria duhet ta procedojë për votim në seancë plenare këtë Projektligj.” , tha Haxhiu për Nacionalen.

Kjo nismë është përkrahur shumë edhe në rrjete sociale ku një grup në Facebook, tashmë ka 25 mijë anëtarë. Aty shihen mesazhet që Armend Muja mori nga qytetarët për ta proceduar çështjen e trustit.

Haxhiu është shprehur i bindur se ky Projektligj do të kalojë në Kuvend. Sipas tij, përpos deputetëve të opozitës, atë e përkrahin edhe deputetë të mazhorancës.

Zyrtarët e kësaj partie kanë bërë me dije se iniciativa e deputetit të PDK-së nuk do të përkrahet.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Armend Muja, ka thënë se tërheqja është e pa nevojshme, pasi sipas tij rritja ekonomike në Kosovë është 10 për qind.

“Vërtet nëse ne bëjmë këso shprehi, çdo herë, çdo vit që të tërhiqen mjetet e trustit, megjithatë nuk po themi se qytetarët nuk kanë nevojë, unë pajtohem, mirëpo me i rritë pritjet. Në kohën kur është tërhequr 10 përqindëshi, kemi pasur një tkurrje ekonomike prej 4 ose 5 për qind, kështu që nuk është situatë e njëjtë, sepse kemi një rritje ekonomike 10 për qind, është rritë edhe konsumi po ashtu 14 për qind krahasuar me vitin 2019” - kishte thënë deputeti Muja.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu e ka vlerësuar si të pa kuptueshme mospërkrahjen e Qeverisë.

Sipas tij, kjo do të kishte vetëm efekt pozitiv për ekonominë dhe buxhetin e shtetit.

“Për mua është e pa kuptueshme pse Qeveria nuk ka dhënë mendim pozitiv për këtë Projektligj dhe pse një pjesë e deputetëve të mazhorancës e kanë kundërshtuar. Për arsye se ky Projektligj ka vetëm efekt pozitiv në buxhetin e shtetit, sepse mjetet nuk tërhiqen nga buxheti i Republikës së Kosovës por qytetarët i tërheqin disa prej kursimeve të tyre. Pra, është e pajustifikueshme, sepse në këtë rast do të kishim miliona euro që do të futeshin në qarkullim në ekonominë tonë dhe do të kishte efekt pozitiv si për ekonominë ashtu edhe për buxhetin e shtetit.”, ka thënë Haxhiu.

Me tej, ai ka vlerësuar se është e paarsyeshme që Qeveria të investojë miliona euro të qytetarëve për blerjen e letrave me vlerë.

Në rast se Qeveria do të mbështeste këtë iniciativë, sipas Haxhiut, do të ndihmoheshin kategoritë më të rrezikuara.

“Është e paarsyeshme se si Qeveria, miliona euro nga Trusti i ka të investuara në letra me vlerë të Qeverisë. Si mundet që paratë e qytetarëve të merren për të blerë letra me vlerë të Qeverisë e të mos shfrytëzohen për nevojat e qytetarëve. Në rast të miratimit të këtij Projektligji, Qeveria do të kishte mundësi që të ndihmonte kategoritë më të rrezikuara nga buxheti i shtetit. Pra, ata që kanë mjete në Trust, mbështeten në mjetet dhe kursimet e tyre ndërsa kategoritë e rrezikuara (të papunët, rastet sociale, pensionistët e të tjerët) do të mund të mbështeteshin nga fondi i Qeverisë së Republikës së Kosovës. “, shtoi Haxhiu, duke i bërë apel Qeverisë që të punojnë së bashku në reformën pensionale, në mënyrë që të kalohet kriza e që qytetarët të kenë një pleqëri të sigurt.

“Kam një apel për mazhorancën, për Qeverinë. Sa kanë qenë në opozitë kanë premtuar reformim të sistemit pensional të Kosovës. Unë do të thoja që të votohet Trusti dhe të punojmë bashkë në reformën pensionale, në modelin e penzioneve që gjenerata paguan për gjeneratën. Është një model që i përshtatet Republikës së Kosovës dhe me të cilin do të zgjidheshin të gjitha problemet për pensionistët kontribut-dhënës dhe të gjitha kategoritë që duhet të mbështeten nga buxheti i Republikës së Kosovës. Kështu, do të ishte mundësia që në këtë kohë krize, qytetarët t’i mbështesim përmes fondit të kursimeve të tyre dhe t’ua sigurojmë pensionet afatgjate përmes reformës pensionale. Këta janë dy hapat që janë të domosdoshëm në situatën aktuale, edhe për të kaluar krizën edhe për të pasur një pleqëri të sigurt për të gjithë”, ka përfunduar Haxiu.

Tjera nga autori:
1