“Heshtja” e Abdixhikut ngjan disi sikur lideri i subjektit të ndihet në faj për qeverisjet e kaluara të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

<b>Heshtja e LDK-së </b> dhe Facebook-u si armë opozitare e Abdixhikut

Heshtja e LDK-së dhe Facebook-u si armë opozitare e Abdixhikut

24.04.2022 22:19

Erdhi në krye të LDK-së pas një pritjeje të gjatë të elektoratit, sidomos atij besnik. “Brezi i ri” kërkohej në Lidhjen Demokratike të Kosovës që nga fillet e para të bashkëpunimit Mustafa – Thaçi, duke e konsideruar flirtimin e vazhdueshëm me PDK-në si tradhti ndaj votuesve rugovistë. Mirëpo, përballë qeverisë që drejton e Albin Kurtit, ky brez po duket edhe më i heshtur se sa ai i vjetri. 

U desh të kalonin plot 11 vjet, që ish-kryetari Isa Mustafa të hapë rrugë për “Brezin e ri”. Kjo rrugë u hap edhe detyrimisht disi, pasi largimit të Mustafës, i parapriu një rezultati katastrofal në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar. Si asnjëherë më parë, subjekti më i vjetër në Kosovë, degradoi në 12 për qind të rezultateve të zgjedhjeve të fundit nacionale, përkthyer kjo me 15 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Krejt kjo do të ndodhte pasi LDK-ja, pak muaj para zgjedhjeve qendrore, do ta humbiste edhe Komunën e Podujevës nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të zhvilluara atje, në nëntor të vitit 2020. Podujeva, e konsideruar si bastion, do të qeverisej nga LDK-ja për herë të parë pas Luftës.

Si shpresë për këndellje të LDK-së dhe fillim të një reforme, më 15 mars të vitit të kaluar, në krye të LDK-së erdhi ekonomisti 37 vjeçar që iu bashkua Lidhjes Demokratike në vitin 2017, - vit zgjedhor edhe ky në Kosovë, ku Abdixhiku do të ulej në Kuvendin e Kosovës duke e projektuar veten si pasardhës të Isa Mustafës.

Duke mos u bërë pjesë e Qevrisë Hoti, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, Abdixhiku u bë edhe më i përzemërt në sytë e opinionit, jo vetëm në elektoratin e LDK-së.

Ai projektohej si i duhuri për t’i prirë partisë edhe për faktin se e kaluara e tij e “pastër” nuk do ta rezervonte në opozitarizmin kundrejt Kurtit fjalëshumë.

Mirëpo edhe pas më shumë se një viti në krye të LDK-së, dhe më shumë se një viti të Qeverisë Kurti 2, Abdixhiku ende nuk është parë në ofensiva të forta opozitarizmi, dhe kjo jo për faktin se Kurti nuk ka për çka të “luftohet”, përkundrazi.

“Heshtja” e Abdixhikut ngjan disi sikur lideri i subjektit të ndihet në faj për qeverisjet e kaluara të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Apo ndoshta natyra e tij “e butë” nuk e bën të denjë si opozitar në sytë e opinionit.

Mirëpo arsye për t’u bërë më “agresiv” Abdixhiku duket se ka mjaft, sidomos në javët e fundit ku skandalet e qeverisë “kanë marrë dhenë”, por këto skandale nuk po mundet t'i kapitalizojë Abdixhiku.

Të enjtën e javës që shkoi, mediat sllovene zbuluan një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në qendër të kësaj afere është Martin Berishaj, mik i Kurtit dhe ambasador i Kosovës në Kroaci.  

Ky skandal, pavarësisht që nuk e alarmoi kryeministrinë dhe presidencën, duke i kontestuar zbulimet e televizionit slloven dhe duke thënë se Berishaj po sulmohet për shkak të zgjedhjeve në Slloveni, nuk u duk se e alarmoi as kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, i cili u mjaftua me një postim në Facebook, tek pas më shumë se 24 orë pasi emri i Ambasadorit Berishaj u bë pjesë e shumë mediave vendore dhe atyre sllovene.

“Shpërthimi i skandalit me ambasadorin në Slloveni dhe tani zgjerimi i tij edhe në rajon, është arsyeja e vërtetë e rezistencës së pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend”, shkruante Abdixhiku në Facebook.

“Sa më i zëshëm refuzimi i tyre, aq më i domosdoshëm bëhet insistimi ynë. Sot, hetimi parlamentar nuk ka alternativë. Ky skandal, dhe të tjera skandale të renditura në shpenzimin e plot 120 milionë eurove edhe shtrenjtimin e faturave deri në 100%, duhet të gjejnë dritë. Kriza energjetike është një piramidë keqmenaxhimi, neglizhence, e tani dhe krimi. Këtë piramidë duhet dhe do ta shembim të gjithë”, vazhdonte ai në shkrimin e tij.

Por, këto fjalë i kishim dëgjuar orë më parë edhe nga PDK-ja e edhe nga PSD-ja.

Bile, partia e Memli Krasniqit kishte qenë pak më e zëshme pasi përveç reagimeve me shkrim kishte organizuar edhe konferncë për media dhe duke i dhënë skandalit etiketën “Karteli i Rrymës”.

Një ditë para rastit të ambasadorit Berishaj, pushteti u përkujdes që ta prodhonte dhe një tjetër skandal, kësaj radhe përmes Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliut, i cili njoftoi se me Kolegjin “UBT” kishte nënshkruar marrëveshje që përcaktonte kornizat e bashkëpunimit institucional në fushat e interesit të përbashkët.

Kjo informatë e ndarë me krenari nga ministër Aliu u bë kryetema e diskutimit ditor për disa arsye: ai vetë ishte i punësuar tash e disa vite në kolegjin universitar me të cilin lidhte bashkëpunim, dhe se kishim të bënim me një kolegj privat.

Për skandalin e Aliut pati shumë reagime, madje më të zëshmit ishin ata që e përkrahin dhe kanë afërsi me Lëvizjen Vetëvendosje, si bie fjala publicisti Shkëlzen Gashi apo aktivisti Rron Gjinovci.

Por, “e parëndësishme” kjo çështje u duk për kreun e subjektit të dytë më të madh opozitar në Kosovë, i cili madje nuk denjoi as të reagonte në Facebook, mbase i etabluar me bindje të djathta. Por shtrohet pyetja: A nuk duhet ta shqetësonte të paktën konflikti i interesit? A nuk duhet si opozitë t’i kujtonte partisë në pushtet se vazhdimisht keni ligjëruar për resurset publike dhe tashmë qëndroni kokë më kokë me ato private?

Teksa partia më e madhe opozitare Partia Demokratike ka filluar themelimin për “Qeverinë në Hije”, duke e prezentuar si model opozitarizmi, Abdixhiku vazhdon ofensivën në Facebook, duke shpërndarë foto nga takimet e tij me studentë, siç ishin ata të Fakultetit Filozofik, por edhe me struktura të LDK-së nëpër komuna, pra, takime me elektorat të tij.

Tjera nga autori:
1